KDI shpreh shqetësim për mosfinalizim të procesit të konstituimit të Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dalë me një reagim publik në pasditen e së martës, duke shprehur shqetësim pse nuk është përmbyllur procesi i konstituimit të Kuvendit.
KDI-ja i ka theksuar edhe ato që i ka quajtur shkelje procedurale nga ana e kryetarit të Kuvendit, kur është ndarë procedura e votimit për dy nënkryetarët nga pakicat.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënvizon thelbësisht nevojën për konsensus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve”, ka thënë KDI-ja në reagimin e vet.
Ky Institut u ka bërë thirrje subjekteve parlamentare që me përgjegjësi institucionale, dhe duke pasur prioritet interesin shtetëror, të përkushtohen për të gjetur një zgjidhje që përmbyll sa më parë procesin e konstituimit të Kuvendit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Muja: Gabim historik mosvotimi i Rashiqit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e ka përshkruar si "gabim historik" mosvotimin e deputetit Nenad Rashiq si nënkryetar Kuvendi nga radhët e komunitetit serb.
Rashiqi është kryetar i partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Basha ndërpret seancën në mungesë konsensusi
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën e Kuvendit në mungesë konsensusi për emrin e nënkryetarit serb.
Duke qenë se asnjëri prej kandidatëve të dalë nga shorti nuk i kanë siguruar votat e nevojshme, ai ka kërkuar ndaljen e punimeve, për t’u takuar sërish të enjten në orën 11:00.
Nenad Rashiq, propozimi i ri që nuk kalon
Kryetari i Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq ka qenë propozimi i radhës për nënkryetar Kuvendi.
Ai i ka siguruar vota 55 për, një kundër dhe 17 abstenime, duke mos u zgjedhur nënkryetar.