Ndërlidhjet

Zgjedhjet në SHBA, shtytje e takimit Kosovë-Serbi


Uashington
Uashington

Njohësit e proceseve politike në Prishtinë dhe Beograd nuk besojnë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në takimin e 2 shtatorit që pritet të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Ata thonë se njoftimi i papritur i ambasadorit Richard Grenell për këtë takim, vjen për faktin se administrata e presidentit Donald Trump është e interesuar që të përfundojnë çështje të politikës se jashtme para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Porse, sipas analistëve politikë, takimi i 2 shtatorit mund të jetë edhe si shtysë për procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Mundësitë që palët të dalin me ndonjë marrëveshje nga takimi janë shumë të vogla, thotë analisti politik, Agon Maliqi.

Sipas tij, nga ky takim, në rastin më të mirë, palët mund të dalin vetëm më një deklaratë të përbashkët që shpreh gatishmëri për arritje të marrëveshjes finale.

“Nuk do të ishte përjashtuar, edhe pse është më pak e mundshme, diçka në natyrën e një deklarate të përbashkët e synimeve të për arritjen e një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse siç ishte ajo mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara ku palët thjesht zotohen për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thotë Maliqi.

Por, njohësi i çështjeve të Ballkanit, Dushan Janjiq, thotë se Shtetet e Bashkuara janë në një situatë të komplikuar politike për shkak se është vit zgjedhor, dhe për këtë arsye Uashingtoni zyrtar nuk ka as durim dhe as motiv për të zvarritur përparimin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Kjo është pika që, nëse tejkalohet, atëherë do të ketë një fotografi me (Presidentin e SHBA-së Donald) Trumpin. Pastaj ai do të jetë në gjendje të postojë në Tëitter se është bërë një hap përpara nga koha e luftës deri në kohën e paqes. Kjo do të jetë e mjaftueshme për të, sepse takimet mes Hotit dhe Vuçiqit nuk janë për të ndonjë argument për fushatën parazgjedhore. Por, me këtë ai thotë se e përfundoi iniciativën që e kishte filluar me letrën e tij ”, konsideron Janjiq.

Kur bëhet fjalë për rolin e Bashkimit Evropian në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, Janjiq beson se Brukseli është "jashtëzakonisht i ngadaltë", megjithëse ai beson në rolin e Gjermanisë në kuadër të këtij procesi.

Për çfarë do të flasin palët?

Agjenda e takimit të paralajmëruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington mbetet pothuajse e pandryshuar nga ajo që ishte paraparë në takimin e anuluar të muajit të kaluar, thotë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Forumit për marrëdhënie etnike në Beograd, Dushan Janjiq.

Sipas tij, në këtë dialog duhet gjetur një ekuilibër të duhur, për faktin se disa nga ato tema përfaqësuesit e të dyja vendeve po i diskutojnë edhe në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Me siguri se do të përfundojë – këtë e ka thënë edhe Grenell – marrëveshja për përshpejtimin e autostradës Nish -Prishtinë dhe hekurudhës përmes Merdares. Sigurisht se do të bisedohet edhe për temën që nuk është në tryezën e diskutimeve që udhëhiqen nga BE-ja, e cila ka të bëjë me kthimin e Serbisë në vendkalimin e vetëm të ndërtuar në Merdare. Pra kryesisht tema ekonomike”, thotë Janjiq.

Janjiq shton se në bisedimet e parapara në Uashington mund të ketë edhe disa tema tjera, siç është financimi i projekteve të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Në Prishtinë, analisti politik, Agon Maliqi, beson se takimi i 2 shtatorit mund të shfrytëzohet që përmes temave ekonomike, t’i jepet një shtysë e re dialogut politik që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Mund të ketë prioritet diskutimi mbi një pako të investimeve, fokusi të jetë tek ekonomia si një derë përmes së cilës mund të lehtësohen pastaj procese politike. Kështu që në këtë kontekst kjo mund të jetë një shtysë për dialogun i cili po zhvillohet në Bruksel”, thekson Maliqi.

Maliqi thotë se nuk mund të përjashtohet procesi i bisedimeve në Bruksel, mirëpo, sipas tij, aktualisht ka shumë mjegull se si do të arrihet deri te marrëveshja finale.

Mbështetja e presidentit Trump

Në dhjetor të vitit 2018, presidenti amerikan u dërgoi letra dy presidentëve, të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në letër, Donald Trump kishte thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve duke theksuar se “raportet e mira midis Serbisë dhe Kosovës janë një pikë kthese për rajonin”.

“Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, kishte shkruar Trump në letrën e tij.

Takimi i dy shtatorit, është i dyti i thirrur nga administrata amerikane, pasi, në muajin qershor dështoi takimi i parë.

Dështimi i takimit të paraparë, ndodhi për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Nikoqirë të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në takimin e dy shtatorit do të jenë këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Në të njëjtën kohë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, në Bruksel është duke u zhvilluar një proces i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në takimin e parë më 16 korrik morën pjesë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndërkohë, bisedime janë duke u zhvilluar edhe në nivel ekspertësh ku Kosovën e përfaqëson koordinatori për dialogun Skënder Hyseni, ndërsa Serbinë, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Në BE thonë se “kanë marrë në dijeni” njoftimin mbi takimit në Uashington duke rikujtuar se mbështetja e SHBA-së në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është e mirëseardhur.

XS
SM
MD
LG