Ndërlidhjet

Takimi Kurti-Mustafa, pa marrëveshje për koalicion


Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një takimi të zhvilluar kohë më parë.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë një takimi të zhvilluar kohë më parë.

Takimi i ditës së mërkurë ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përfunduar pa një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Pas takimit, Lëvizja Vetëvendosje tha se ka pasur përafrim qëndrimesh ndërmjet dy palëve.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, pas takimit të Kurtit me Mustafën, u shpreh se të dy liderët kanë bërë lëvizje në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje.

“Takimi që ka filluar sot në orën 15, tanimë ka përfunduar. Kemi lëvizje në përpjekjen për të arritur marrëveshjen në mes të dy palëve. Do të kemi edhe një takim të radhës nesër. Për detajet, ju njoftojmë nesër”, ka thënë Mustafa.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, para takimit të së mërkurës, kishte shprehur besimin se një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës për koalicion qeverisës është afër. Këtë deklaratë ai e ka bërë para se të nisej në takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

“Shpresoj që tash, pasi që kanë rifilluar bisedimet, do të shkojmë me shpejtësi drejtë arritjes së marrëveshjes, e cila edhe është e pritshme”, tha Kurti.

Takimi i sotëm i liderëve të dy partive që synojnë koalicionin qeverisës, ka qenë i dyti, pas takimit të ditës së martë, i cili ndodhi pas një ndërprerjeje të takimeve që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, kur për kryetar të Kuvendit u emëruar dhe u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në negociatat e mëhershme për koalicion qeverisës ndërmjet dy partive, posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ishte paraparë që t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më herët, pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Arbërie Nagavci, ka theksuar që Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë ofertën e saj për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe tashmë pret të kuptoj kërkesat e kësaj të fundit.

“Së pari duhet të dimë çfarë kërkon LDK-ja. Pra, unë mendoj që është rëndësishme që ta dimë. Kemi pasur edhe deklarata publike të deputetëve të caktuar dhe duhet të dimë se çfarë po kërkon LDK-ja. Ofertë, Kurti e ka bërë të ditur qartësisht. Pra, ne presim që LDK-ja të propozojë gjashtë emrat (për dikasteret qeveritare dhe zëvendëskryeministrin e parë). Ajo është oferta që ne e kemi bërë dhe nuk ka ndonjë përgjigje prej asaj”, tha Nagavci.

Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu ka njoftuar të mërkurën se do ta bëjë propozimin e mandatarit për kryeministër të Kosovës, por ajo nuk ka sqaruar se kur saktësisht do ta dërgojë propozimin e emrit të mandatarit te presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Ky i fundit, i ka dhënë afat prej 48 orësh liderit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtit, për propozimin e mandatarit për kryeministër të vendit. Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00.

Nagavci ka thënë që propozimi i mandatarit për kryeministër, do t’i dërgohet presidentit përmes një shkrese formale, në ditët në vijim.

“Në bazë të Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje, në ditët në vijim, do t’i dërgojë shkresë formale presidentit, me emrin e personit që do ta mandatojmë për kryeministër. Pas kësaj presim që, po ashtu sipas Kushtetutës, presidenti të dekretojë të propozuarin tonë dhe letrën formale ta dërgojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Nagavci.

Kujtojmë se Kurti dhe Thaçi janë takuar të hënën për konsultime lidhur me caktimin e mandatarit për qeverinë e re. Por, Kurti ka shkuar në këtë takim pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën synon një koalicion për formimin e qeverisë së re.

*Video: Takimi Thaçi-Kurti

Pamje nga takimi Thaçi-Kurti
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:32 0:00

Më pas, presidenti Thaçi, i ka dhënë Kurtit afat prej 48 orësh që të propozojë mandatarin, para se, siç ka thënë ai, “të ndërmarrë hapa të ardhshëm kushtetues dhe ligjor”.

XS
SM
MD
LG