Ndërlidhjet

Asociacioni për integrim apo rivendosje të paralelizmave në veri?


Mitrovicë (Foto nga arkivi)
Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Pesë vjet që nga arritja e Marrëveshjes së parë për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku themelimi i Asociacionit serb është një prej pikave kryesore, Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë betejën politike nëse ky Asociacion do të jetë një organizatë joqeveritare apo një autonomi substanciale.

Qëndrimi i Prishtinës zyrtare është i qartë, Asociacion i komunave serbe pa kompetenca ekzekutive. Por, Beogradi me mbështetjen e përfaqësuesve serb në Kosovë mëton që të krijojë një Bashkësi komunash serbe që do të ishte një lloj niveli i tretë i pushtetit.

Pavarësisht dallimeve, Bashkimi Evropian si lehtësues i bisedimeve kërkon që të nisin procedurat e themelimit, konform Marrëveshjes së Brukselit.

Fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ende mbetet në pritje të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se Ekipi Menaxhues për themelimin e Asociacionit në një të ardhme të afërt do të funksionalizohet, gjithmonë sipas parimeve të Brukselit, Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet, është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumetnike.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga dhjetë komunat me shumicë serbe, kanë dhënë një lloj ultimatumi për drejtuesit e Qeverisë së Kosovës se nëse nuk e formojnë Asociacionin e komunave deri më 20 prill, ata vetë do ta themelojnë njëanshëm atë.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet nga autoritetet e Kosovës dhe çdo tendencë tjetër për formimin e tij do të mbetet ilegale dhe pa kurrfarë rëndësie.

Ajo thekson se vetë shteti serb është ai që po e pengon fillimin e punës për themelimin e Asociacionit.

"Kosova ka provuar disa herë që të nis hartimin e statutit për Asociacionin në pajtim me ligjet e Kosovës, Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse këto i parasheh edhe vetë marrëveshja e Brukselit, por sa herë që ne kemi provuar, Serbia vazhdimisht ka bërë disa destruksione për ta penguar këtë proces", thotë Tahiri.

Ajo thekson se veprimet si ai i vendosjes së një murit dikur të ura e lumit Ibër, tendenca për futjen e një treni pa leje në Kosovë dhe së fundi edhe hyrjet ilegale të zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës, janë disa nga veprimet destruktive të Serbisë, po e pengojnë formimin e Asociacionit.

Arrestimi dhe deportimi i Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës, pasi s'e ka përfillur ndalesën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës dhe është futur në Mitrovicë.
Arrestimi dhe deportimi i Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës, pasi s'e ka përfillur ndalesën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës dhe është futur në Mitrovicë.

“Sipas mendimit tim, Serbia nuk e dëshiron këtë asociacion, sepse është vetëdijesuar se asociacionin nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë në nivel të qeverisjes në Kosovë. Kur e kanë nënshkruar në atë kohë, ose nuk e kanë lexuar mirë, ose më vonë kur e kanë analizuar është penduar Serbia, sepse paragrafi i parë i marrëveshjes thotë qartë që Asociacioni komunave me shumicë serbe në Kosovës do të bëhet sipas ligjeve të Kosovës dhe e njëjta thotë që verifikimet e ligjshmërisë i bën Gjykata Kushtetuese e Kosovës", thekson Tahiri.

Ish- ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, thekson se në vazhdimësi të gjitha përpjekjet e Kosovës po hasin në obstruksione, siç thotë ajo, tani Bashkimi Evropian duhet të jetë më i zëshëm.

"Krejt qëllimi i dialogut është normalizimi i gjendjes në veri të vendit, shuarja e strukturave paralele dhe normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve. Kujtoj këtu, roli këto ditë i takon Bashkimi Evropian që të jetë i zëshëm. Unë e kam mirëpritur faktin që përfaqësuesit e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë në atë mbledhje të serbëve në Mitrovicë e që tregon se u kanë dhenë sinjal se nuk mbështesin iniciativa të jashtëligjshme", tha Tahiri.

Nga ana tjetër, Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Qendra për përfaqësim të kulturës demokratike”, e cila ka qendrën e saj në veri të Mitrovicës thotë për Radion Evropa e Lirë se janë bërë gati pesë vjet deri më tash që nuk është formuar Bashkësia (e komunave me shumicë serbe) edhe pse, siç thotë ai, sipas marrëveshjes së Brukselit, janë 5 apo 6 pika, të cilat konkretisht kanë të bëjnë me Bashkësinë.

"Serbët presin mjaft nga Bashkësia e komunave serbe, ndoshta edhe më shumë se që duhet, në përgjithësi për punësimin, sigurinë dhe gjithçka që mund të jetë në dobi. Pse, nuk ka ndodhur deri tash? Mendoj që kryesisht nuk ka pasur vullnet politik, para së gjithash dhe ky është një hap i madh, i cili mbase duhet të jetë edhe koncesion për Bashkësinë në Kosovë".

"Kështu që, me siguri që Qeveria në Prishtinë nuk ka qenë aq e gatshme që ta japë këtë koncesion edhe për shkak të zgjedhjeve, të cilat faktikisht gati se çdo vit i kemi, qoftë parlamentare, qoftë lokale. Kështu që, mendoj se ky është fakti kryesor që deri më tash nuk kemi pasur institucione, gjegjësisht, nuk kemi pasur Bashkësinë e komunave serbe", thotë Radakoviq.

Ligjëruesi i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Adem Beha, thotë për Radion Evropa e Lirë se vonesat e krijimit të Asociacionit kanë ardhur si pasojë e vetë politikës.

Ai, madje, thekson se tendencat e fundit të palës serbe tregojnë se ata kanë për qëllim një formulim të ri të kësaj marrëveshjeje.

"Kjo vjen si rezultat kryesisht i ngjarjeve të fundit si vrasja e Oliver Ivanoviqit, arrestimi i Gjuriqit e kështu me radhë. Pra, ka një lloj tendence për ta rimenduar e rikonstruktuar tekstin e marrëveshjes fillestare dhe kjo mund të jetë rrezik potencial për interesat strategjike të Kosovës", konsideron Beha.

Marrëveshja për Asociacionin, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG