Ndërlidhjet

Çka pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet në veri?


Në pjesën veriore të urës mbi Lumin Ibër që ndan Mitrovicën, shihen flamujt e Serbisë.

Dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, të cilat, më 5 nëntor, ishin paralajmëruar nga Lista Serbe – parti udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – kanë vazhduar edhe më 7 nëntor.

Të hënën, kanë dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës dhjetë deputetë të Listës Serbe.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se për dorëheqjen e dhjetë deputetëve serbë do t’i ndjekë procedurat e parapara me ligj, duke kërkuar që ata të zëvendësohen me persona nga lista e subjektit të njëjtë.

Çfarë ndodh pas dorëheqjes së deputetëve?

Sipas Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen nga kandidatët e tjerë për deputetë nga radhët e subjekti politik, në këtë rast nga Lista Serbe.

“Nëse edhe ata refuzojnë, procedura përsëritet derisa t’i plotësojmë vendet në Kuvend nga pakica serbe”, tha Konjufca.

Por, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, plotësimi i këtyre vendeve në Kuvend mbetet diskutabil, në qoftë se përfaqësuesit tjerë të Listës Serbe nuk do të merrnin mandatet e deputetëve.

“Në atë situatë do të futeshim në një krizë, në kuptimin kushtetues, sepse nuk është e qartë se me kë mund të zëvendësohen deputetët e tjerë, për shkak se dy partitë tjera të komunitet serb kanë së bashku vetëm tetë kandidatë për deputetë”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë situatë, Cakolli thotë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të parë si mund të procedohet tutje.

Cakolli: Janë dy skenarë

Në bazë të praktikës ndërkombëtare në këtë fushë, Cakolli thotë se janë dy skenarë:

I pari që Kuvendi të shpallet jokushtetues dhe të shpallen zgjedhjet. Por, sipas Cakollit, ky skenar është më pak i mundshëm.

Skenari tjetër, siç thotë ai, është që të lihen vendet e zbrazëta në Kuvend, por, “ky skenar do të ngriste dilemën se a është duke funksionuar Kuvendi sipas dispozitave kushtetuese”.

Për shkak të qëndrimeve të kundërta mes Qeverisë dhe përfaqësuesve të komunitet serb, Cakolli thotë se është vështirë e besueshme që mund të arrihet ndonjë pajtim për tejkalimin e kësaj situate.

“Të gjitha indikacionet tregojnë se Kosova do të futet në cikle tjera krize institucionale në raport me përfaqësimin e komunitet serb, qoftë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, qoftë zëvendësimin e deputetëve apo ministrit”, thotë ai.

*Video: Largimi i serbëve nga institucionet

Sa i përket dorëheqjes së Goran Rakiqit nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Cakolli thotë se kjo është më lehtë e zëvendësueshme.

“Nëse ka të paktën një deputet të partive tjera, Qeveria ka të drejtë ta emërojë edhe atë ministër, pa pasur nevojë të jetë nga Lista Serbe”, thekson ai.

Komunat veriore në zgjedhje të parakohshme?

Katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe (Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani), nga 5 nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjeve të tyre.

Dorëheqjet e tyre, ligjërisht i dërgojnë këto komuna në zgjedhje të parakohshme.

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të veprohet sipas legjislacionit në fuqi.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në rastet kur kryetarët e komunave japin dorëheqje nga posti i tyre”, thotë Kupina.

*Video: Protesta në Mitrovicë të Veriut kundër vendimit për targat

Siç thekson ai, presidentja Osmani ka për obligim të ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave.

Por, sipas tij, deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar në Zyrën e presidentes Osmani.

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërkaq ato nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes.

Por, Cakolli thotë se në rast se serbët në këto komuna nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrës në zgjedhje, Kosova rrezikon të kthehet në periudhën para vitit 2013, kur dalja në zgjedhje lokale në këto komuna ishte jo më shumë se 2 për qind.

“Për pasojë në atë kohë krijoheshin institucione që nuk kishin legjitimitet të mjaftueshëm qytetar”, thotë ai.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion do t'i përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pasi ato të shpallen nga presidentja e Kosovës.

“Këto janë zgjedhje të paplanifikuara, prandaj KQZ-ja nuk ka buxhet. Në raste të tilla, sikurse në të kaluarën, KQZ-ja përgatit kërkesën për Qeverinë e Kosovës me mjetet financiare të planifikuara”, thotë Elezi.

Dorëheqje e kryetarëve të komunave – rasti i vitit 2018

Dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës kishte ndodhur edhe në nëntorin e vitit 2018.

Atëbotë, katër kryetarët e këtyre komunave patën dhënë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për importet nga Serbia.

Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pati shpallë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovë.

Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën më 19 maj 2019.

Dorëheqjet nga gjykata dhe prokuroria “rrezikojnë afatet ligjore”

Gjyqtarë e prokurorë serbë, por edhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut, po ashtu kanë dhënë dorëheqje të hënën, më 7 nëntor.

Në gjykatën e këtij qyteti ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë. Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liliana Stevanoviq, tha se rreth 150 serbë janë larguar nga gjykata.

