Ndërlidhjet

Macron: Perëndimi po përballet me rritje të paparë të antisemitizmit


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke folur gjatë darkës vjetore të Këshillit Përfaqësues të Institucioneve Hebreje Franceze

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u ka thënë një grupi liderësh të komunitetit hebre që antisemitizmi global ka arritur nivelin më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore.

Komentet e tij më 20 shkurt pasuan daljen nëpër rrugët e Francës të mijëra njerëzve për të denoncuar krimet nga urrejtja dhe antisemitizmi.

Macron tha në darkën vjetore të Këshillit Përfaqësues të Institucioneve Hebreje Franceze se antisemitizmi është rritur ndjeshëm në vitet e fundit "dhe situata është bërë më keq në javët e fundit".

"Sa i përket kësaj çështjeje vendi ynë, po edhe gjithë Evropa, si dhe shumica e demokracive perëndimore, duket se po përballet me një ringjallje të antisemitizmit të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore", shtoi Macron.

Presidenti Macron tha se Franca do të miratojë një përkufizim të antisemitizmit të hartuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Kujtimin e Holokaustit.

Përkufizimi thotë se antisemitizmi mund të marrë formën e "mohimit të popullit hebre për të drejtën e tijpër vetëvendosje, për shembull, duke pretenduar se ekzistenca e një shteti të Izraelit është një përpjekje raciste".

Më 19 shkurt, Macron vizitoi një varrezë në rajonin e Alsace, pranë kufirit gjerman, ku u vandalizuan 96 varreza hebreje.

"Do të veprojmë, do të miratojmë ligje, ne do të dënojmë", tha Macron gjatë vizitës.

Gjithashtu, më 19 shkurt, mijëra njerëz marshuan në rreth 70 tubime në të gjithë Francën, duke denoncuar antisemitizmin, me disa pankarta ku shkruante “Mjaft më".

Të dhënat zyrtare kanë treguar se ka pasur një rritje prej 74 për qind të sulmeve antisemite në Francë vitin e kaluar.

Të dhënat e krimit nga Gjermania, të publikuara javën e kaluar zbuluan se shkeljet antisemite ishin rritur me 10 për qind gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë një rritje prej 60 për qind të sulmeve fizike.

Kohë më parë, Bashkimi Evropian shfaqi shqetësimin, lidhur me rezultatet e një hulumtimi, sipas të cilit nëntë nga dhjetë hebrenjtë evropianë besojnë se antisemitizmi është rritur në pesë vjetët e fundit.

Agjencia e BE-së për të drejtat themelore deklaroi se 85 për qind e të anketuarve besojnë se antisemitizmi është një problem madhor në vendin e tyre, ndërkaq 38 për qind mendojnë se ky problem po largohet.

“Sa herë që bashkësitë kundërshtojnë njëra-tjetrën, sa herë që politika e identiteti gjenden përsëri në lojë, atëherë viktimat e para janë gjithmonë hebrenj”, tha zëvëndëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timermans, transmeton AFP.

Në vitet 1930, antisemitizmi i sponsorizuar nga shteti në Gjermaninë naziste, hapi rrugën për Holokaustin, në të cilin u vranë gjashtë milionë hebrenj.

Timermans tha se është detyrë e çdo politikani evropian dhe çdo partie të luftojë kundër antisemitizmit, në nivel kombëtar apo lokal, duke bërë thirrje për trajnime më të mira për oficerët e policisë dhe mësuesit në vendet anëtare, në mënyrë që të përmirësohet siguria dhe të parandalohet një barrë e pabarabartë mbi supet e komuniteti hebre.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG