Ndërlidhjet

Graçanicë: Mbi dhjetë ditë me simptoma, pacienti nuk testohet për koronavirus 


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Një burrë, mbi 60 vjeç, tash e 12 ditë është duke pritur që të bëjë testin për koronavirus në Qendrën e Klinikës Spitalore në Graçanicë, ndonëse gjatë gjithë kohës ka temperaturë të ngritur dhe fotografi që tregon se ka ndezje të mushkërive. Graçanica është komunë në afërsi të Prishtinës, e banuar me shumicë serbe, në të cilën Qendra Spitalore funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Lidhur me rastin, për Radion Evropa e Lirë ka dëshmuar vajza e personit të moshuar, identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë, por e cila dëshiron të mbetet anonime për shkak të, siç ka thënë, frikës se babai i saj nuk do të ketë më mundësi të marrë kujdes mjekësor.

Ajo thekson se u janë drejtuar të gjitha institucioneve kompetente që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nisur nga Shtëpia e Shëndetit e deri te Klinika Infektive, por që mjekët u kanë thënë që nuk ka nevojë që babait të saj t’i merret mostra, sepse pacienti “nuk është në gjendje aq të keqe”.

“Ka pasur temperaturë dhe pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, kemi vendosur që të kërkojmë ndihmë në Shtëpinë e Shëndetit në Graçanicë, prej nga na kanë udhëzuar në ambulantën për COVID-19 në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit. Shkuam aty dhe pasi shikuan analizat laboratorike, na thanë se babai im nuk ka simptome të koronavirusit”, ka treguar vajza e pacientit të moshuar, duke theksuar që në atë moment, analiza laboratorike CRP, e cila tregon për infeksion në organizëm, te babai i saj ishte mbi vlerat normale.

“Mjekimi me vitamina”

“Na thanë që pa asnjë dert të kthehemi në shtëpi dhe ta mjekojmë me vitamina. Por, çdo ditë që pasonte, atij i përkeqësohej gjendja”, tregon vajza e pacientit.

“Me vetiniciativë, në një klinikë private ia kemi bërë fotografimin e mushkërive, e cila tregonte se ka pneumoni (ndezje të mushkërive). Me atë fotografi jemi kthyer në Llapnasellë (afër Graçanicës), ku është kontejneri i trefishtë. Mjekët na pranuan, por refuzuan që t’ia bëjnë testin. Ishim të pashpresë, por u kthyem në shtëpi dhe e kuruam ashtu siç kemi ditur dhe mundur, por atij gjendja sërish iu komplikua. Refuzuan që ta pranonin në spital, sepse thanë që nuk është në gjendje shumë të keqe, pavarësisht që i duhej të merrte injeksione, të cilat nuk merren në kushte shtëpie”, shpjegoi vajza e pacientit.

Ajo shtoi që mjekët, për çdo ditë u kanë thënë që do të marrin mostrën e babait të saj për testim, ndërkaq që të hënën, më 27 korrik, u kanë thënë se u është ndaluar që t’i dërgojnë mostrat në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, të cilat më pas dërgohen në Kralevë të Serbisë, sepse “laboratori në Kralevë është i stërngarkuar” dhe se më nuk i pranon mostrat nga Kosova.

Ajo tash po planifikon që babanë e saj ta dërgojë për testim në Prishtinë, ku analiza e mostrave bëhet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, që funksionon në kuadër të sistemit të Kosovës.

Graçanica ka rreth 20 mijë banorë, ndërkaq numri i përgjithshëm i rasteve pozitive me koronavirus, aktualisht është 57.

Demanti nga Mitrovica e Veriut

Në anën tjetër, specialisti për epidemiologji në Entin për Shëndetin Publik në Mitrovicën e Veriut, që funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë, doktor Aleksandar Antonijeviq i hedh poshtë pohimet se kanë urdhëruar ndalesën për marrjen e mostrave të pacientëve me simptoma.

Ai thotë Radion Evropa e Lirë se Graçanica mund të dërgojë dhjetë mostra në ditë, gjë që, sipas tij, “është krejtësisht e mjaftueshme”.

“Graçanica dhe ato vendet rreth saj, të cilat i mbulon, i ka nga dhjetë mostra në nivel ditor dhe kjo është 70 të tilla brenda një jave. Kjo është krejtësisht e mjaftueshme për atë territor dhe për atë numër të banorëve”, thekson Antonijeviq.

Ai ka sqaruar që mostrat që merren nga mjediset me shumicë serbe në Kosovë, sërish dërgohen në laboratorin “Syri i zjarrtë” në Qendrën Klinike të Serbisë në Beograd. Në periudhën e kaluar, mostrat për testim i janë dërguar laboratorit të Institutit të veterinarisë në Kralevë dhe në Institutin për virusologji, vaksina dhe serume “Torolak” në Beograd.

