Ndërlidhjet

Një vit nga dhuna në Kuvendin e Maqedonisë, akti ende pa epilog gjyqësor


Protestuesit duke hyrë në Kuvendin e Maqedonisë. 27 prill, 2018

Të premten bëhet një vit nga pushtimi i Kuvendit të Maqedonisë nga një grup i protestuesve opozitarë, të cilët kundërshtonin zgjedhjet e kryetarit shqiptar të institucionit ligjvënës. Ithtarët e VMRO-së, që atë kohë drejtohej nga kryeministri Nikolla Gruevski, më 27 prill 2017 jo vetëm që pushtuan Kuvendin, por edhe ushtruan dhunë mbi deputetët e opozitës së atëhershme, Lidhjes Socialdemokrate të kryeministrit të tanishëm, Zoran Zaev.

Kreu i LSDM-së pësoi lëndime të rënda, por më së keqi e pësoi kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili një kohë të gjatë u trajtua në spitale për shkak të lëndimeve të rënda, para se gjithash në kokë. Lëndime pësuan edhe edhe deputetë të tjera, si ministrja aktuale e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska dhe shumë zyrtarë tjerë të lartë të Qeverisë së tanishme.

Zoran Zaev
Zoran Zaev

Ndërhyrja në Kuvend ishte bërë pa ndonjë problem të madh, pasi protestuesit fare nuk ishin penguar nga Policia, e cila për disa orë thuajse nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të mbrojtur deputetët, të cilët ishin në shënjestër nga grupet protestuese, drejtuesit e të cilëve por edhe shumë zyrtarë të tjerë, tani po gjykohen për veprën penale “rrezikim terrorist i sigurisë dhe rendit kushtetues”.

Akuza ndaj tyre është ngritur para një muaji apo pothuajse një vit nga ngjarjet e dhunshme. Procesi parahetues është përcjell me ngecje e pengesa nga më të ndryshmet.

Megjithatë, Prokuroria beson në mbarëvajtjen e tij dhe sigurimin e dëshmive të mjaftueshme për të vërtetuar akuzën e ngritur.

“Hetimi i gjithanshëm ka vërtetuar dhe jam i bindur se në procedurën gjyqësore edhe do të dëshmohet se të akuzuarit kanë vepruar me qëllim e njëjtë duke kryer vepra të koordinuar dhe të ndërlidhura njëra me tjetrën, e që kanë të bëjnë me veprën penale me të cilën ngarkohen”, ka deklaruar prokurori Lubomir Jovevski.

Shkup: Deputetët përgjaken nga protestuesit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Me akuzën për terrorizëm janë ngarkuar 28 persona, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë si ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, pesë deputetë të VMRO-së që kishin ndihmuar në hapjen e dyerve të Kuvendit, si dhe zyrtarët të tjerë dhe drejtues të grupit protestues.

Megjithatë, ekspertët thonë se mozaiku i personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë nuk është ende i plotë, pasi sipas njohësit të çështjeve juridike Aleksandar Tortevski, mungojnë akterët kryesorë, apo ata që kanë urdhëruar dhe orkestruar gjithë aktin e dhunshëm.

“Deri tani nuk kemi dëgjuar për kompletimin e mozaikut. Prokuroria këtë duhet ta bëjë që të dimë se kush qëndron pasa gjithë asaj që ka ndodhur në Kuvend, kush e ka programuar, rolin e secilit prej tyre, kush ka pasur njohuri se do të ndodhë ajo që ndodhi e nuk ka reaguar apo janë ndjerë të lumtur nga ajo që kanë parë. Pra, të gjithë këta duhet të bartin përgjegjësi. Nuk kemi bërë asgjë nëse nuk gjendet regjisori i pushtimit dhe dhunës në Kuvend, më 27 prill”, thotë Tortevski.

Por, një nga ata që ishin në shënjestër të protestuesve, kryeministri, Zoran Zaev beson se e gjithë ngjarja do të ketë epilog gjyqësor dhe se përgjegjësit e këtij akti do të marrin dënimin e merituar.

“Unë jam i bindur se e gjithë kjo ngjarje do të ketë epilog gjyqësor, respektivisht personat që kanë shkelur ligjin do të nxirren para drejtësisë dhe do të përgjigjen për atë që kanë bërë…. Të gjithë jemi dëshmitar të asaj që ka ndodhur, edhe ne, por edhe opinion më i gjerë andaj edhe drejtësia duhet të vendoset ne vend që gjëra të tillë, jo vetëm që të mos ndodhin, por askujt të mos i shkojë mendja të bëjë diçka të tillë. Mua më vjen mirë që pas një viti nga ngjarjet e 27 prillit, Maqedonia dhe të gjithë ne jemi më serioz, më të vëmendshëm, duke besuar në një të ardhme më të mirë”, thotë Zaev.

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, që kishte marr lëndimet më të rënda nga dhuna e protestuesve, në një nga prononcimet e tij, këtë ngjarje pati etiketuar si “atentat” ndaj kërkesave të shqiptarëve.

“Ishte atentat ndaj kërkesave që shqiptarët i kanë këtu në Maqedoni. Ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre nevojave që ne si lëvizje i kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Neve na vranë më 27 prill dhe ne u ringjallëm përsëri më 27 prill, dhe ne do të vazhdojmë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojmë edhe më fuqishëm”, ka deklaruar Sela.

XS
SM
MD
LG