Ndërlidhjet

KOSTT-i i gatshëm për investime në Vallaç


Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it.
Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) është i gatshëm që të investojë në nënstacionin e Vallaçit, i cili gjendet rreth tetë kilometra larg Mitrovicës së Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Jeton Mehmeti, kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it. Ai shton se ky nënstacion nuk është menaxhuar nga institucionet e Kosovës që nga përfundimi i luftës.

Qasja e KOSTT-i në këtë nënstacion sigurohet në bazë të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë midis Kosovës dhe Serbisë.

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën se KOSTT-i dhe kompania serbe, Elektrosever, në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar te KOSTT-i të dhënat e konsumatorëve në veri, ashtu siç parashihet edhe me Udhërrëfyes.

Çfarë thuhet në veri për pagesën e rrymës?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian ka njoftuar se KOSTT-i dhe kompania serbe, Elektrosever, në Mitrovicën e Veriut, kanë arritur marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë midis Kosovës dhe Serbisë. Çka do të thotë kjo në praktikë?

Jeton Mehmeti: Në praktikë do të thotë se KOSTT-i ka përmbushur detyrimet e veta ndaj Elektorseverit, gjithashtu edhe Elektorseveri ka përmbushur obligimet e veta ndaj KOSTT-it. Kjo do të thotë se kanë pranuar dhe kanë nënshkruar Marrëveshjen për aderim në rregullat e tregut, Marrëveshjen për palën përgjegjëse për balance, gjithashtu edhe Marrëveshjen për blerje të energjisë elektrike nga burimet e ripërtriteshme të energjisë eklektike.

Kjo është sa i përket obligimeve të KOSTT-it, në bazë të Udhërrëfyesit.

Radio Evropa e Lirë: Cilat obligime janë përmbushur konkretisht nga KOSTT-i?

Jeton Mehmeti: Nga KOSTT-i është nënshkruar Marrëveshja për aderim në rregullat e tregut. Kjo marrëveshje nënkupton që pala e cila do të regjistrohet apo e licencohet nga ZRRE-ja do të marrë pjesë sipas rregullave të tregut të KOSTT-it në nominimin e energjisë elektrike.

Gjithashtu, pala ka nënshkruar Marrëveshje për balance të energjisë elektrike, [që i bie] të gjitha palët në tregun e energjisë elektrike duhet ta respektojnë kodin e tregut të energjisë elektrike që do të thotë janë palë përgjegjëse për balancë.

Marrëveshja e tretë është Marrëveshja që ka të bëjë me blerjen e energjisë elektrike nga burimet e ripërtritshme. Të gjitha palët në treg duhet t’i japin prioritet blerjes se energjisë eklektike nga burimet e ripërtritshme fillimisht, pastaj blerja nga gjeneratorët vendor dhe në fund blerja e energjisë elektrike nga importi.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te blerja e energjisë, nga kush do të furnizohet kompania serbe e licencuar, Elektroserver?

Jeton Mehmeti: Tani Elektroseveri si palë në treg mund të furnizohet nga tregtarët e ndryshëm, siç mund të furnizohen edhe të gjitha palët e tjera të cilat janë të licencuar nga ZRRE-ja. Pra, ne nuk mund të paragjykojmë apo të japim vlerësime për ketë sepse të gjitha kompanitë të cilat janë në tregun e energjisë elektrike kanë të drejtat e tyre për furnizim me energji elektrike.

Radio Evropa e Lirë: Pas arritjes se marrëveshjes, cilët janë hapat përpara?

Jeton Mehmeti: Pas arritjes se marrëveshjes, normalisht, Elektroseveri ka detyrime të tjera ndaj palëve të tjera. Sa i përket obligimeve me KOSTT-in deri diku janë përmbushur, pra është përmbushur pika 2 dhe 3, mbetet edhe pika 5 e Udhërrëfyesit.

Çka thonë pikat 2, 3 dhe 5 në Udhërrëfyesin për Energji?

  • Në pikën e dytë të Udhërrëfyesit përmendet lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së.
  • Në pikën e tretë të Udhërrëfyesit thuhet se Elektroseveri do të nënshkruajë teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Pra, Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe një Marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe.
  • Në pikën e pestë të Udhërrëfyesit thuhet se pas marrjes se licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje.

Pra, ne si KOSTT në fushëveprimin tonë në koordinim me ZRRE-në, pasi të marrim edhe miratimin e ZRRE-së, e cila do konfirmojë se Elektroseveri ka përmbushur obligimet që ka në bazë të Udhërrëfyesit, pala do të regjistrohet në regjistrimin e pjesëmarrëseve të tregut të energjisë elektrike në KOSTT.

