Ndërlidhjet

Hetimet e vonuara të Gjykatës Speciale për krime të luftës


Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale për krime në Kosovë

Tash e më shumë se një vit, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, kanë qenë të gatshme për ngritjen e padive të para. Por, pavarësisht se ende nuk është ngritur ndonjë padi, zyrtarët e Gjykatës Speciale thonë se puna, në përputhje me mandatin e këtyre institucioneve gjyqësore të Kosovës, është duke vazhduar.

Kryeprokurori i sapozgjedhur, Jack Smith, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vizita e tij e parë në Kosovë, javën e kaluar, ka qenë “mjaft e dobishme”.

“Prokuroria e Specializuar është e fokusuar në vazhdimin e hetimit dhe zbatimin e mandatit të vet”, ka thënë Smith.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, ai është takuar me ministrin e Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës, Abelard Tahiri, si dhe me përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që gjoja se krimet i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000.

Menjëherë pas raportit të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, Bashkimi Evropian e kishte themeluar Ekipin hetues special, me në krye prokurorin amerikan, Clint Wiliamson, për zbatimin e hetimit të pavarur për ato pretendime.

Në hetimin e krimeve të pretenduara aktualisht është duke punuar prokurori i tretë me radhë.

Prokurori i parë, Wiliamson, i cili ishte në krye të Ekipit hetues special, në vitin 2014 pati deklaruar se ka arritur të sigurojë dëshmi që janë të mjaftueshme për ngritjen e padisë. Më pas, bazuar në ndryshimet ligjore në Kosovë, në Hagë ishin formuar dhomat në secilin nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës dhe po ashtu edhe prokuroria. Që nga viti 2014, hetimin e pretendimeve për krimet i kishte vazhduar prokurori i ri, David Schwendiman. Këtë mandat ai nuk e vazhdoi deri në vitin 2020, siç ishte paraparë. Në mars të vitit 2018, ai kishte braktisur këtë post, pas skadimit të mandatit në shërbimin diplomatik amerikan. Në vend të tij, vjen prokurori tjetër amerikan, Jack Smith.

Institucioni i Gjykatës Speciale është plotësisht funksional që nga viti i kaluar, por lidhur me krimet e pretenduara, ende askush nuk ka dalë para gjyqit.

Njohësit e çështjeve juridike kushtetuese në Kosovë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se është shqetësuese, e paarsyeshme dhe e papërgjegjshme që procesi të vonohet, marrë parasysh presionin e madh, të cilin bashkësia ndërkombëtare e kishte bërë mbi Kosovën për formimin e Gjykatës Speciale.

Mazllum Baraliu, profesori i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë që është e pakuptueshëm që në momentin që janë krijuar kushtet që Gjykata Speciale të veprojë, kjo nuk po ndodh.

“Kanë kaluar vite, ligji është miratuar, por puna nuk ka filluar. Thënë shkurt, është e papranueshme dhe e paarsyetueshme kjo sjellje burokratike ndaj popullit të Kosovës, por edhe ndaj atyre që eventualisht janë cak i kësaj gjykate. Nuk besoj që do të aktivizohet së shpejti. Mendoj që Bashkimi Evropian dhe faktorët kryesorë të qendrave të fuqishme po presin që t’i përfundojnë edhe disa punë nga ana e disa eksponentëve të politikës së Kosovës, në mënyrë që më pas, me siguri ta aktivizojnë. Por, mendoj që është e paarsyeshme që së pari të imponohet dhe të kërkohet formimi dhe më pas të hiqet dorë dhe të pritet, thuajse se kjo është Lufta e Dytë Botërore dhe se ky është një proces i Nyrbergut, e në fakt nuk është”, tha Baraliu.

Ai ka shtuar që ndërrimi i prokurorëve nuk do të duhej të ndikonte në masë të madhe në fillimin e gjykimit, marrë parasysh që hetimi po zhvillohet tash e disa vite.

“Sa më herët aq më mirë për të gjithë, për ata që kanë vuajtur, për familjet e viktimave, për ata që janë caku, por edhe për opinionin publik, sepse duhet të pastrohet ajo se çfarë ka qenë dhe çfarë ndodhur dhe jo që njerëzit të mbahen në pasiguri”, theksoi Baraliu.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që presioni për formimin e Gjykatës Speciale ka qenë aq i madh sa që të gjithë kanë pritur që puna e tij të fillojë shumë shpejt.

