Ndërlidhjet

Komisionet Hetimore, pengje të agjendave partiake


Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Komisionet Hetimore Parlamentare janë mekanizma të Kuvendit të Kosovës, të cilat mbikëqyrin nëse është zbatuar ligji për çështjet e caktuara, për të cilat janë themeluar ato komisione.

Aktualisht, në Kuvendin e Kosovës ekzistojnë tre komisione të tilla: Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datën 29 mars 2018; Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyesve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Kosovës; si dhe Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pushtetit dhe opozitës e shohin si pozitive formimin e këtyre komisioneve, por ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me efektivitetin e tyre.

Zenun Pajaziti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila është partneri më i madh në koalicionin qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Komisioni Evropian, përmes Raportit vjetor të Progresit, ka pasur kritika ndaj Kuvendit të Kosovës, për mungesë të aktiviteteve që kanë të bëjnë me monitorimin e zbatimit të ligjeve. Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se mbulohet me komisione hetimore, të cilat si thotë ai, fillojnë dhe përfundojnë me agjenda politike, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Të shumtën e rasteve këto komisione janë pjesë e agjendave politike e partiake dhe si të tilla shfrytëzojnë të gjitha rregullat ligjore brenda Kuvendit. Nuk është hera e parë që Kuvendi i Kosovës ka pasur komisione të tilla hetimore. Mendoj që nuk ka të keqe asnjëherë nga aktivitetet e tilla të Kuvendit. Pra, të shumtën e rasteve, efekti i aktiviteteve të këtyre komisioneve hetimore është për konsum publik dhe më të rralla janë rastet kur mund të theksohet se kanë pasur një efekt praktik”, theksoi Pajaziti.

Por, ndryshe e sheh situatën deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli – Dalipi. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se secili komision hetimor, i cili ka për qëllim të hetojë në mënyrë të pavarur për çështjen e caktuar, atëherë rezultatet dhe efekti do të jetë tejet i madh. Megjithatë, sipas saj, ka komisione hetimore ku puna sabotohet nga vetë deputetët dhe funksioni i komisioneve dobësohet.

“Por, nëse deputetët që janë anëtarë të atyre komisioneve, e marrin seriozisht punën dhe e bëjnë punën pa anuar nga partitë e tyre politike, atëherë rezultati i atyre komisioneve është shumë i madh, i jashtëzakonshëm. Sidomos, le ta marrim Komisionin Parlamentar Hetimor për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Për shkak të komisionit dhe për shkak të hetimeve që janë bërë brenda komisionit dhe intervistave që kanë realizuar, qytetarët kanë arritur që të kuptojnë se çka ka ndodhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq”, tha Pacolli – Dalipi.

Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në gjenezë është pozitiv fakti se ka vullnet prej deputetëve për të krijuar komisione hetimore parlamentare. Por, sipas tij, në praktikë janë të dukshme vështirësitë e funksionalizimit të këtyre komisioneve, për shkak se deputetët nuk i marrin seriozisht këto komisione, e gjithashtu edhe personat që ftohen për raportim ose që janë të ndërlidhur me çështjet për të cilat janë duke u hetuar.

“Ka qasje diametralisht të ndryshme në mes të deputetëve të pushtetit dhe opozitës, për çështje të njëjta, për çështje për të cilat ata do të duheshin të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Pastaj, për shembull, në rastin konkret te PTK-ja dhe Vala, pjesë e Komisionit Hetimor është një deputet, i cili është përfolur se familjarët e tij janë punësuar sipas referencave partiake. Kjo normalisht se mund ta dëmtojë kredibilitetin e këtyre deputetëve dhe këtij komisioni para publikut”, tha Murati.

Ai ka shtuar se edhe në rastin e raportimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi para Komisionit Hetimor për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova, është parë një joseriozitet, për shkak se deputetët ngrinin çështje jorelevante për arsyen që është themeluar komisioni, ndërkaq presidenti po ashtu i kontribuoi atmosferës së njëjtë në këtë komision, duke e zhvlerësuar debatin parlamentar.

Deputeti Pajaziti thotë se edhe në rastet kur raportet e tilla kalojnë në votim, deputetët nuk mund të marrin rolin e gjykatësit dhe prokurorit. Ai merr shembull nga e kaluara kur rezultatet e dala nga Komisioni Hetues për faturat e energjisë elektrike nuk kanë qenë të përfillshme.

“A e dini si ka qenë rezultati? Zero. Përveç atij konsumit politik publik se duhet të ketë kujdes që qytetarët nuk duhet të dëmtohen me faturat e të tjera, nuk është se ka pasur ndonjë gjetje që ka qenë në kundërshtim me ligjin. Pra, më shumë kanë pasur njëfarë konsumi publik. Por, komisioneve hetimore, si janë këto për çështje që janë shumë të rëndësishme, çështja e Telekomit, çështja e shtetasve turq, si dhe e emërimeve të shërbyesve civilë, mendoj që nëse ka vullnet të mirë politik nga pushteti dhe opozita, munden që të shfrytëzohen pozitivisht në të mirën e monitorimit të zbatimit të ligjit”, theksoi Pajaziti.

Ndryshe, secili raport që del nga cilido Komision Parlamentar Hetimor, i nënshtrohet votimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja Pacolli–Dalipi thotë se pavarësisht se si votojnë deputetët, rezultati i çdo komisioni hetimor mbetet i shkruar dhe zyrtar.

“Mund të merret edhe nga Prokuroria, nëse kemi prokurorë të zëshëm dhe të cilët punojnë. Nëse ata duan që ta zbardhin një çështje të caktuar deri në fund, atëherë i kanë dokumentet e gatshme edhe nga deputetët. Pra, këto mund të përdoren për disa mënyra nëse ka vullnet për këtë dhe nuk do të duhej që të mbeteshin në hije”, theksoi Pacolli – Dalipi.

Analisti Murti, thotë se pikërisht gjatë votimit fillon loja politike ndërmjet atyre që kanë shumicën dhe pakicën e votave në Kuvend, ku më i fuqishmi fiton.

“Sado i mirë me qenë një raport, nëse nuk do të ketë përkrahje të nevojshme të deputetëve, atëherë ai raport nuk do të miratohet dhe për rrjedhojë, do të bie në ujë. Për këtë arsye po e përmendi që është e rëndësishme që deputetët, të pushtetit dhe opozitës, duhet të punojnë bashkë dhe t’i tejkalojnë agjendat politike dhe partiake. Këto janë çështje të karakterit me interes nacional dhe këtë duhet ta kenë parasysh deputetët”, u shpreh Murati.

Sidoqoftë, deri më sot, përveç raportit të Komisionit Parlamentar Hetimor në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, i cili është deponuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe për të cilin zyrtarët e kësaj prokurorie kanë thënë se “është pjesë përbërëse e shkresave të lëndës”, asnjë raport tjetër i Komisioneve Hetimore nuk është trajtuar nga organet e drejtësisë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG