Mbretresha britanike Elizabeta II u varros në faltoren e Shën Xhorxhit në Pallatin Uindsor më 19 shtator. Ajo është varrosur afër burrit të saj të ndjerë.
Në ceremoninë private të varrimit kanë marrë pjesë anëtarët e familjes mbretërore, në krye me Mbretin Charles III.
Detajet e kësaj ceremonie nuk janë bërë publike dhe Pallati Bakingam e ka quajtur "një ngjarje thellësisht personale" të familjes mbretërore britanike.
Kësaj ceremonie i parapriu një ceremoni shtetërore e varrimit.
Në Pallatin Uindsor, udhëheqësi i ceremonisë shtetërore të varrimit, David Conner, u ka thënë mysafirëve se janë mbledhur për “t’ia dorëzuar Zotit, shpirtin e shërbëtores së tij, Mbretëreshës Elizabeta”.
“Në kohën e ndryshimeve kaq të shpejta, në këtë botë me probleme, qetësia e saj dhe prezenca dinjitoze, na ka dhënë besim për t’u përballur me të ardhmen, ashtu siç është përballur ajo, me kurajë dhe shpresë”.
Kjo ceremoni është përmbyllur me këngë kishtare.
Në të kanë marrë pjesë rreth 800 persona.
Si nisi ceremonia?
Ceremonia e varrimit të saj ka nisur në mesditë, në Kishën Uestminister të Londrës.
Në këtë Kishë, në të kaluarën, ajo është martuar dhe është shpallur mbretëreshë.
Në mesin e 2.000 të ftuarve kanë qenë liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, dhe qindra udhëheqës tjerë shtetesh.
E pranishme në këtë ceremoni ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Dashuria, përkushtimi dhe bujaria, janë virtytet për të cilat do të kujtohet përherë! Pusho në paqe Mbretëreshë!” ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.
Udhëheqësi i ceremonisë në Kishën Uestminister, David Hoyle, ka vlerësuar shërbimin e kryer nga Mbretëresha gjithë jetën e saj.
Mbreti Charles III, ka qëndruar mbrapa arkivolit të mbretëreshës së ndjerë.
Ceremonia është përcjellë me muzikë kishtare dhe lexim të Biblës.
Kryepeshkopi i Kantburit, Justin Welby, e ka përfshirë në predikimin e tij shprehjen e përdorur nga Mbretëresha, “ne do të takohemi sërish”.
Ajo e pati përdorur këtë shprehje në një adresim të rrallë para kombit, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
“Dhimbja e kësaj dite – e ndjerë jo vetëm nga familja e mbretëreshës, por edhe nga i gjithë kombi, dhe vendet tjera në botë – lind nga jeta dhe shërbimi i saj i bollshëm".
Ceremonia në këtë kishë ka përfunduar me dy minuta heshtje.
Arkivoli i Mbretëreshës më pas ka kryer një shëtitje të fundit në Londër, para se të dërgohej në Kështjellën Uindsor.
Dita e varrimit ka qenë emocionale për shumë britanikë.
Britania nuk ka organizuar ceremoni të tilla varrimi që 60 vjet, përkatësisht që nga varrimi i ish-kryeministrit, Winston Churchill.
Kush nuk është ftuar?
Për shkak të raporteve të tensionuara, Mbretëria e Bashkuar ka ftuar ambasadorët – jo krerët e shtetit – të disa shteteve, sikurse Iranit, Nikaraguas dhe Koresë së Veriut.
Rusia dhe Bjellorusia janë në mesin e një grupi të vogël që nuk janë ftuar fare në varrim për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin – ndaj të cilit Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione për udhëtim – veçse ka thënë se nuk do të mund të marrë pjesë në varrim.
Në këtë ceremoni nuk janë ftuar as liderët talibanë afganë dhe as ata të Mianmarit, Sirisë dhe Venezuelës.
"E mbaj mend përgjatë gjithë jetës sime"
Qindra mijëra persona dolën nëpër rrugët e Londrës, nëpër të cilat ka kaluar arkivoli i Mbretëreshës.
