Ndërlidhjet

Juncker: Demarkacioni, çështje kyçe për liberalizim 


Diplomatë të lartë të BE-së vizitojnë Kosovën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:42 0:00

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha sot në Prishtinë se Kosova duhet që t’i përmbushë sa më parë obligimet që ka në mënyrë që të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave.

Ai u bëri thirrje liderëve politikë që ta votojnë Marrëveshjen për demarkacioni me Malin e Zi.

"Është esenciale që Kuvendi të votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Ky është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë”, tha Juncker.

Po ashtu, ai tha se përpjekjet për luftimin e korrupsioni dhe krimit të organizuar duhet të thellohen edhe më shumë.

Këto komente, Juncker i bëri në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Të dy iu drejtuan mediave pas një takimi që delegacioni i lartë i BE-së, pjesë e të cilit ishin Përfaqësuesja e Lartë,për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn. Ata zhvilluan takim me liderët politikë në Kosovë, përkatësisht me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Juncker tha se nuk i vjen mirë që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

"Nuk më kënaq fakti që kosovarë janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë lirshëm", tha ai.

Presidenti i Komisionit Evropian theksoi gjithashtu se dëshiron që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të normalizohen përmes dialogut dhe marrëveshjes.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se prezenca e liderëve evropianë në Kosovë është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së për Kosovën dhe Ballkani Perëndimor.

Presidenti Thaçi tha se Kosova e ka të qartë rrugën e saj drejt BE-së.

"Lidhur me perspektiven tonë evropiane, ne nuk jemi duke kërkuar ndonjë rrugë shkurtër, mirëpo vetëm presim trajtim të barabartë dhe qartësi në rrugën tonë përpara, sepse jam i bindur se kjo do të rezultojë me stabilitet e paqe, si dhe bashkëpunim në gjithë rajoni tonë", tha Thaçi.

Lidhur me dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha se është një proces i vështirë, por rrugë e vetme për t'ju dhënë fund konflikteve.

Thaçi është zotuar para liderëve evropianë se Kosova dhe institucionet e saja nuk do t'i ndalin përpjekjen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pas dite kanë mbajtur edhe një takim me publikun, ku kanë marrë pjesë studentët, gazetarët, politikanët si dhe përfaqësuese nga organizatat joqeveritare.

Shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha në këtë takim se vendet e rajonit do të lëvizin bashkë drejt Bashkimit Evropian ose askush nuk do të shkojë në atë drejtim.

"Dialogu është një prej mënyrave ku zgjidhjet mund të gjinden. Normaliteti mund të arrihet dhe më pas kredibilteti dhe konsistenca (e shteteve) e udhëtimit drejt BE-së do të konsolidohet", tha Mogherini duke shtuar se pa zgjidhjen e problemeve mes shteteve nuk mund të ketë integrim.

Delegacioni i Bashkimit Evropian po zhvillon një seri diplomatike në rajon, nisur nga Tirana, Shkupi, Beogradi, Podgorica dhe tani Prishtina.

Zyrtarët e lartë të BE-së janë duke ua prezantuar vendeve të Ballkanit Perëndimor strategjinë më të re të BE-së për zgjerim, e cila implikon pikërisht këto vende, duke ua përshkruar rrugën deri tek integrimi, e cila kalon përmes përmbushjes së kritereve të domosdoshme evropiane.

Aktualisht, Kosova mbetet e fundit në këtë rrugë, ngase shtet më i ri evropian ende nuk ka arritur të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të mospërmbushjes së kritereve, përderisa vendet tjera të rajonit tashmë e kanë kaluar këtë hap.

XS
SM
MD
LG