Pala gjithashtu do të regjistrohet në platformën e tregut. I dërgohen manualet, shabllonet e ndryshme dhe udhëzimet e nevojshme për procesin e nominimit të energjisë elektrike.

Radio Evropa e Lirë: Kur pritet të filloj faturimi i rrymës në veri për qytetarët serb?

Jeton Mehmeti: Unë mendoi se kjo pyetje më shumë i takon ZRRE-së dhe palës me të cilën do kenë marrëveshje komerciale, në mes KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila është paraparë më Udhërrëfyesin. Nuk është në domenin tonë apo fushëveprimin tonë të japim komente për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova paguan për disa vite për rrymën e shpenzuar në veri për qytetarë asaj pjesë. A ka nevojë që edhe sivjet ta paguajë?

Jeton Mehmeti: Tani kjo është një pyetje për të cilën edhe pse ka qenë në përgjegjësinë tonë si KOSTT që ne jemi të obliguar për balancimin e energjisë elektrike dhe ne në mënyrë të padrejtë e kemi pranuar apo është deleguar tek ne që ne jemi përgjegjës për këtë energji.

Unë nuk mund të them asgjë sepse gjithçka varet nga dinamika e marrëveshjeve të cilat ata i kanë më përgjegjësi, si marrëveshje komerciale më KEDS-in. Gjithashtu edhe në fund fare nga ZRRE-ja duhet të jepet verdikti final, që nënkupton se a janë plotësuar të gjitha kushtet sipas Udhërrëfyesit, apo jo.

Unë mendoj se nëse të gjitha kushtet plotësohen, ky është vetëm mendimi im personal, shumë shpejt do duhej të zbatoheshin instalimet - apo nga të dhënat që kemi pranuar nga Elektroseveri të filloi të faturohet energjia elektrike. Por, për këtë përgjegjës është KEDS-i dhe ZRRE-ja.

Radio Evropa e Lirë: Pse KOSTT-i bënë pagesën për energjinë e pafaturuar?

Jeton Mehmeti: Fillimisht, siç jeni në dijeni apo siç kemi diskutuar edhe më herët në raport me mediat, energjia elektrike në veri paguhet. Fillimisht është paguar nga buxheti i shtetit të Kosovës për një periudhe të caktuar. Pastaj, me vendimet dhe rekomandimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku s’kishte një linjë buxhetore në atë kohë, është paguar nga buxheti vetanak i KOSTT-it.

Sipas rekomandimeve, është paraparë që këto mjete të kthehen përmes dividentës apo një formë tjetër nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Një pjesë e dividentës është kthyer nga ministria e Financave. Deri në fund të vitit 2021, i kemi paguar ne si KOSTT.

Pastaj, me vendimin Qeverisë për ndarjen e mjeteve për pagesën e energjisë elektrike, një pjesë e madhe e energjisë elektrike deri në qershor të vitit 2022 është paguar nga buxheti i ndarë i Qeverisë së Republikës së Kosovës si subvencion për KOSTT-in, por është paguar nga KOSTT-i. Ndërsa nga qershori e deri më sot, furnizohet përmes devijimeve sepse në mungesë të buxhetit të KOSTT-it për ta paguar këtë energji, ne jemi duke e devijuar deri në një moment të caktuar.

Radio Evropa e Lirë? Nga kush devijohet?

Jeton Mehmeti: Devijimi ndodh nga KOSTT-i, energjia merret nga Sistemi Interkonektiv Evropian. Energjia e cila pas llogaritjeve faturohet nga JAO, i cili është mekanizëm i ENTSO-s dhe kjo energji e devijuar paguhet nga KOSTT-i.

Radio Evropa e Lirë: A është bërë ndonjë kalkulim, se nëse fillon zbatimi i marrëveshjes, dhe qytetarët e asaj pjese paguajnë faturat e shpenzuara, sa do kursejnë institucionet, qoftë KOSTT-i apo Qeveria?

Jeton Mehmeti: Realisht, ne mund të bazohemi në kalkulimet se sa ka kushtuar në muajt e mëhershëm, mirëpo ne nuk mund t’i parashikojmë kalkulimit apo t’i parashikojmë çmimet e energjisë elektrike për muajt e ardhshëm.

Mirëpo, nëse ne e marrim sasinë e energjisë së harxhuar dhe e kalkulojmë me çmimin mesatar, me çmimin referent i cili është sot, vlera e energjisë elektrike, sidomos në muajt e dimrit, është jashtëzakonisht e lartë.

