Ndërlidhjet

Sivjet Kosova pret rendimente të ulëta të grurit


Korrja e grurit. Fotografi nga arkivi.
Korrja e grurit. Fotografi nga arkivi.

Kosova edhe gjatë këtij sezoni pritet të ketë rendimente të ulëta të grurit. Edhe pse gruri është kultura kryesore që për një kohë të gjatë zë sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore, asnjëherë deri më tani nuk është arritur që të plotësojë nevojat e popullatës me këtë kulturë, marrë parasysh rëndësinë që ka për prodhimin e miellit.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës theksojnë se gjatë këtij viti pritet që të ketë prodhim më të ulët të grurit, për shkak të kushteve klimatike që kanë mbizotëruar në vjeshtën e kaluar.

Kushtet klimatike, sipas tyre, kanë ndikuar që të mbillen me këtë kulturë bujqësore vetëm 50 mijë hektarë sipërfaqe tokë.

Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se pritet sasi më vogël e prodhimit, por megjithatë rendimenti mesatar i grurit për këtë vit pritet të jetë në suaza normale që në Kosovë është nga 3,500 deri në 4,500 kilogramë për hektarë, varësisht nga parcelat dhe rajoni.

“Këtë vit janë të mbjella (mbjellja vjeshtore) më pak sipërfaqe në raport me vitin e kaluar dhe vitet tjera. Edhe sasia e grurit që është mbjellë është mbjellë me vonesë. Gjithsejtë nga informatat që kemi marrë nga terreni, janë mbjellë 50 mijë hektarë, që në raport më vitet tjera janë 20 mijë hektarë më pak”, thotë Cikaqi për Radion Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar 74 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të kultivuara me kulturë të grurit.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410 mijë tonë grurë.

Edhe ekspertë të bujqësisë pohojnë se në Kosovë gjatë këtij viti nuk do arrihet prodhimtaria e planifikuar e grurit. Profesori në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se as 50 për qind e sipërfaqeve të planifikuara nuk janë kultivuar me grurë për shkak të kushteve atmosferike që kanë mbizotëruar në muajin tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.

Kështu që, sipas tij, Kosova edhe në të ardhmen do të varet nga importi i grurit nga shtet tjera.

Përveç kushteve klimatike, arsye tjetër e zvogëlimit të sipërfaqeve me grurë, Rusinovci përmend dekurajimin e fermerëve nga autoritet kompetente që nuk kanë gjetur metoda të duhura për t’i nxitur ata për prodhime strategjike.

“Konsideroj se bujqësia duhet të ketë një tretman krejt ndryshe dhe emëruesi i përbashkët në mes institucioneve, fermerit dhe ministrisë përkatëse duhet të jetë i përbashkët që me shërbime këshillimore të barten sa më shumë transfero të reja teknologjike te fermerët”.

“Marrë në përgjithësi sipërfaqet bujqësore që disponon Kosova, llogaritet e fundit sa i përket prodhimit me sipërfaqe punuese për kokë banori. Edhe produktiviteti i punës në bujqësi është i ulët dhe kjo ka rezultuar me prodhimtari të ulët dhe import marramendës”, thotë ai.

Rusinovci madje thotë se sasia e vogël e prodhimit të grurit gjatë këtij viti dhe zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, do të ndikojnë që të ketë edhe rritje të çmimit të grurit, respektivisht miellit.

Deri para vendosjes se taksës, sasia më e madhe e grurit në tregun e Kosovës ka hyrë nga Serbia, madje në shumë raste me çmim më të ulët se sa prodhimi vendor.

“Kur kësaj i shtohet edhe taksa e zbatuar Qeveria e Kosovës, atëherë çmimi i grurit, përkatësisht miellit, në fund të korrje-shirjeve mund të jetë dukshëm më i lartë. Sepse çdo sasi tjetër që duhet të importohet, nëse blihet nga vendet tjera të rajonit, si për shembull nga Kroacia, Hungaria, kostoja do të jetë dukshëm më e shtrenjtë për faktin e transportit”, tha Rusinovci.

Ndryshe, për të rritur interesimin e fermerëve për mbjelljen e sipërfaqeve më të mëdha me grurë, Ministria e Bujqësisë ka disa vjet që subvencion fermerët, me nga 150 euro në vit, kurse sipërfaqja minimale e mbjellur me grurë duhet të jetë 2 hektarë në pronësi të fermerit.

Sipërfaqja e përgjithshme në Kosovë është mbi 10,908 km katrorë, kurse 53 për qind e tokës është bujqësore. Ndërkaq, nga 1.9 milion banorë, 61 për qind prej tyre jetojnë në zonat rurale.

XS
SM
MD
LG