Ndërlidhjet

Stoltenberg: Zgjidhja e kontestit të emrit i hap dyert Maqedonisë për në NATO


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë një konference të përbashkët për media.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se për anëtarësimin e Maqedonisë në këtë mekanizëm, nuk ka “plan B”. Sipas tij, Maqedonia duhet të zgjidhë kontestin me Greqinë për çështjen e emrit, dhe më pas të bëhet pjesë e aleancës veri-atlantike.

“Nuk ekziston ndonjë mundësi tjetër që Maqedonia të anëtarësohet në NATO pa e zgjidhur problemin që ka me Greqinë për çështjen e emrit dhe kjo është theksuar qartë. Fillimisht kjo u theksua në samitin e NATO-s në vitin 2008 dhe e njëjta gjë u ritheksua dhe në samitin e Uellsit dhe atë në Varshavës në 2014. Nuk ka plan tjetër për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, përpos zgjidhjes së problemit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë”, tha Stoltenberg, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Sekretari të Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha Maqedonia mbetet të vazhdojë në procesin e intensifikimit të bisedimeve për çështjen e emrit.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka theksuar se Qeveria që ai drejton po punon në tejkalimin e kontestit që ka me fqinjin e saj jugor Greqinë, që sa më shpejtë vendi të anëtarësohet në NATO dhe BE.

“Këtë vizitë e vlerësoj si kyçe, sa u përket pritjeve tona se viti 2018 do të jetë vit historik për Republikën e Maqedonisë, për rajonin, por edhe për NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Maqedonisë Zaev.

Ndërkaq në pyetjen e gazetarëve se si e vlerëson stabilitetin e rajonit pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u qëllua për vdekje të martën para selisë së partisë së tij, në Mitrovicln Veriore, kryeministri i Zaev tha se bëhet fjalë për incidente të izoluara.

“Personalisht besoj se rajoni është stabil. I gjykojmë ngjarjet e fundit që ndodhën së fundmi në Kosovë. Më duhet të theksoj se tanimë rajoni nuk është ‘fuçi baruti'. Rajoni angazhohet për ndërtimin e miqësive dhe këto porosi arrijnë nga të gjitha anët e botës”.

“Unë jam i bindur se do të vazhdojmë të ndërtojmë raporte miqësore për të ardhmen e tërë rajonit”, tha kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, sipas të cilit incidentet e izoluara në vendet e Ballkanit, kërcënojnë perspektivat e mbarë rajonit, por ka shtuar se shpreson se së shpejti do të gjinden autorët e këtyre veprave makabre dhe drejtësia do të përçojë një porosi të fuqishme se askush nuk është mbi ligjin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës dy ditëshe në Shkup, është takuar me presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, ministrin e Jashtëm, Nikolla Dimitrov, atë të Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, Prokuroren Speciale Publike, Katica Janeva, si dhe me liderët e partive politike, atë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

XS
SM
MD
LG