Pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës po “zbulojnë” mënyra se si t’u shmangen barrikadave në rrugë për të gjashtën ditë radhazi që nga ngritja e tyre, shkaku i arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Radio Evropa e Lirë i ka siguruar këto informata nga vetë banorët në veri të Kosovës, por ata nuk duan të flasin publikisht për këtë temë.
Në veri të Kosovës janë katër komuna me shumicë serbe - Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani. Fshatrat përreth këtyre qyteteve janë bërë “rrugë të rregullta” për të shmangur rrugët kryesore të bllokuara me makineri të rëndë.
Megjithëse Policia e Kosovës i ka mbyllur pikat kufitare në veri – Jarinjë dhe Bërnjak – të ashtuquajturat rrugë “alternative” përdoren për të shkuar nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Njëra nga to kalon nëpër fshatin Mure, i cili zyrtarisht i përket komunës së Rashkës, qytet kufitar në Serbi.
Të dhënat e siguruara nga REL-i i ka konfirmuar edhe drejtori i RTV-së lokale “Mir” nga Leposaviqi, Nenad Radosavleviq. Në ditën e dytë pas ngritjes së barrikadave, më 11 dhjetor, atij i ishte dashur të shkonte në Prishtinë, dhe, siç thotë ai, u detyrua t'i “anashkalojë” barrikadat. Ai thekson se kjo “nuk është aspak e lehtë”, edhe pse i njeh shumë mirë rrugët lokale, sepse ka lindur dhe jeton në komunën e Leposaviqit.
"Rruga nga Leposaviqi në Mitrovicën e Veriut zakonisht zgjat rreth gjysmë ore, mua m’u deshën një orë e gjysmë për të arritur në Mitrovicë. Këto rrugë janë shumë të këqija", thotë Radosavleviq.
Megjithatë, ai thekson se tani për tani ata nuk kanë zgjidhje tjetër dhe shton se në ato rrugë lëvizin edhe patrullat e EULEX-it (Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit) dhe KFOR-it (misioni ushtarak paqeruajtës i NATO-s në Kosovë).
Video: Qytetarët në veri tregojnë se si po ua vështirësojnë lëvizjen barrikadat
Kë po bllokojnë barrikadat në veri?
Veriu i Kosovës është i banuar me shumicë serbe dhe pikat kufitare me Serbinë në atë pjesë, Jarinjë dhe Bërnjak, gjithashtu përdoren kryesisht nga pjesëtarët e komunitetit serb. Në jug të lumit Ibër ka edhe vendkalime të tjera kufitare me Serbinë që janë në funksion, por ato janë mjaft larg për serbët që jetojnë në veri.
Për shembull, vendkalimi kufitar në Jarinjë në anën e Kosovës ndodhet në komunën e Leposaviqit dhe është rreth dhjetë kilometra larg qytetit kufitar të Serbisë, Rashkës. Nga ana tjetër, Podujeva, ku ndodhet vendkalimi i Merdares, është mbi 100 kilometra larg Leposaviqit.
Në deklaratën e tij për REL-in, Radosavleviq tha se serbët lokalë që ngritën barrikadat "po bllokojnë vetveten".
Ai beson se prapa të gjithave qëndron Lista Serbe, parti që funksionon në Kosovë me mbështetjen e Beogradit, dhe tha se ngjarjet e fundit nuk janë vullnet i qytetarëve, por “tentime për t’i kontrolluar njerëzit dhe të gjitha institucionet”.
“Njerëzit naivë dhe të frikësuar, të shantazhuar me punë, rrogë, në çdo mënyrë të mundshme, ata thjesht shkojnë (në barrikada), dëgjojnë verbërisht”, thotë Radosavleviq.
*Video: Dezinformatat që po shoqërojnë tensionet në veri
Barrikadat kryesisht vëzhgohen nga stafi i institucioneve serbe që veprojnë në Kosovë.
Zyrtarët e Listës Serbe i përkrahin publikisht barrikadat në veri dhe i kanë vizituar ato vende me mesazhe inkurajuese për qytetarët e grumbulluar aty. Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, ka përsëritur se barrikadat janë “reagim dhe jo veprim”.
Të njëjtën gjë ai e kishte thënë edhe më 31 korrik të këtij viti, kur ishin vendosur barrikada në rrugët e komunave në veri të Kosovës për shkak të pakënaqësisë së serbëve lokalë me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Pse janë mbyllur restorantet dhe shkollat?
Edhe praktika e mbylljes së lokaleve të hotelerisë po përsëritet, ndërsa në dyqanet e ushqimit të shpejtë mund të porositet vetëm ushqim për ta marrë me vete, pasi, siç i thanë punëtorët REL-it, “nuk të lejojnë të ulesh këtu”. Ata nuk kanë dashur të specifikojnë se kush nuk po i lejon qytetarët të ulen dhe të porosisin ushqim.
Pothuajse e njëjta situatë ishte edhe në shtator të vitit 2021, kur u ngritën barrikada dhe autoritetet e përkohshme komunale, të cilët punojnë në sistemin serb, “urdhëruan” pronarët e lokaleve të hotelerisë që të mos i hapnin ato me qëllim që të “shtyjnë sa më shumë njerëz të shkojnë te barrikadat”.
Lidhur me këtë, REL-i i është drejtuar kryetarit të përkohshëm komunal në Mitrovicën e Veriut, Aleksandar Spiriq, por ai nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.
Gjithashtu, në komunat në veri të Kosovës nuk po funksionojnë institucionet arsimore që nga 12 dhjetori. Drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, në një deklaratë për REL-in tha se vendimi për ndërprerjen e mësimit është marrë nga institucionet kompetente për shkaqe sigurie.
Shkollat në komunitetet serbe në Kosovë punojnë sipas sistemit serb, gjegjësisht janë nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Serbisë.
Pse u ngritën barrikadat?
Bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës nisi më 10 dhjetor, pas arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-policit që akuzohet për pjesëmarrje në sulmin në objektin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës më 6 dhjetor.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur që nga fillimi i nëntorit, shkaku i një sërë incidentesh pasi serbët e Kosovës u larguan nga institucionet në veri.
Në incidentet që pasuan, në fillim të dhjetorit, u përdorën armë zjarri dhe mjete shpërthyese.
Barrikadat janë formë e shpeshtë e “rezistencës” nga pjesëtarët e komunitetit serb në veri ndaj autoriteteve të Kosovës dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës.
Kjo është hera e tretë që ato ngrihen brenda një viti e gjysmë.
Facebook Forum