“E rëndësishme është që ne qytetarët e Kosovës të dimë se çfarë ka ndodhur dhe se a janë pohimet në raportin e Dick Martyt të vërteta ose jo. Ne kemi të drejtë që ta dimë se çfarë në të vërtetë ka ndodhur. Në anën tjetër, që është edhe më e rëndësishme, viktimat kanë të drejtë për drejtësi dhe natyrisht që presin që Gjykata Speciale të caktojë atë drejtësi. Nuk besojmë që do të jetë numër i madh i lëndëve, por do të jetë numër i kufizuar. Shumica e viktimave do të mbesin edhe më tej pa drejtësi dhe të zhgënjyer edhe në një gjykatë. Por, shpresoj që të paktën një numër i lëndëve do të nisin, si shoqëri do të kemi më shumë informacione për ngjarjet gjatë dhe pas luftës dhe që një numër i caktuar i viktimave do të marrin drejtësinë”, u shpreh Blakaj.

Për të ngritur aktakuzë, Prokurori Special duhet të sigurohet, para se ta ngritë aktakuzën, që në bazë të Rregullores së Punës “ekziston dyshimi i bazuar mirë se i dyshuari ka kryer ose ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale që janë kompetencë e Dhomave të Specializuara”.

Ish-Prokurori i specializuar, David Schwendiman, gjatë mandatit të tij ka bërë udhëzimet për prokurorët, në bazë të së cilave, padia mund të ngrihet vetëm pasi që sigurohen se janë përmbushur 5 kushte: që dëshmitë që mbështesin akuzën janë të pranueshëm në Gjykatën e Specializuar; se dëshmitë do të jenë në dispozicion për t’i proceduar në gjykatë kur të vijë koha; se dëshmitë do të jenë të mjaftueshme që të argumentojnë përtej dyshimit të arsyeshëm çdo element të secilës vepër penale për çdo person të akuzuar; që lënda ka gjasa të mëdha t’i mbijetojë kontestimit të mbrojtjes së udhëzuar, inteligjente dhe të fortë, si dhe që lënda do të çojë deri te vendimi për dënim, të cilat mund të mbahen gjatë procesit ankimor”.

Në anën tjetër, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë funksionalizuar plotësisht që nga 5 korriku i vitit 2017,kur ishte miratuar dokumenti për zhvillimin e procedurës penale, gjegjësisht, Rregullorja e Procedurave dhe Provave.

Në Dhomat e Specializuara dhe në Prokurori punojnë 150 persona me prejardhje nga e gjithë bota. Gjykatësit, të cilët janë 20, vijnë nga 14 vende.

Zyrtarët e këtyre Dhomave i kanë thënë Radios Evropa e Lirë që ndërkohë janë miratuar rregulloret e brendshme dhe instrumentet tjera ligjore në funksion të sigurimit të proceseve efektive dhe të drejta.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara, ka thënë se deri më tash 119 avokatë nga Kosova, Serbia dhe vendet tjera janë regjistruar në listën e mbrojtësve dhe të përfaqësuesve të viktimave. Gjithashtu, është zgjedhur edhe Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë, italiani Pietro Spera, i cili duke vepruar i pavarur, do të mbikëqyrë dhe do të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për personat që do të jenë në kontakt me Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar.

Dhomat e Specializuara, gjithashtu, kanë zhvilluar sistemin ligjor të ndihmës juridike për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë mbrojtjen dhe në raste të tilla, Dhomat e Specializuara, nëse do të jetë e nevojshme, do ta marrë mbi vete këtë obligim.

Në Kosovë, për shkak të pakënaqësive ndaj formimit të kësaj gjykate, janë mbajtur protesta të veteranëve të UÇK-së, ndërkaq që peticioni me më shumë se 15 mijë nënshkrime, i ka detyruar deputetët e caktuar që në Kuvendin e Kosovës të tentojnë ta anulojnë Gjykatën. Pas reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, tentimi i tillë nuk pati sukses. Veteranët dhe deputetë të caktuar konsiderojnë që kjo gjykatë duhet t’i gjykojë të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë dhe jo vetëm, siç kanë thënë ata, një bashkësi etnike.

Trendafilova: Të gjithë keqbërësit do të sillen para drejtësisë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:35 0:00

Sidoqoftë, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, vitin e kaluar, pati theksuar që gjykata nuk do të gjykojë sipas përkatësisë etnike ose në lidhje me ndonjë organizatë apo grup, por bëhet fjalë për përgjegjësinë penale individuale të atyre që kanë kryer krime.

Përgatiti: Bekim Bislimi
  • 16x9 Image

    Amra Zejneli-Loxha

    Ka lindur në Mitrovicë në vitin 1986. Studimet universitare i ka përfunduar në fushën e gazetarisë dhe të studimeve evropiane në Universitetin e Floridas në SHBA. Me gazetari ka nisur të merret nga viti 2001. Punon në transmetuesin publik – Radio Televizionin e Kosovës – si redaktore përgjegjëse në programin e gjuhëve të komuniteteve, ndërkaq Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG