Ndërlidhjet

Dy e treta e vajzave afgane nuk shkollohen

  • RFE /RL

Nxënëset në një shkollë në Kabul

Përpjekjet e Kabulit dhe të donatorëve ndërkombëtarë për të shkolluar vajzat në Afganistan kanë dështuar në vitet e fundit, thotë organizata Human Rights Watch (HRW).

Gjashtëmbëdhjetë vjet pas ndërhyrjes së SHBA-së në Afganistan, e cila rrëzoi talibanët nga pushteti, dy e treta e vajzave afgane nuk e ndjekin shkollimin, thuhet në raportin e publikuar sot.

Raporti prej 132 faqesh thotë se përpjekjet për shkollimin e vajzave janë penguar për shkak të përkeqësimit të sigurisë dhe tërheqjes së donatorëve ndërkombëtarë.

Raporti i titulluar “Unë nuk do të jem mjeke dhe një ditë do të sëmurem: Qasja e vajzave në shkollimin në Afagnistan” bazohet në 249 intervista me vajza të moshës midis 11 dhe 18 vjeçe nga katër provinca.

Më shumë vajza afgane ndjekin shkollimin sot sesa në kohën e talibanëve, por Qeveria e Afganistanit, e mbështetur nga Perëndimi, është larg arritjes së qëllimit për shkollimin e të gjithave, thuhet në raport.

Sipas Qeverisë, 3.5 milionë fëmijë nuk shkojnë në shkollë dhe 85 për qind e tyre janë vajza. Vetëm 37 për qind e vajzave adoleshente dinë shkrim dhe lexim, krahasuar me 66 për qind të djemve adoleshentë.

HRW thotë se pengesat me të cilat përballen vajzat në Afganistan janë të shumta.

Sipas organizatës, Kabuli siguron më pak shkolla për vajzat sesa për djemtë, si në nivelin fillor, ashtu edhe atë të mesëm.

Më pak se 20 për qind e mësimdhënësve janë gra, në më shumë se gjysmën e provincave të Afganistanit, çfarë, sipas HRW-së, krijon barrierë për shumë vajza, të cilat nuk i lejojnë familjet të edukohen nga meshkujt.

Shumë vajza detyrohen të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të “qëndrimeve diskriminuese që nuk e vlerësojnë ose lejojnë shkollimin e tyre”, thekson HRW.

Po sipas kësaj organizate, një e treta e vajzave në Afganistan martohen para moshës 18-vjeçare dhe kjo i detyron shumë të braktisin shkollën.

HRW po ashtu vlerëson se, pavarësisht pengesave, shumë familje afgane po bëjnë gjithçka të mundur për t’i shkolluar vajzat e tyre.

Organizata ka intervistuar familje që janë zhvendosur në qytet ose vend tjetër për të gjetur shkolla për vajzat e tyre. Po ashtu ka raste kur vëllezërit e mëdhenj shkojnë në Iran, për të punuar ilegalisht, vetëm për të paguar shkollimin e motrave të tyre.

Rreth një e katërta e fëmijëve afganë punojnë për të ndihmuar familjet e tyre. Shumë vajza thurin, qepin, kërkojnë lëmoshë ose hedhin mbeturina në vend se të ndjekin mësimet.

Talibanët dhe kryengritësit e tjerë kontrollojnë tani mbi 40 për qind të qarqeve në Afganistan. Luftimet midis talibanëve dhe forcave qeveritare kanë zhvendosur mijëra familje prej shtëpive të tyre.

Në zonat që i kontrollojnë, talibanët shpesh i kufizojnë vajzat vetëm në pak vite shkollim ose i ndalojnë ato fare.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG