Ndërlidhjet

Trump synon fitore në procesin e denuklearizimit të Gadishullit Korean


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong Un.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe lideri verikorean, Kim Jong Un.

Presidenti amerikan, Donald Trump do të niset drejt takimit të dytë me liderin verikorean, Kim Jong un, teksa pritjet janë të ulëta për denuklearizim të Phenjanit.

Pavarësisht kësaj Trump kërkon të ketë fitore në këtë proces në mënyrë që të përballet me kritikat në shtëpi.

Trump ka qenë forcë shtytëse në samitin e kësaj jave që mbahet në Vietnam, duke synuar rikthimin e vëmendjes ndërkombëtare, që ishte krijuar kur presidenti amerikan kishte takuar liderin verikorean Kim Jong-un, një vit më parë në Singapor.

Flamujt e SHBA-së dhe Koresë së Veriut janë vendosur në Hanoi të Vietnamit, ku dy liderët e këtyre shteteve do të takohen.
Flamujt e SHBA-së dhe Koresë së Veriut janë vendosur në Hanoi të Vietnamit, ku dy liderët e këtyre shteteve do të takohen.

Kohë më parë Trump kishte paralajmëruar se arsenali i Koresë Veriore përbën kërcënim, për të cilin mund të mos ketë zgjidhje tjetër përveçse ta përballë me “zjarr dhe zemërim”.

Megjithatë të dielën ai ka thënë se nuk është duke i bërë presion Phenjanit që të vërtetojë se do të heqë dorë nga armët.

“Nuk dua t’i bëj presion askujt. Vetëm nuk dua testime. Për aq kohë sa nuk ka testime, ne jemi të lumtur”, është shprehur ai, në një takim me guvernatorët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo situatë është konsideruar shqetësuese në kryeqytetet botërore, duke ngritur pikëpyetje se nga çfarë do të jetë në gjendje të heqë dorë Trump, në këmbim të fitores në këto negociata.

“Nëse unë nuk do të isha president, ju tani do të ishit në luftë me Korenë Veriore”, ka thënë Trump javën e kaluar.

“Ne tani jemi në një situatë kur marrëdhëniet janë shumë të mira, nuk ka pasur testime bërthamore, nuk ka pasur raketa”, ka shtuar ai.

Mbijetesa e Kimit

Pavarësisht se çfarë do të bëjnë verikoreanët, mbijetesa e regjimit të Kimit do të jetë gjithmonë shqetësimi kryesor.

Kim ka trashëguar një program bërthamor të pakompletuar nga babai i tij, dhe pas viteve të tëra që është përballur me sanksione të ashpra, ai ka arritur të krijojë arsenal që demonstron kapacitetin potencial për të nisur raketa në tokën amerikane.

Kjo është arsyeja kryesore pse Uashingtoni tani ulet në tavolinën e negociatave me delegacionin e Koresë Veriore.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un

Kim nuk ka treguar gatishmëri për të hequr dorë nga arsenali bërthamor që mund t’i garantojë atij siguri të mbijetesës, më shumë sesa secili premtim i Shteteve të Bashkuara.

Trump do të arrijë në Hanoi të martën me helikopter amerikan, derisa homologu i tij verikorean, në mungesë të flotës moderne ajrore, do të udhëtojë me tren.

Ndonëse detajet e samitit ende mbeten të pazbuluara, të dy liderët pritet të takohen vetëm me përkthyes.

Ulja e tensioneve në mes të dy kombeve, sipas Trumpit dhe aleatëve të tij, është arritur si pasojë e një stili të pazakontë të diplomacisë së tij.

Duke çmuar më shumë raportin personal, në krahasim me interesat strategjike, Trump ka krijuar marrëdhënie të mira me liderin verikorean, duke iu treguar shpesh vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë, letrat plot lajka të nisura nga Kim.

Presidenti Trump mban në duar letrën që i kishte dërguar Kim Jong Un. 26 shtator, 2018.
Presidenti Trump mban në duar letrën që i kishte dërguar Kim Jong Un. 26 shtator, 2018.

Teksa është afruar koha e mbajtjes së samitit të dytë Trump-Kim, rezultati i samitit të parë nuk është parë dukshëm.

“Mësimet kryesore nga Singapori janë se Presidenti Trump vazhdon të fokusohet në imazhin e diplomacisë së tij, dëshiron të konsiderohet lider i guximshëm, pavarësisht pse substanca e diplomacisë është larg përmbajtjes”, ka thënë Abraham Denmark, drejtor i programit për Azinë në Qendrën Ndërkombëtare, Woodroë Wilson.

“Fitorja e Trumpit”

Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë muajin e kaluar para Kongresit se Kim nuk ka gatishmëri për të hequr dorë plotësisht nga arsenali i tij.

Në linjë me këto deklarata kanë qenë edhe zyrtarë të administratës Trump, duke përfshirë Këshilltarin për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili ka treguar dyshime nëse Koreja Veriore do të zbatojë plotësisht ndonjë marrëveshje.

Pas mbajtjes së samitit të fundit, Trump ka pezulluar në mënyrë të njëanshme disa stërvitje ushtarake në Korenë Jugore, duke alarmuar disa zyrtarë në Seul dhe Pentagon.

Megjithatë ai e ka bërë të qartë këtë javë se nuk do të largojë trupat amerikane nga Koreja Jugore. Përveç kësaj, zyrtarët amerikanë kanë vazhduar të insistojnë publikisht se ata nuk do të lehtësojnë sanksionet ndëshkuese për Korenë Veriore, derisa kjo e fundit të përfundojë procesin e plotë të denukealizimit.

Një vit më parë, Koreja Veriore ka hequr dorë nga testimet raketore me rreze të gjatë, dhe ka thënë të ketë shkatërruar një zonë bërthamore, pavarësisht se këto masa nuk janë konsideruar të mjaftueshme.

Ekspertët besojnë se Kim, i cili është duke synuar të krijojë marrëdhënie më të ngrohta me Korenë Jugore, do të tentojë të sigurojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për marrëdhënie të përmirësuara bilaterale, dhe lirim të pjesshëm të sanksioneve.

“Kim është duke vepruar mirë në këtë situatë”, ka thënë Scott Seaman nga Grupi i Euroazisë.

“Kërcënimi për një sulm ushtarak amerikan është zero dhe ofensiva diplomatike e Kimit e ka kthyer atë në lojtar më të madh në skenën botërore, ndonëse ai vazhdon të qëndrojë larg përkushtimit ndërkombëtar ndaj sanksioneve”.

Prandaj ekspertët kanë shprehur shqetësimet e tyre se Trump është duke kërkuar me doemos arritjen e një pakti.

Ata kanë përmendur edhe mundësinë e përfundimit zyrtar të Luftës Koreane, e cila është pezulluar më 1953, pa kërkuar shumë nga lideri verikorean.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG