Larijani thotë se nuk do të negociojë me SHBA-në
Kryetari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, tha se Teherani "nuk do të negociojë" me Uashingtonin.
Ai i bëri komentet disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se do të vazhdojë t'i ndëshkojë "terroristët" me "forcën e plotë" të ushtrisë amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Larijani shkroi:
"Ne nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Sot, kombi iranian po mbron veten".
Të dielën, në një video gjashtëminutëshe që postoi në platformën e tij Truth Social, Trump tha se lufta kundër Iranit mund të zgjasë katër javë, megjithëse u duk se e la derën hapur për bisedime të mëtejshme me udhëheqësit mbijetues në Teheran.
"Në 36 orët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre po kryejnë Operacionin Tërbimi Epik - një nga ofensivat ushtarake më të mëdha, më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë", tha Trump.
Ai shtoi se operacionet luftarake në Iran "po vazhdojnë me forcë të plotë" dhe "do të vazhdojnë derisa të arrihen të gjitha objektivat tona".
OBSH-ja shpreh shqetësim për dëmet e raportuara në Spitalin Gandhi në Teheran
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shprehu shqetësim pas raporteve fillestare për dëme në Spitalin Gandhi në Teheran, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane.
Në një postim në rrjetin X, Ghebreyesus tha se OBSH-ja po i heton dhe verifikon këto raporte.
"... por, ato shërbejnë si një kujtesë se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar që institucionet shëndetësore, të përfshihen në konfliktin e vazhdueshëm. Objektet shëndetësore mbrohen me ligjin ndërkombëtar humanitar", tha Ghebreyesus.
Raportet fillestare nga Irani tregojnë se gjatë sulmeve, spitali është dëmtuar, ndërsa, sipas disa imazheve të publikuara, personeli dhe pacientët janë evakuuar.
Dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Liban
Sulmet izraelite në Bejrut dhe në Libanin jugor lanë të vrarë 31 persona dhe të plagosur 149 të tjerë, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Izraeli njoftoi mëngjesin e së hënës se ushtria e tij ka goditur objektiva të lëvizjes Hezbollah në Liban, pasi ky grup militant - i mbështetur nga Irani - mori përgjegjësinë për një sulm me raketa dhe dronë në veri të Izraelit.
Detajet mbeten të pakta, por dëshmitarët raportuan se dëgjuan shpërthime në periferitë jugore të Bejrutit - bastion i Hezbollahut.
"Masa paraprake" në bazën RAF në Qipro
Administrata e Zonave të Bazave Sovrane në Qipro tha se ka plane për "shpërndarjen e përkohshme të personelit jothelbësor", të vendosur në bazën britanike RAF Akrotiri.
Baza ajrore RAF Akrotiri u godit nga një sulm i dyshuar me dron, sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes.
Shpërndarja e personelit është një "masë paraprake", thuhet në deklaratë.
"Ndërsa e kuptojmë që njerëzit mund të jenë të shqetësuar, ne nuk besojmë se kjo është e nevojshme. Shpërndarja e përkohshme vlen vetëm për Stacionin RAF Akrotiri", thekson deklarata.
Sipas saj, objektet e tjera në Episkopi, Dhekelia dhe Ayios Nikolaos do të funksionojnë "si zakonisht".