Testime me kushte të plotësuara

Antonijeviq thekson se testohen vetëm pacientët që përmbushin kushtet në bazë të analizave klinike dhe laboratorike, dhe me fotografim të mushkërive.

“Tash është një strategji tjetër. Tash nuk i zbulojmë pacientët në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e pandemisë COVID-19, por qëllim është që të ruajmë jetët e njerëzve dhe të testohen ata me pasqyrë të lehtë klinike, të cilët përcillen përmes shtëpive të shëndetit. Ata e bëjnë pasqyrën e gjakut, fotografimin e mushkërive dhe ata pacientë me pasqyrë klinike të lehtë përcillen përmes shtëpive të shëndetit. Të gjithë ata që kanë gjetje në mushkëri dhe që gjetjet laboratorike tregojnë se bëhet fjalë për infeksion viral, pacientët e tillë testohen. Ata i kemi më të rëndësishëm”, theksoi Antonijeviq.

Nga zyrtarët kompetentë në Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë dhe në Llapnasellë, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë ndonjë koment lidhur me gjendjen në këtë institucion shëndetësor dhe për procedurat e testimit të pacientëve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Por, infektologu i Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë, Boban Stoliq, në një konferencë për gazetarë, më 24 korrik, ka thënë që ka teste të mjaftueshme dhe se marrja e mostrave nuk është e kufizuar me numra. Ai gjithashtu ka theksuar që në Qendrën Klinike Spitalore ka mjaftueshëm kapacitete për mjekimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19 dhe sa janë angazhuar mjekë të profileve të ndryshme. Në repartin e Klinikës infektive të Qendrës Klinike janë të hospitalizuar 20 pacientë.

Ndërkaq, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Graçnicë, Mirjana Dimitrijeviq, thotë që pacientët me simptome të buta dërgohen në mjekim shtëpiak sepse pacientët e tillë nuk hospitalizohen.

“Sa i përket Shtëpisë së Shëndetit, ne e kemi ambulantën për COVID-19, që punon 24 orë në ditë dhe aty pacientët mund të lajmërohen me çfarëdo simptomash, pavarësisht se a kanë temperaturë, plogështi ose simptome të tjera që tregojnë për infeksion viral”, thekson Dimitrijeviq.

Ministri Jevtiq: Turp në rast se nuk lajmëroheni te mjeku

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, i cili është nga radhët e Listës Serbe, më 27 korrik ka shkruar në Twitter se “nuk është turp të jesh i infektuar me koronavirus, por është turp dhe papërgjegjësi e madhe në qoftë se dikush ndjen simptoma dhe këto nuk i paraqet te mjeku me kohë”.

Por, nga zyra e këtij ministri kanë refuzuar të komentojnë lidhur me vështirësitë e qytetarëve rreth testimit për koronavirus.

Në të njëjtën kohë edhe kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, po ashtu nga Lista Serbe, ka apeluar te banorët lokalë që në rast se u paraqiten simptomat e para të koronavirusit, t’i lajmërohen menjëherë ambulantave më të afërta për COVID-19, në mënyrë që të parandalohet përhapja eventuale e infeksionit.

“Apeloj te të gjithë vendasit e Graçanicës dhe vendeve përreth, që në rast se ju paraqiten simptomat e para të infeksionit, të lajmërohen në shtëpitë e shëndetit dhe në spitale. Kjo nuk është turp. Ka plot që presin që temperatura t’u kalojë dhe mendojnë se nuk janë të rrezikuar. Duke shkuar për vizitë te mjeku, ju e shpëtoni veten, bashkëqytetarët e juaj dhe familjen tuaj”, ka thënë Popoviq më 27 korrik.

Në Kosovë, deri më 29 korrik, të infektuar me koronavirus janë evidentuar 7,846 persona. Kanë vdekur 196. Në 24 orët e fundit, prej 449 personave të testuar, kanë rezultuar pozitivë 194 persona, ndërkaq katër pacientë kanë vdekur.

Në mjedise me shumicë serbe në Kosovë, deri të hënën janë testuar 3,196 persona. Kanë rezultuar gjithsej 691 të infektuar me koronavirus, prej të cilëve 560 në veriun e Kosovës dhe 20 persona kanë vdekur. Numri i të sëmurëve është rritur në veçanti në javët e fundit.

Ndërkaq, të mërkurën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), raportoi për një rast të ri me koronavirus në Zubin Potok.

Në raportet zyrtare të IKSHPK-së, ku publikohet numri i të sëmurëve, të shëruarve dhe të vdekurve nga koronavirusi, nuk janë të përshirë për çdo ditë edhe të dhënat nga mjediset serbe.

Këto të dhëna, në baza ditore barten në një bazë të dhënash të vetme në nivelin përgjithshëm të Serbisë.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG