Ndërlidhjet

Thaçi rikonfirmon, mbetet pranë idesë për korrigjim të kufirit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Disa ditë para takimit të radhës me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar krerët institucionalë të Kosovës.

Në zyrën e tij, kanë qenë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe tre zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi. Aty u diskutua për dialogun, derisa mungonin përfaqësuesit e opozitës.

Presidenti Thaçi ka vazhduar të mbështesë idenë e proklamuar që marrëveshja paqësore me Serbinë të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit. Ai ka deklaruar se marrëveshja nuk do të përfshijë “ndarje dhe as shkëmbim të territorit me Serbinë”, por sipas tij, mund të bëhet një korrigjim duke përfshirë brenda territorit të Kosovës komunat Preshevë, Bujanoc e Medvexhë.

“Asnjë marrëveshje nuk do të ndodhë nga ana e Kosovës pa pëlqimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kushdo që del kundër, e kanë gabim”, tha Thaçi.

Deklaratë e presidentit Thaçi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:12 0:00

Këto komente, ai i bëri pas marshit të organizuar në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur dhe dy takimeve që kishte zhvilluar me liderët politik vendorë si dhe një telefonate që kishte zhvilluar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, Wess Mitchell.

Çdo marrëveshje eventuale me Serbinë, nënvizoi Thaçi do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Paraprakisht, pas takimit të liderëve politikë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se në dialogun me Serbinë nuk mund të bisedohet për territorin dhe kufijtë e Kosovës dhe një gjë të tillë, kreu i Qeverisë tha se ia kanë bërë të qartë edhe presidentit Thaçi.

“Kishim një konsultë mes institucioneve, ishte presidenti, ishte kryeparlamentari, ishin zëvendëskryeministrat Limaj dhe Gashi. Në përgjithësi, konsulta ishte rreth dialogut, proceseve në dialog. Nuk kemi biseduar për mënyrën e shkuarjes, kryesisht për parimet e dialogut, pra që dialogu është i nevojshëm, është i rëndësishëm, njohja reciproke është e nevojshme. Procesi i dialogut nuk nënkupton diskutim të territorit, as të kufijve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Sipas tij, edhe presidenti Hashim Thaçi është shprehur kundër ndarjes së Kosovës dhe diskutimit të integritetit territorial të Kosovës në bisedimet në Bruksel.

Haradinaj tha po ashtu se roli i opozitës në procesin e dialogut është shumë i rëndësishëm.

“Presidenti shprehu pozicionin e tij se respekton jo vetëm territorin, integritetin, sovranitetin e vendit, por vetëm i ushtron funksionet e veta në bazë të Kushtetutës dhe nuk pranon të diskutohet territori i vendit. Ajo që mendoj që është shumë me rëndësi është që të kemi qëndrim të qartë institucional se territori, kufijtë nuk diskutohen, nuk janë çështje për diskutim në kuadër të dialogut. Pastaj, është shumë me rëndësi që opozita, të gjithë të jenë pjesë e dialogut”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkohë presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka biseduar përmes telefonit me ndihmës-sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

Në këtë postim, presidenti Hashim Thaçi ka shprehur qartë nevojën e përfshirjes së SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke thëne se kjo “është një garanci për suksesin e plotë dhe arritjen e një marrëveshjeje historike”.

“Ne u pajtuam që t’i intensifikojmë përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje, e cila i hap rrugë njohjes reciproke dhe perspektivës së qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO, BE, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ndihmës-sekretari Mitchell u zotua se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së në këtë proces”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Takimi i radhës në Bruksel, mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq është paraparë të zhvillohet më 7 shtator, në kuadër të dialogut mes dy shteteve që ndërmjetësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Bazuar në deklaratat e dy presidentëve në Forumin Evropian të mbajtur në Alpbach të Austrisë gjatë fundjavës, korrigjimi i kufirit do të jetë pjesa kryesore e marrëveshjes që Thaçi e Vuçiq synojnë të arrijnë.

Mirëpo, partitë opozitare në Kosovë, janë duke tentuar që të ndalojnë presidentin Thaçi që të takohet sërish me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e përkrahur edhe nga partitë tjera opozitare, kanë paralajmëruar seancë të jashtëzakonshme më 4 shtator, tri ditë para takimit të dy presidentëve.

Në këtë seancë, ata kanë paralajmëruar se do të nxjerrin një rezolutë, përmes së cilës do të mund ta ndalojnë presidentin Hashim Thaçi që të vazhdojë dialogun me Vuçiqin.

Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është quajtur absurde nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli. Derisa partnerët e PDK-së në koalicionin qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, e kanë mbështetur këtë kërkesë të opozitës për seancë të jashtëzakonshme.

XS
SM
MD
LG