Ndërlidhjet

Thaçi takon Kurtin, ende pa mandatar për kryeministër


Pamje nga takimi Thaçi-Kurti
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:32 0:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku kanë diskutuar për mandatarin, përkatësisht kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Kurti, si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, është kandidati i vetëm për kryeministër të vendit.

Pas takimit, Kurti deklaroi se presidenti Thaçi ka kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë emrin për mandatarin, por Kurti tha se këtë gjë do ta bëjnë përmes një shkrese.

“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, me ftesën e këtij të fundit. Ky ishte një takim i shkurtër konsultativ, pa efekte juridike. Në këtë takim disa minutësh unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin e tij për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por njëkohësisht tha që se e di se ju nevojitet një kohë e caktuar për këtë gjë. Por, gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin".

"Mirëpo, në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe Aktgjykimit siç e kemi lexuar ne, është e nevojshme që ne këtë ta bëjmë me një shkresë me shkrim. Prandaj, për këtë kërkesë të presidentit në këtë takim konsultativ unë do të raportoj në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe sa më parë që të mundemi do t’ia sjellim presidentit të Republikës propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm që ai duhet ta mandatojë sipas obligimit kushtetues që ka, në bazë të funksionit që ushtron”, tha Kurti.

Ndërkaq, presidenti Thaçi, pas takimit me Kurtin, përmes një postimi në Facebook tha se lideri i Vetëvendosjes nuk "ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje".

"Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore", tha presidenti Thaçi.

Ky takim vjen pas tri ftesave që presidenti Thaçi i ka dërguar Kurtit. Dy ftesat e para, të cilat i ka dërguar presidenti Thaçi, më 27 dhjetor të vitit 2019, janë refuzuar nga Kurti, ndërkaq ndaj ftesës së tretë të presidentit, të dërguar më 30 dhjetor, për një takim të mundshëm me 31 dhjetor në orën 10:00, Kurti sërish e kishte refuzuar takimin e propozuar për datën 31 dhjetor dhe kishte propozuar datën 6 janar për zhvillimin e takimit, gjë që u realizua.

Para takimit me presidentin Thaçi, Kurti përmes një video-mesazhi tha se në këtë takim po shkon pa një marrëveshje për koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk më është bërë e mundur një takim me kryetarin e LDK-së, para këtij takimi të sotëm me presidentin e shtetit. Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësuesi i juaj politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur”, tha Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot gjatë ditës ka mbajtur fillimisht mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe më pas edhe të Kryesisë.

Pas mbledhjes së Kryesisë, LDK-ja përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se është e gatshme të vazhdojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me arritjen e një marrëveshjeje për koalicionin qeverisës.

“LDK-ja vlerёson se pushtetet e balancuara dhe pёrgjegjёsitё e pёrbashkёta janё jetike pёr funksionimin e koalicionit tё mundshёm, si dhe pёr funksionimin demokratik tё institucioneve. LDK-ja fton Lёvizjen Vetёvendosje qё tё reflektojё mbi bazёn e kёtij parimi, nё bazё tё tё cilit edhe ёshtё ndёrtuar qёndrimi i LDK-sё lidhur ndarjen e pushteteve dhe balancin ndёrmjet tyre”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas Kushtetutës, rrjedhja e afatit prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re të Kosovës nis që nga momenti kur presidenti i vendit e mandaton të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të ardhshëm, gjë që gjatë takimit të së hënës nuk ndodhi.

Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.

Në anën tjetër, që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës.

Të dy këto subjekte politike, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 27 nëntor, kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse. Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor, është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të kuvendit.

Megjithatë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti, më 30 dhjetor ka thënë se pret që pas konstituimit të Kuvendit, fokusi të drejtohet “në bërjen e koalicionit qeverisës”.

“Çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Të dy partitë, LVV dhe LDK, kanë paralajmëruar se do t’i qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të të dy partive.

XS
SM
MD
LG