Ndërlidhjet

Kirurgët të përçarë - disa në grevë, disa në punë


QKUK

Jo të gjithë kirurgët janë duke e vazhduar grevën, e cila kishte nisur qysh në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Ata tashmë janë ndarë në dysh. Një pjesë e kirurgëve e kanë braktisur grevën, ndërsa një pjesë tjetër vazhdon të insistojë në koeficientin tetë me Ligjin e ri për pagat.

Mjekët specialistë me këtë ligj, janë ranguar në koeficientin e pestë.

Përfaqësuesi i grevistëve, Arbër Morina, në vazhdimësi ka kërkuar koeficientin tetë e që ua mundëson atyre një pagë prej 1,912 eurosh.

Aktualisht, mjekët specialistë pagën mujore e kanë rreth 600 euro, por pas hyrjes në fuqi të Ligjit për paga, ata do të kenë rritje.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se mjeku specialist tashmë është ranguar në koeficientin pesë, që nënkupton se ata do të kenë pagë prej 1195 eurosh.

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, i tha Radios Evropa e Lirë, se pas miratimit të Ligjit për paga, është mundësuar një dyfishim i pagave dhe, sipas tij, kjo paraqet rritjen më të madhe në 20 vjetët e fundit për profesionistët shëndetësorë.

“Kemi pasur një reflektim edhe te kirurgët. Kemi ndërprerje të grevës së kirurgëve torakalë, të urologjisë, të cilët janë më aktiv në dialogun social me Ministrinë e Shëndetësisë. Më këta të fundit e kemi pasur edhe sot një bisedë që të gjendet një zgjidhje për ta dhe t’u kthehen sallave të operacionit me kapacitet të plotë, meqë pagat e tyre tashmë janë rritur. Jemi duke punuar për t'i përmirësuar kushtet e punës për ta dhe besoj se edhe kirurgët që kanë qenë në grevë t’i kthehen me kapacitet të plotë punës”, tha Matoshi.

Pacientët, vijoi Matoshi, duhet të kenë trajtime dinjitoze dhe të mos mjekohen jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Disa kirurgë janë ende në grevë, por jo të gjithë siç kanë qenë deri tash”, theksoi Matoshi.

Në anën tjetër, Arbër Morina, kirurg, deklaroi se greva po vazhdon. Sipas tij, ajo nuk do të ndërprehet deri në rishqyrtimin e Ligjit për paga, për faktin se me ligjin e fundit të miratuar në Kuvend, siç tha ai, është konstatuar shkelje procedurale dhe shkelje ligjore.

Morina shtoi se për këtë arsye, në procedura dhe në përmbajtje ka shkelje të rënda, të cilat janë ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mendojnë që ky ligj duhet të rishikohet dhe të riformulohet.

“Kërkesa e jonë do të jetë e njëjta, rregullimi i koeficientit, i cili do ta pasqyrojë dinjitetin e mjekut në Republikën e Kosovës. Kërkesa jonë është shumë reale, sepse kërkesa jonë bazohet në ligj. Tash, a do të kemi përkrahje apo jo, varet se kush do të na ofrohet për përkrahje. Deri më tash nuk kemi pasur përkrahje, për shkak se gjithçka është bërë jashtë ligjit. Ne po presim përkrahje”, tha Morina për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Sami Deliu, kirurg ortoped, bëri të ditur se ndonëse janë të pakënaqur me koeficientin në Ligjin e ri për paga, kanë vendosur që grevën ta ndërpresin dhe të punojnë me kapacitet të plotë.

“Ne jemi të pakënaqur me Ligjin e ri për paga, por kemi vendosur për hir të pacientëve dhe procesit, të vazhdojmë punën edhe me rastet e ftohta, pra me ambulancat specialistike. Ndryshe, edhe gjatë grevës, rastet emergjente janë kryer, dhe operacionet janë bërë për shkak të natyrës emergjente të punës që e kemi”, tha Deliu.

Aktualisht, greva është ndërprerë edhe nga kirurgët e spitaleve rajonale, si dhe nga Kirurgjia torakale dhe Klinika e ortopedisë. Ndërkaq, në të gjitha klinikat e tjera kirurgjike, sipas doktorit Arbër Morina, greva është duke vazhduar.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG