Ndërlidhjet

Thaçi e Kurti nuk bëhen bashkë për dialogun


Thaçi: Nuk kemi kohë për të humbur
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:35 0:00

Dy protagonistët kryesorë nga Kosova në dialogun me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti, nuk janë takuar as të hënën, përkundër ftesës që Thaçi i kishte dërguar Kurtit dhe të gjithë liderëve të partive politike për takime të ndara.

Qëllimi i këtyre takimeve, sipas Thaçit, ishte arritja e unifikimit të qëndrimeve politike sa i përket informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror, me theks të veçantë unifikimit të pozicionit të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti, janë dhënë arsyet se pse ai nuk ka shkruar në takim te presidenti.

Arsyeja e parë, sipas kabinetit të Kurtit është se kryeministri ka marrë pjesë në seancën e veçantë të kuvendit, ku deputetëve u është drejtuar e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman.

“Është dashur të vijë edhe presidenti e të dëgjojë atë në kuvend. Jo të organizojë takime të ndara për të përçarë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit.

“Së dyti, presidenti sot e paska lënë t'i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj presidentin aktual. Si kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë", thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kurtit.

Disa ide rreth arritjes së konsensusit të brendshëm politik

Takimet e tilla presidenti i kishte paralajmëruar pas kthimi të tij nga vizita që zhvilloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell, kishte zhvilluar një takim në Uashington me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas atij takimi, Thaçi kishte deklaruar se Kosova duhet ta shfrytëzoj këtë rast, kur SHBA-ja ka një interesim të shtuar që të arrihet marrëveshja paqësore me Serbinë.

Për dallim nga kryeministri Kurti, liderët e partive politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Thaçi.

Fillimisht presidenti Thaçi ka pritur në takime të ndara kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe më pas edhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Presidenti, takimeti ka cilësuar si të shkëlqara dhe të rëndësishme. Ai në një konferencë për media tha se është pajtuar me liderët për të unifikuar qëndrimet në çështjet e rëndësishme nacionale.

Thaçi tha se qëndrimi i unifikuar ndërmjet opozitës dhe pozitës është thelbësor në çështjet me interes kombëtar.

"Shteti ynë, qytetarët tanë, nuk kanë kohë për të humbur me teket dhe ‘hujet’ e askujt. Ku ka qenë uniteti dhe bashkimi, kam qenë gjithmonë edhe vet dhe kemi pasur sukses të plotë, prandaj merreni dhe bëjeni një krahasim kush ka munguar në sukseset dhe unitetet e Kosovës dhe pastaj e gjeni adresën e të munguarit në sukses dhe në unitet", tha Thaçi.

Ai tha se Kosova tani ka nevojë për unitet politik e institucional.

"Kur kemi qenë të bashkuar kemi pasur suksese e besoj se do të kemi sukses edhe tash. Askush i vetmuar nuk do të mund të realizojë objektivat qytetare, kushtetuese e ligjore dhe t’i hapë perspektivë vendit edhe perspektivë zhvillimore, e në të njëjtën kohë edhe euroatlantike", tha Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha pas takimit me Thaçin se kanë diskutuar për takimet që presidenti ka zhvilluar në SHBA.

"Suksesi i një procesi për një marrëveshje finale varet nga temat që trajtohen. Në rast se trajtohet territori i Kosovës ose korrigjimi i kufijve, ky proces ka dështuar para se të niset. Pra, do të jetë i dështuar. Në rast se respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe Kushtetuat e vendit, atëherë ka shanse", tha Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar që të mbahet një konferencë dyditore me partitë politike, me synimin që të arrihet unifikim i qëndrimeve. Një ide si kjo nuk është mirëpritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo pjesë e koalicionit aktual qeverisës.

Thaçi ka takuar edhe liderët e partive te tjera politike parlamentare dhe ato te komuniteteve joshumicë.

"Kemi besim të plotë se marrëveshja eventuale paqësore Kosovë - Serbi që do të përfundonte me njohje reciproke do të forconte edhe karakterin multi-etnik të Kosovës", u shpreh Thaçi.

Vela: Thaçi dëshiron të marrë rolin e akterit kryesor në dialog

Analisti politik, Blerim Vela, tha për Radion Evropa e Lirë, se iniciativa e presidentit Thaçi, me takimet si këto të sotshmet, ka të bëjë më shumë me themelimin e rolit e tij si udhëheqës në procesin negociator me Serbinë. Sipas tij, këto takime në Presidencë do të duhej të ishin takime pune, por nga ajo që është prezantuar, thekson Vela, nuk kishte diçka konkretet sa i takon procesit të dialogut.

"Duket se presidenti Thaçi dëshiron të përçojë mesazh edhe te akterët ndërkombëtarë se ai është akteri kryesor i brendshëm politik, i cili mund të përçojë zërin e Kosovës në çështjen e negociatave me Serbinë", tha Vela.

Vela thekson se në pamjen e parë nga takimet e zhvilluara, krijohet përshtypja se presidenti Thaçi do ta ketë një avantazh karshi qeverisë së re. Por, sipas tij, qeveria mund të marrë hapa të tjerë që ta konfirmojë pozicionin e saj unik dhe pastaj përmes kuvendit mund të përcaktojë vijat e kuqe të Kosovës në dialogun me Serbinë.

"Kjo pak a shumë shkon në kundërshtim edhe me frymën e Kushtetutës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë vërtetuar se qeveria e ka rolin e vet në përcaktimin e përmbajtjes së politikës së jashtme dhe ka pasur nisma edhe nga kryeministri Kurti për t'i mbledhur liderët politikë, po ka pasur një hezitim nga ana e tyre që menjëherë të takohen me të dhe kjo e ka vënë në një pozitë më të sikletshme kryeministrin karshi liderëve të tjerë politikë, pasi që të gjithë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Thaçi", tha Vela.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi javën e kaluar në një konferencë për media ka folur për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të presidentit Donald Trump për dialogun, ambasadorit Richard Grenell. Thaçi ka thënë se takimi në Uashington paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka kërkuar edhe nga Kryesia dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që të thirret një seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me takimin e tij me presidentin Vuçiq, në Uashington.

XS
SM
MD
LG