Ndërlidhjet

HRW: Probleme në respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë


Fotografi nga arkivi.

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch publikoi të martën raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut, ku pjesën për Kosovën e nis me përgjegjësitë për krimet e luftës.

Në raport thuhet se Zyra e Prokurorit në Hagë, e cila trajton krimet e luftës në Kosovë, ka thirrur për intervistim kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili më pas ka dhënë dorëheqje.

Derisa nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë, raporti thekson se ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të paditen.

Video: Rreth pesë vjet nga Gjykata Speciale, asnjë aktakuzë

Rreth pesë vjet nga Gjykata Speciale, asnjë aktakuzë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Në raport, mes të tjerëve, përmendet edhe rasti i Goran Stanishiqit, ish-pjesëtar i forcave jugosllave, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e dërgoi në paraburgim, për shkak të pjesëmarrjes së dyshuar në krimet kundër shqiptarëve në fshatin Sllovinje, në prill të vitit 1999.

Raporti thekson se, gjatë vitit 2019, Kombet e Bashkuara nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë paguar kompensim individual për viktimat e helmimit që, pas luftës së viteve 1998-99, janë detyruar të jetojnë në disa kampe në veri të Kosovës, të udhëhequra nga Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - UNMIK.

Kërkimfalja dhe kompensimi janë rekomanduar nga Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut, një mekanizëm i pavarur i ngritur në vitin 2006 për të shqyrtuar ankesat e abuzimeve nga UNMIK-u.

Viktimat kanë qenë pjesëtarë të komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptas.

Këto komunitete, thuhet në raportin e organizatës Human Rights Watch, kanë vazhduar të kenë vështirësi në sigurimin e dokumenteve personale.

Asnjë përparim konkret nuk është raportuar në integrimin e tyre, thuhet në raport.

“Tensionet ndëretnike kanë vazhduar gjatë vitit 2019 sidomos në veriun e ndarë të Kosovës”, thekson raporti.


Ai kujton se, në muajin korrik, Zyra e Prokurorit në Kosovë ka akuzuar ish-ministrin e Administratës Lokale, Ivan Teodosijeviq, për nxitje dhe përhapje të urrejtjes, përçarjes dhe jotolerancës midis komuniteteve.

Në raport përmendet edhe rasti i politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, në janar të vitit 2018, dhe thuhet se autoritetet e Kosovës në tetor të vitit të kaluar kanë arrestuar dy të dyshuar, përfshirë një polic serb.

Dy të dyshuar të tjerë kanë qenë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2018.

Pavarësisht disa zhvillimeve pozitive, raporti thekson se dhuna në familje mbetet problem në Kosovë.

Raporti përmend “reagimet joadekuate të policisë, pak persektime dhe dështimin e vazhdueshëm të gjykatësve për të lëshuar urdhra kufizues ndaj partnerëve abuzues”.

I njëjti kujton se, në muajin prill, autoritetet kanë futur në funksion një bazë të unifikuar të të dhënave, që mundëson monitorimin dhe persektimin e rasteve të dhunës në familje.

Procesi i aplikimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës për statusin ligjor të viktimave të luftës ka pasur shtrirje të kufizuar, thuhet në raport.

Në qershor, thekson raporti, rreth 800 të mbijetuar të dhunës seksuale kanë aplikuar për këtë status – 145 prej tyre u është miratuar, ndërsa 102 janë refuzuar.

Gjatë dhjetë muajve të parë vitit 2019, ndërkaq, janë regjistruar 115 kthime vullnetare të anëtarëve të pakicave etnike në Kosovë, krahasuar me 153 në të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka regjistruar 800 kthime të detyruara në Kosovë, kryesisht nga Gjermania, në periudhën janar-gusht.

“Në mesin e atyre që u kthyen me forcë në Kosovë, 189 ishin fëmijë. Të kthyerve iu dha ndihmë e kufizuar pas kthimit”, thekson raporti.


I njëjti bën të ditur se gjuha online e urrejtjes kundër aktivistëve të të drejtave të homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transseksualëve mbetet problematike.

Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalshme, thekson raporti.

Sipas tij, kërcënimet në platformat e mediave sociale mbeten problem i përhapur.

Raporti kujton se midis janarit dhe shtatorit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 11 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë katër sulme fizike dhe shtatë kërcënime.

Human Right Watch thekson se policia ka qenë duke hetuar katër nga rastet e raportuara në kohën e shkrimit të raportit.


Në pjesën për aktorët ndërkombëtarë, raporti thotë se, në muajin prill, presidenti (v.j. i atëhershëm) i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmirësojnë marrëdhëniet me Serbinë, për të siguruar përparim drejt anëtarësimit të ardhshëm në BE.

Në raport po ashtu thuhet se Komisioni Evropian, në muajin maj, ka bërë thirrje për forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar se gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndikimi politik.

Organizata Human Rights Watch edhe në raportin e vitit të kaluar ka vlerësuar se përparimi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë ka qenë i ngadalshëm.

Raporti i sivjetmë, prej 652 faqesh, ka vlerësuar praktikat e të drejtave të njeriut në gati 100 vende.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG