Ndërlidhjet

Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.
Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli në Hagë. Fotografi nga arkivi.

Çfarë u tha në ditën e katërt të deklaratave përmbyllëse në Hagë?

• Më 12 shkurt u zhvillua dita e katërt e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Veselit tha se ai është tërësisht i pafajshëm dhe nëse dënohet do të ishte një padrejtësi e madhe. Ndërkaq, mbrojtja e Selimit argumentoi se nuk ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe të akuzuarit nuk ishin pjesë e një ndërmarrjeje të tillë që synonte marrjen nën kontroll të Kosovës dhe luftimin e kundërshtarëve.

• Mbrojtja e Thaçit më herët ka përmbyllur deklaratën përfundimtare, duke argumentuar se nëse ai dënohet do të ishte "padrejtësi ligjore dhe historike". Prokuroria ka kërkuar që katër të akuzuarit të dënohen me nga 45 vjet burgim e cilësoi si "burgim të përjetshëm".

• Fjalët e fundit i kanë thënë edhe Prokuroria me mbrojtësit e viktimave.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Në këtë proces gjykohen krimet që pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

16:22 12.2.2026

Mbrojtja e Selimit flet për Adem Jasharin

Avokati Roberts tha se si anëtarë të dyshuar të NPK-së përmenden shumë emra, që nuk janë të akuzuarit, dhe Prokuroria synon të bëjë lidhjen e tyre me të akuzuarit duke pretenduar qëllimin e përbashkët kriminal.

Ai tha se në këtë proces nga Prokuroria është përmendur edhe Adem Jashari, duke kujtuar se ai përmendet kur ka luftuar në fillim të 1998-ës në Prekaz, por Roberts shtoi se nuk përmendet fare “masakra që i ka ndodhur kësaj familjeje".

“Përmendet edhe në raste të tjera që është takuar me Veselin dhe Thaçin më 1992, apo që është prezantuar me Selimin nga Sulejman Selimi më 1994. Po ashtu, thuhet se më 4 mars 1998 është takuar me Selimin, Sabit Gecin, Rrahman Ramë e të tjerë” për të diskutuar për armët dhe UÇK-në.

“Përfundimi i logjikshëm që ka nxjerrë ZPS që këto lidhje mes të akuzuarve dhe Adem Jasharit janë relevante për argumente të ZPS-së apo NPK-së”, tha Roberts.

Ai tha se mendon që Prokuroria e bënë këtë sepse sipas tyre “edhe Adem Jashari është anëtar i pretenduar i NPK të cilit nuk ia përmendin emrin. Pra, nuk mund të diskutosh thelbin e NPK dhe të pretendosh që çdo anëtar i lartë i UÇK-së ka qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje, përfshirë këtu edhe Adem Jasharin”.

“Megjithatë, unë mendoj që nëse e pyet Prokurorinë ajo s’mund të përgjigjet. Nëse e pyesni a ka qenë Adem Jashari pjesë e kësaj NPK-së që pretendoni ju sepse po të ishte kështu prokuroria do të ishte në gjendje ta vërtetojë këtë”, tha ai.

16:41 12.2.2026

Mbrojtja kundërshton se komunikatat e UÇK ishin udhëzime për kryerjen e krimeve

Avokati Geoffrey Roberts kundërshtoi pretendimet e ZPS-së se komunikatat e UÇK-së kishin dy funksione: Ishin si udhëzime që u jepeshin komandantëve të zonave që të shënjestronin bashkëpunëtorët, por shërbenin edhe si paralajmërim për kundërshtarët e mundshëm dhe ata aktualë.

Ai tha se klienti i tij nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e këtyre komunikatave.

Ai përmendi një rast nga dosja e Prokurorisë, ku Selimi kishte kërkuar lirimin e një të ndaluari, që ishte marrë në pyetje nga UÇK-ja, nën dyshimet se ishte bashkëpunëtor i Serbisë.

Roberts po ashtu tha se disa ndalime nga komandantët e zonave u kryen pa dijeninë e Shtabit të Përgjithshëm dhe ato u fshehën nga Shtabi, duke argumentuar se “kjo mungesë logjike” e pretendimit të ZPS-së se komunikatat ishin udhëzime “është befasuese”.

17:27 12.2.2026

Mbrojtja thotë se ZPS nuk ka ofruar dëshmi se Selimi ka kontribuar në NPK

Mbrojtja e Selimit ka vazhduar me argumentimin kundër pretendimit të ZPS-së për kontributin e të akuzuarit në NPK për kryerjen e krimeve të pretenduara.

ZPS, tha avokati Roberts, bazohet në autoritetet e pretenduar të Selimit dhe ky autoritet ka kontribuar në kryerjen e krimeve.

“Kjo është e pamjaftueshme”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Prokuroria nuk ka argumentuar se si e mbështet pretendimin se Selimi ishte inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së deri në korrik të vitit 1998.

Ai tha se nuk ka prova për kohën kur Selimi u emërua dhe nuk ofron asnjë dëshmitar për këtë çështje.

Lidhur me rolin e Selimit si inspektor, ZPS, tha Roberts, e ka vendosur atë në nivel të komandantit të përgjithshëm dhe ishte mbi drejtoritë.

“Asnjë dëshmitar nuk ka dhënë prova për këtë pikë dhe dëshmia e paqartë e Thaçit gjatë intervistimit nga ZPS-ja, që mbështetet kryesisht ZPS-ja, nuk mund të cilësohet e banueshme sepse Selimi s’pati mundësi t’i bënte pyetje zotit Thaçi”, tha Roberts.

Ai argumentoi se Selimi nga ky post nuk kishte autoritet të shqiptonte masa disiplinore dhe as nuk është thënë nga Prokuroria se Inspektorati ka pasur strukturë.

Ai tha se dëshmitë e vendosin Selimin si ndihmues apo asistent për komandantin e përgjithshëm nga posti i inspektorit.

17:36 12.2.2026

Roberts pretendon se një dëshmitar gënjeu në këmbim të kompensimit financiar

Avokati Roberts ka vazhduar me paraqitjen e argumenteve të tij kundër pjesëmarrjes së Selimit në krime.

Ai përmendi një incident në Likoc në gusht të 1998, ku Prokuroria pretendon se Selimi ka marrë pjesë në marrjen në pyetje të një të ndaluari.

Sipas tij, ky dëshmitar gënjeu trupin gjykues dhe madje gjatë dëshmisë tha se Selimi e kishte rrahur.

“Kompensimi financiar që dëshmitari i ka pranuar ZPS-së se ishte i interesuar, duket se të ketë mjaftuar që ky dëshmitar t’i gënjente sy për sy trupi gjykues”, tha Roberts.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG