Ndërlidhjet

Afganistani hyn në “paqartësi të mëdha” politike


Ashraf Ghani dhe Abdullah Abdullah, që të dy kanë mbajtur ceremoni ku janë betuar si president të Afganistanit.
Ashraf Ghani dhe Abdullah Abdullah, që të dy kanë mbajtur ceremoni ku janë betuar si president të Afganistanit.

Afganistani ka hyrë në një krizë të thellë politike, pasi dy kandidatët për pozitën e presidentit kanë pretenduar fitore dhe janë betuar në dy ceremoni të ndara.

Presidenti Ashraf Ghani, i shpallur zyrtarisht fitues në zgjedhjet presidenciale, është betuar për mandatin e dytë si president më 9 mars. Abdullah Abdullah, zyrtar i lartë shtetëror, po ashtu ka organizuar ceremoninë e tij inauguruese në kohë e njëjtë të hënën.

Ky hap i pashembullt ka futur shtetin në paqartësi të reja, pasi ekspertët kanë paralajmëruar se këto mospajtime mund të rezultojnë në dhunë, si dhe të dëmtojnë marrëveshjen historike të nënshkruar në mes të Shteteve të Bashkuara dhe militantëve talibanë.

Në kuadër të marrëveshjes, është planifikuar që më 10 mars të nisin bisedimet direkte në mes të qeverisë së Kabulit, të përkrahur nga perëndimi dhe talibanëve.

Mirëpo kriza e re politike duket se ka lënë në hije këto plane.

“Shteti ka hyrë në ujëra të panjohur dhe secili veprim mund të përshkallëzojë situatën”, ka thënë Ali Adili, hulumtues në Rrjetin e Analistëve në Afganistan, një institut kërkimor në Kabul.

“Nyje kritike”

Konflikti rrjedh nga rezultatet e zgjedhjeve të 28 shtatorit të vitit të kaluar, proces i cili është përcjellë me supozimet për mashtrim me vota, probleme teknike dhe sulme të militantëve.

Autoritetet zgjedhore patën shpallur më 19 shkurt Ghanin fitues me 51 për qind të votave të fituara, për dallim nga Abdullah që kishte fituar rreth 40 për qind të votave.

Mirëpo ky i fundit e ka cilësuar rezultatin “puç” dhe ishte zotuar se do ta formonte qeverinë paralele.

“Të dy liderët duket se po u përgjigjen emocioneve të përkrahësve të tyre, duke qëndruar në pozicionet fillestare, mirëpo në anën tjetër duke sjellur paqartësi të mëdha”, ka thënë Adili.

“Aty duket se ka kombinim të keqfunksionimit të institucioneve dhe emocioneve nga ana e liderëve dhe përkrahësve që ka çuar në një nyje kritike”.

Zyrtarët amerikanë kanë tentuar të ndërmjetësojnë konfliktin e krijuar pas zgjedhjeve. Nën presion amerikan, Ghani dhe Abdullah ishin pajtuar për të shtyrë ceremonitë e betimit për dy javë, deri më 9 mars.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, ka zhvilluar bisedime maratonike me të dy burrat në orët e para të 9 marsit, mirëpo duket se ka dështuar.

Më 2014, një proces zgjedhor i përcjellë nga mashtrimet pati dërguar Afganistanin në prag të luftës civile, para se Sekretari amerikan i Shtetit atëbotë, John Kerry të ndërmjetësonte një marrëveshje për ndarje të pushtetit në mes të Ghanit dhe Abdullahut, dy kandidatëve kryesorë.

Kjo marrëveshje pati krijuar pozitën e zyrtarit të lartë ekzekutiv, ashtu që Abdullah të hiqte dorë nga kundërshtimi i rezultatit zgjedhor.

“Ngjarjet e sotme në Kabul duket se janë zhvilluar pikërisht në mënyrën që SHBA-ja ka menduar se mund t’i shmanget, siç dëshmohet nga diplomacia e minutës së fundit dhe orës së vonë të Khalilzait në mes të Ghanit dhe Abdullahut”, ka thënë Andrew Watkins, analist i lartë për Afganistanin në Grupin për Kriza Ndërkombëtare.

“Pavarësisht përpjekjeve të Khalilzadit për të ndërmjetësuar, Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur fjalën e tyre: I kanë dërguar mesazh të qartë Kabulit se nuk do të intervenojnë në shkallën e njëjtë siç kishte bërë Kerry më 2014”.

Adili ndërkohë ka thënë se pa ndonjë kompromis, do të jetë shumë e vështirë që të përfundojë konflikti politik që ekziston tani.

Ai ka thënë se ekipit të Abdullahut i janë ofruar një varg kompromisesh, pasi ai ka kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve.

Një prej tyre do të ishte që të anulohej shpallja e Ghanit fitues dhe që qeveria aktuale të vazhdonte bisedimet e brendshme me talibanët, derisa të arrihej një stabilitet politik.

Një tjetër mundësi ka qenë që të akomodohen ata që janë jashtë qeverisë aktuale, përmes një sistemi të ndarjes së pushtetit.

Watkins ka thënë se skenari më i keq do të ishte “nëse kriza, që tashmë vazhdon të jetë retorike dhe politike deri në këtë pikë, të përshkallëzohej në pakënaqësi që rezultojnë me dhunë”.

Bisedimet e komplikuara brenda vetë Afganistanit

Mospajtimet e fundit politike në Kabul kanë kërcënuar me dëmtim të marrëveshjes së nënshkruar më 29 shkurt në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, e cila synon t’i japë fund luftës gati 19-vjeçare në këtë shtet.

Si pjesë e marrëveshjes, talibanët janë të obliguar të nisin negociata të drejtpërdrejta me qeverinë e Kabulit dhe afganët e tjerë, për të arritur armëpushim të përjetshëm dhe marrëveshje për ndarje të pushtetit.

*Expose: E ardhme e paqartë për Afganistanin

E ardhme e paqartë për Afganistanin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:09 0:00

Megjithatë ka shqetësime se konflikti i ri në Kabul mund të komplikojë emërimin e delegacionit negociues me grupin militant, proces që tashmë po përballet me vonesa dhe mospajtime.

Watkins ka thënë se drama politike ka treguar se sa sfidues mund të jetë procesi i bashkimit të figurave politike afgane në një tavolinë me talibanët.

“Hapat e ardhshëm të procesit të paqes mund të kërkojnë një varg kompromisesh, të cilat elita politike e Afganistanit nuk ka arritur t’i bëjë, sot apo në pesë vjetët e fundit”, ka thënë ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG