Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Hetime intensive për rastin Ivanoviq


Fotografia e Oliver Ivanoviqit, e vendosur në selinë e partisë "Liria, Demokracia dhe Drejtësia" në Mitrovicën e Veriut. 16 janar, 2018

Policia e Kosovës thotë se hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, po zhvillohen me një intensitet të plotë nga ana e grupit punues hetues, që vepron nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Shtetit.

Oliver Ivanoviq, është qëlluar për vdekje më 16 janar para selisë së partisë se tij, në Mitrovicën Veriore. Ai ishte udhëheqës inismës qytetare serbe, "Liria, Demokracia dhe Drejtësia".

Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se deri në këtë fazë të hetimeve ende nuk ka ndonjë person të dyshuar për rastin në fjalë, por që hetimet, sipas tij, janë duke u zhvilluar me një intensitet të shtuar nga autoritetet kompetente.

“Flas për një dinamikë të punës së pandërprerë, analizimit të fakteve dhe dëshmive që kanë mbledhur, marrjes së deklaratave të dëshmitarëve dhe përpunimit të të gjitha këtyre provave. Përndryshe, ndonjë emër të përveçëm nuk kemi”, tha Hoti.

Autoritetet në Beograd, i kanë drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës për shkëmbim të informatave në lidhje me këtë rast. Por, sipas policisë, si informatat nga autoritetet vendore ashtu edhe ato nga jashtë, ende janë në fazën e shqyrtimit, por ende nuk ka një pistë të dyshimit.

“Nuk kemi informacione të cilat në këtë fazë mund të bëhen publike për opinionin publik”, tha Hoti.

Ndryshe, në pjesën veriore të Kosovës ditën e vrasjes se Ivanoviqit, është gjetur dhe një veturë e djegur, e cila sipas ekzaminimeve, e ka origjinën nga Serbia. Megjithatë, ende nuk është dëshmuar nëse kjo veturë ka lidhje direkte me rastin, përkatësisht me vrasjen e Ivanoviqit, por është një prej pistave të hetimeve.

Vetura e djegur në Mitrovicë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Ndërkohë, ekspertë të çështjeve të sigurisë në Kosovë e konsiderojnë mision të vështirë zbardhjen e hetimeve apo identifikimin e autorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku dyshon se mund të ketë bashkëpunimin të mirëfilltë mes organeve hetimore të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

“Hetimet janë duke u zhvilluar, por nuk besoj se do të gjendet dorasi dhe pistat e motiveve që çuan deri tek vrasja e Oliver Ivanoviqit. Mendoj se nuk do të këtë bashkëpunim të sinqertë në mes organeve hetimore të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Unë jam i bindur se kjo është një vrasje politike”, tha Maloku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, vrasja e Ivanoviqit është dënuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Fillimisht ishin ngritur dilema të shumta edhe për efekte dhe përshkallëzim të situatës së sigurisë, por sipas autoriteteve qeveritare në vend, këto paralajmërime nuk ishin reale.

Edhe analisti Naim Maloku konsideron se situata e sigurisë në nivel vendi është e qetë dhe se vrasja e Ivanoviqit, nuk mund të prodhojë ndonjë incident apo tension të mundshëm.

“Situata është ashtu siç ka qenë para këtij atentati. Mendoj që gjendja në veri ka mbetur ashtu siç ka qenë me ato probleme me të cilat ballafaqohet Kosova në atë pjesë, dhe mendoj se nuk do të këtë ndonjë reflektim të pasigurisë në vend”, thekson Maloku.

Pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, gjatë fundjavës, disa komuna dhe mjedise të banuara me shumicë serbe në Kosovë, i vizitoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG