Ndërlidhjet

BE-ja ishte e qartë karshi Kosovës


Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, gjatë konferencës për media në Prishtinë. 28 shkurt, 2018.

Vizita e delegacionit të lartë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, e cila ishte në vazhdën e vizitave të këtij delegacioni në vendet e Ballkanit Perëndimor, jep sinjale të qarta se politika e zgjerimit vazhdon të mbetet prioritet për Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane.

Sipas tyre, vizita e delegacioni të lartë të BE-së, e kryesuar nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, është e para e këtij niveli që ka vizituar Kosovën.

Diplomatë të lartë të BE-së vizitojnë Kosovën
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se porositë e delegacionit të Bashkimit Evropian ishin jashtëzakonisht të qarta dhe të drejtpërdrejta lidhur me dy kriteret që ndërlidhen me heqjen e regjimit të vizave për Kosovën

“Janë dy obligime, të cilat Kosova duhet t’i përfundojë. Pra, është çështja e Demarkacionit (me Malin e Zi) dhe është lufta kundër korrupsionit. Kalimi i Demarkacionit është një kriter më i matshëm dhe nuk ka asnjë lëvizje përpara drejt integrimit në Evropë dhe drejt liberalizimit të vizave pa e kaluar këtë kriter. Kjo ishte porosia, e cila u tha dhe prej ditës së mërkurë nuk ka më asnjë mundësi që të interpretohen porositë e Brukselit, sepse vetë Brukseli foli nga Kosova”, thotë Muhaxhiri.

Por, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se vizita e delegacionit të lartë të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në qendrat tjera të vendeve të Evropës juglindore, e cila njihet si Ballkani Perëndimor, përveç porosisë se Bashkimi Evropian është seriozisht i interesuar për integrimin e tyre, ka dhënë porosi të qarta për angazhimin që duhet të bëjnë drejtuesit institucionalë për plotësimin e kushteve për integrim të tillë.

“Është ai kriteri i parë që quhet kriteri politik që nënkupton, në terma të thjeshtë, stabilitet politik për këto vende. I dyti është kriteri ekonomik, që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve kompetitive të mjaftueshme për t’u përballuar me konkurrencën brenda Bashkimit Evropian. Dhe e treta është kriteri juridik apo siç ne e njohim, këtu në Kosovë dhe në rajon, sundimi i rendit dhe i ligjit. Prandaj, përgjegjës për plotësimin e këtyre kritereve dhe për ta bërë të mundshme atë që quhet politikë e zgjerimit, është puna e këtyre elitave politike, përkatësisht, institucionale në përmbushjen e këtyre tri kritereve”, tha Mazreku.

Ai shton se Kosova ka ende disa probleme të hapura dhe të pazgjidhura, të cilat përveç se janë kushte që duhet përmbushur për integrimet evropiane, hyjnë edhe në funksion të shtet-ndërtimit të vendit dhe se të dyja këto duhet të sinkronizohen.

“Ajo agjendë për Kosovën është ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore e që në këtë rast, Kosova nuk ka pasur nevojën politike që problemi të jetë kaq i hapur i ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Çështje tjetër mjaft e rëndësishme dhe që kërkohet konsensus nacional, është themelimi i Asociacionit të komunave me shumë serbe. Normalisht, duhet të ketë konsensus nacional edhe për sa i përket dialogut me Serbinë, sepse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shihet nga ana e Bashkimit Evropian si mënyrë apo instrument për zgjidhjen e problemeve të hapura rajonale. Probleme të hapura dhe të pazgjidhura rajonale janë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Mazreku.

Ndërkaq, analisti Muhaxhiri thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kush për integrimet evropiane, ka dy komponentë, atë politike dhe simbolike.

“Me anë të tij synohet që të dëshmohet një lloj largimi nga e kaluara e përgjakshme e Ballkanit dhe një vizion për pajtimin në mes kombeve, të cilat kanë pasur luftëra mes vete. Kjo është edhe ideja, të cilën BE-ja dëshiron ta përçojë përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse BE-ja gjithmonë ka thënë se nuk pranon konflikte brenda vendeve aspiruese për integrimin në BE. Pra, vendet që kanë konflikte ekzistuese duhet t’i zgjidhin ato para se të integrohen në BE”, është shprehur Muhaxhiri.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane, vlerësojnë se Bashkimi Evropian nga Kosova ka kërkuar zhvillimin e kapaciteteve institucionale, që nënkupton stabilitet institucional, në mënyrë që të merret me temat, zgjidhja e të cilave hapë rrugën e integrimeve evropiane. Sipas tyre, ngecja apo suksesi në zbatimin e këtyre politikave, do t’i atribuohej liderishipit politik të vendit.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG