Ndërlidhjet

Biden mbështet thirrjet për armëpushim mes Izraelit dhe Gazës


Artileri izraelite.
Artileri izraelite.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se mbështet arritjen e armëpushimit pas tetë ditëve të dhunës në mes të Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Biden i ka thënë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar me Egjiptiin dhe shtetet tjera për të ndalur armiqësitë.

Konflikti tanimë është në javën e tij të dytë, me pak shenja të përfundimit.

Izraeli ka kryer sulme tjera ajrore ndaj Gazas në orët e hershme të së martës. Ushtria e tij ka thënë se dhjetëra raketa janë nisur drejt territorit izraelit gjatë një nate më parë.

Të paktën 212 persona, përfshirë gati 100 gra dhë fëmijë janë vrarë në Gaza sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në Izrael, 10 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë po ashtu, ka thënë shërbimi shëndetësor i këtij shteti.

Të martën, Izraeli ka thënë se të paktën 150 militantë janë në mesin e të vrarëve në Gaza.

Hamasi, grupi militant palestinez që udhëheq këtë territor, nuk ka ofruar të dhëna për viktimat.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë të hënën, Biden “ka inkurajuar Izraelin që të bëjë çdo përpjekje për të siguruar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm”.

“Dy liderët kanë diskutuar përparimin në operacionet ushtarake të Izraelit kundër Hamasit dhe grupeve tjera terroriste në Gaza”, është thënë në deklaratë.

Presidenti Biden “ka shprehur mbështetjen e tij për armëpushim dhe ka diskutuar angazhimin amerikan me Egjiptin dhe partnerë tjerë drejt fundit”, është thënë mes tjerash aty.

Dhuna ka ndikuar në rritje të shqetësimeve në nivel ndërkombëtar.

Liderët botërorë dhe organizatat humanitare kanë bërë thirrje për marrje të masave për parandalim të vdekjeve të banorëve dhe kaosit të krijuar nga shkatërrimi i ndërtesave dhe infrastrukturës.

Shtetet e Bashkuara – një nga aleatet kryesore të Izraelit – ka bllokuar përpjekjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të lëshojë një deklaratë, duke i bërë thirrje Izraelit që të ndalojë ofensivën ushtarake por edhe duke vënë theksin te përpjekjet e tyre diplomatike.

Pesë gjëra që duhet t’i dini për konfliktin e fundit izraelito-palestinez
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:09 0:00

“Kalkulimi ynë në këtë pikë është se diskutimi i këtyre çështjeve me dyer të mbyllura është qasja më konstruktive që mund të marrim”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë takimin e katër urgjent për përshkallëzimin e situatës më vonë gjatë ditës.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim edhe për dëmin e shkaktuar në infrastrukturën në Rripin e Gazës, ku jetojnë dy milionë persona.

Ky institucion ka thënë se 40 shkolla dhe katër spitale janë “shkatërruar plotësisht apo pjesërisht” në ditët e fundit.

Mes tjerash është thënë edhe se furnizimet me naftë janë duke mbaruar në këtë zonë, çka rrezikon shërbimet bazike.

Shefi për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë Mike Ryan, ka thënë se të gjitha sulmet në kujdesin shëndetësor duhet të ndalen menjëherë.

Dhuna është përshkallëzuar pas disa javëve të tensionit izraelito-palestinez në Jerusalemin Lindor, duke kulmuar me përleshje në një zonë të shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë.

Hamasi ka nisur të hedhë raketa, pas paralajmërimeve për Izraelin që të largohet nga kjo zonë, gjë që ka nxitur sulme ajrore nga ushtria izraelite.

XS
SM
MD
LG