Po ashtu edhe punonjësit e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të hënën pasdite kanë paraqitur dorëheqjet e tyre.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Kjo prokurori ka 19 prokurorë dhe 65 punëtorë staf mbështetës. Nga ta ishin dhjetë prokurorë serbë dhe 22 punonjës administrativë e staf mbështetës.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thonë se veprimet e dorëheqjes së gjyqtarëve dhe prokurorët do të rëndojnë edhe më tej gjendjen edhe ashtu të rënduar në gjyqësorin kosovar.

“Kjo situatë e krijuar rrezikon edhe arritjen e afateve të caktuara ligjore, pas së cilave ka pasoja të parikuperueshme në raste të ndryshme gjyqësore”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga IKD-ja, dërguar REL-it.

Sipas IKD-së, me dorëheqjet e gjykatësve dhe prokurove përfundon ligjërisht mandati i tyre, siç parashihet me Ligjin për gjykatat.

Për të krijuar efekte juridike, dorëheqja e një gjyqtari, fillimisht duhet të miratohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Më pas, Këshilli e dërgon vendimin te Presidenca e Kosovës, për lirim të gjyqtarit nga puna. Presidentja, brenda 30 ditësh duhet të nxjerrë dekretin për lirimin e gjyqtarit nga detyra.

E njëjta procedurë vlen edhe për dorëheqjet e prokurorëve në sistemin prokurorial të Kosovës.

Dorëheqja e 578 zyrtarëve policorë

Po ashtu, të hënën pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb në veri të vendit kanë vazhduar dorëzimin e armëve dhe pajisjeve në stacionet policore.

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, më 7 nëntor, deklaroi se dorëheqjen e kanë dorëzuar 578 zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës.

Sipas tij, dorëheqje kanë dhënë 461 policë të rendit publik, 107 policë kufitarë dhe dhjetë hetues policorë.

Ministri Sveçla tha se situata e sigurisë në vend, përfshirë edhe katër komunat veriore, është e qetë dhe se autoritetet e sigurisë së Kosovës janë duke punuar atje me kapacitetet e nevojshme.

“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me EULEX-in [misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian] dhe KFOR-in [misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë], që të sigurohemi që të parandalojmë çfarëdo përshkallëzimi të situatës dhe që siguria e qytetarëve, pa asnjë dallim, të jetë e garantuar”, tha Sveçla.

Ai shtoi se kompensimi i numrit të policëve në komunat veriore të Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje, do të jetë çështje e vlerësimeve operacionale të vetë Policisë së Kosovës.

“Se si do të vijohet më tutje për plotësimin e kapaciteteve që i kemi humbur, kjo është çështje e rregullores së brendshme të policisë. Unë besoj që ata, sa më shpejt që është e mundshme, do t'i shpallin konkurset e nevojshme që të kemi pjesëtarë shtesë”, tha Sveçla.

KFOR-i thotë se po e monitoron situatën në terren konform mandatit të tij, dhe se komandanti i kësaj force është në kontakt të ngushtë me të gjitha autoritetet.

“Është thelbësore që të gjitha palët të vazhdojnë dialogun me njëra-tjetrën për hir të sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, tha se ajo “ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri”.

“...tani pas dorëheqjeve, në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, [Policia e Kosovës] do të rrisë gradualisht kapacitetet e saj policore me zyrtarë të rendit publik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ibishi: Mund të ketë reagim ndaj prezencës policore në veri

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Policia e Kosovës ka kapacitete për t’i dërguar në katër komunat e veriut për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe në këtë mënyrë të zëvendësojë policët që kanë dhënë dorëheqje.

“Gjithsesi, aty për ndihmë është edhe KFOR-i, i cili në këtë fazë preliminare, ka marrë përsipër kthimin [e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës] në stacionet policore, si dhe detyrat e patrullimit të kufirit. Edhe EULEX-i ka disa detyra specifike. Por, gjithsesi, Policia e Kosovës e ka pjesën më esenciale dhe qenësore sa i përket rendit dhe qetësisë publike, sigurisë së jetës dhe mirëqenies, përgjithësisht në këtë pjesë të territorit të Kosovës”, thotë Ibishi.

Megjithatë, ai shton se dërgimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri, për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga dorëheqjet e pjesëtarëve nga radhët e komunitetit serb, do të mund të nxisë pakënaqësi në opinionin e atjeshëm, si dhe reagime nga strukturat ilegale.

“Do të ketë reagim edhe ndaj prezencës së zyrtarëve policorë jo-serbë, ndonëse nuk mund të them se të gjithë ata kanë dhënë dorëheqje. Duhet pritur edhe përshkallëzimin e reagimit ndaj prezencës së zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, pa marrë parasysh se cilit etnitet i përkasin”, vlerëson Ibishi.

Pjesëtarët e komunitetit serb, që jetojnë në anën jugore të Lumit Ibër, marrin pjesë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës qysh pas luftës më 1999. Serbët e veriut u bënë pjesë e tyre më 2014, pasi Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve më 2013. Kjo marrëveshje i integroi ata në nivelin lokal dhe qendror të pushtetit, si dhe në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.

Kontribuuan: Luljeta Krasniqi-Veseli & Arton Konushevci
XS
SM
MD
LG