Vitin e kaluar, unë e mbaj mend që një faturë e një muaji ka qenë rreth 12 milionë euro. Ndërsa, këtë vit, këtë dimër, mund të jetë edhe më i lartë për shkak se çmimi i energjisë elektrike pothuajse është dyfishuar.

Radio Evropa e Lirë: Qe sa kohë KOSTT-i nuk ka qasje në nënstacionin e Vallaçit, i cili gjendet në Mitrovicën e Veriut?

Jeton Mehmeti: Në nënstacionin e Vallaçit ne herë pas herë kemi pasur qasje të nevojshme, të cilat kanë qenë në suaza të komunikimit apo në suaza të veprimeve minore.

Mirëpo qasja e përgjithshme apo menaxhimi i Vallaçit nuk ka qenë asnjëherë në menaxhim të KOSTT-it që nga pas lufta, për shkak se nuk kemi pasur qasje në veri dhe as qasje as në Vallaç për menaxhim. Operatorët që janë në Vallaç, janë operatorë të cilët janë paguar nga EPS (Elektroprivreda Srbije) apo EMS (Elektromrezha Srbije) nuk e kam të qartë saktë se si kanë vepruar atje nga strukturat ilegale.

Radio Evropa e Lirë: Po a keni informacione se cila është gjendja e atij nënstacioni, a ka nevojë për investime shtesë dhe a mund të furnizohen katër komunat më atë nënstacion?

Jeton Mehmeti: Infrastruktura, sa kemi informacione nuk është në gjendje të mirë. KOSTT-i gjithmonë në planin e biznesit ka paraparë investime për Vallaçin. Por, duke pasur parasysh mungesën e qasjes atje, ne nuk kemi mundur të investojmë.

Ne gjithmonë do të jemi të gatshëm, të realizojmë planet tona të biznesit dhe planet tona investive. Duke marrë parasysh që ne kemi pritur që te kemi qasje edhe më herët, ne vazhdimisht kemi aprovuar planet investimeve, por nuk kemi pasur qasje dhe as mundësi që të investojmë .

Gjendja nuk është edhe aq e mirë, mendoj se në momentin që do të kemi qasje, do kemi investime të cilat do të rrisin kapacitetet e këtij nënstacioni, që sigurisht do sigurojë furnizim më të mirë dhe kualitativ për qytetarët e asaj pjese, duke përfshirë edhe komunat në veri por edhe pjesën tjetër të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë dimri nga pret, kur kemi parasysh krizën globale të energjisë?

Jeton Mehmeti: Unë shpresoj që do të merren masat e nevojshme për të pasur një dimër sa më të lehtë. Domethënë, nuk është në përgjegjësinë e KOSTT-it çështja e furnizimit me energji elektrike. I kemi të licencuarit të cilët janë të obliguar për të përmbushur marrëveshjen, kontratat e tyre për furnizim me energji elektrike të konsumatorit universal. KOSTT-i është vetëm palë balancuese në rast se kemi shkëputje të prodhimit për një periudhë të caktuar.

Por, gjithmonë palët të cilat dështojnë në furnizim me energji elektrike janë përgjegjëse, që është KESCO që është përgjegjëse për furnizim me energji elektrike. Gjithashtu, gjenerimi që është palë përgjegjëse KEK-u.

Në rast se dështojnë blloqet e KEK-ut, ne do ta kemi një dimër të vështirë, por shpresoj që do të kemi fat dhe të mos kemi probleme me blloqet e KEK-ut.

Pjesa tjetër e cila importohet është përgjegjësi e KESCO-s dhe nuk e di, nuk e kam të qartë së çfarë plani ka KESCO, gjithashtu dhe Qeveria për furnizimin me energji elektrike. Unë shpresoj të kemi një plan konkret dhe një strategji konkrete se si ta kalojmë këtë dimër.

Por, meqenëse nuk është në fushëveprimin e KOSTT-it furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës, unë mund të deklarohem vetëm për atë pjesë e cila na takon neve. Vitin e kaluar kemi pasur shumë vështirësi. Në rastin konkret, vitin e kaluar kemi pasur edhe devijime në sasi shumë të mëdha, për të cilat kemi marrë edhe vërejtje nga ENTSOE.

Siç e dini, KOSTT-i ka një marrëveshje të kyçjes me ENTSOE dhe ne kemi obligime ndaj komunitetit evropian dhe gjithashtu ndaj ENTSOE-s, për mos-shkeljen e këtyre kushteve që i kemi përgjegjësi në marrëveshje.Vitin e kaluar kemi pasur probleme, mirëpo shpresoj që këtë vit të mos kemi probleme dhe të respektojmë kushtet sipas marrëveshjes.

XS
SM
MD
LG