Miliona të tjerë është thënë se do ta përcjellin ceremoninë mortore përmes transmetimeve të drejtpërdrejta.
Agjencia e lajmeve, Reuters, ka biseduar me dhjetëra persona që kanë udhëtuar nga rajone të ndryshme të Britanisë për të nderuar Mbretëreshën e ndjerë.
“Ajo ka qenë e pranishme te ne për kohë të gjatë, prandaj të gjithë e kemi marrë për të sigurt atë fakt. Jam këtu, sepse ajo është pjesë e historisë”, ka thënë Alexandra Stevenson, infermiere 35-vjeçare nga Londra.
“Atë e mbaj mend përgjatë gjithë jetës sime. Nuk jam shumë e dhënë pas familjes mbretërore, mirëpo më ka pëlqyer mbretëresha”, ka thënë Vicky McConkey, 70-vjeçare nga Londra.
“Atë e kemi quajtur shefe. Kam ardhur për ta respektuar. Jam veshur, i kam shkëlqyer këpucët, gjithçka”, ka thënë Mario Reid, veteran që ka shërbyer 22 vjet me inxhinierët në familjen mbretërore.
“Jam nga komuniteti i Karaibeve, dhe ne e festojmë jetën në vend që të vajtojmë – mirëpo e bëjmë këtë gjë me respekt”, ka thënë Craig Chambers, 32-vjeçar, punëtor në hekurudha.
Mbretëresha Elizabeta II ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare në Kështjellën Balmoral të Skocisë.
Ajo ka qenë në fron për 70 vjet – më shumë se çdo monark tjetër i Mbretërisë së Bashkuar.
Fronin e ka trashëguar djali i saj i madh, Charles, i cili tani njihet me emrin Mbreti Charles III.
Pallati Bakingam ka thënë se vetë Mbretëresha Elizabeta II - sa ka qenë gjallë - ka shtuar detaje personale në planin për ceremoninë e varrimit të saj.
Kisha e Uestministerit, ku është mbajtur shërbesa fetare, është vendi ku janë kurorëzuar mbretërit e mbretëreshat e Britanisë, përfshirë edhe Elizabeta II më 1953.
Në këtë kishë ajo është martuar me Princin Philip më 1947.
Në Uestminister nuk është mbajtur asnjë ceremoni mortore e monarkëve që nga shekulli i 18-të, edhe pse më 2002, aty është organizuar ceremonia e varrimit të Nënës Mbretëreshë, nënës së Elizabeta II.
*Video nga arkivi: Mbretërimi shtatë dekadësh i Elizabeta II
Sfidat e sigurisë
Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, ka thënë se varrimi shtetëror i Mbretëreshës Elizabeta II paraqet një sfidë “të pashembullt” sigurie, pasi qindra mijëra persona do të jenë në Londër.
“Kanë kaluar dekada qëkur ne kemi pasur kaq shumë liderë botërorë në një vend. Kjo është situatë e pashembullt... në raport me gjërat e tjera që ne po trajtojmë njëkohësisht”.
Ai ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se mund të ketë persona që duan t’iu bëjnë keq liderëve botërorë, prandaj, “ne po punojmë jashtëzakonisht fort – policia, shërbimet e sigurisë dhe shumë të tjerë – për t’u siguruar që varrimi shtetëror të shkojë si duhet”.
Mbi 10.000 policë do të ofrojnë siguri në Londër të hënën. Qindra vullnetarë dhe anëtarë të ushtrisë po ashtu do të jenë në detyrë.
Për shkaqe sigurie, autoritetet në Londër kanë ndaluar fluturimin e përkohshëm të dronëve, ndërkaq aeroporti Hithrou do të ndalojë fluturimet, me qëllim që të mos krijohet zhurmë gjatë funeralit të monarkes.
Sfidë tjetër e sigurisë do të jenë turmat e njerëzve. Arkivoli i Mbretëreshës do të udhëtojë nëpër Londër në një distancë prej 32 kilometrash dhe e gjithë rrugët që do të përshkojë kortezhi mortor, do të ketë barriera. Kjo pasi, anash pritet të mblidhen afër qindra mijëra persona.