Ndërlidhjet

Mueller rekomandon lirimin e Flynnit nga dënimi me burgim


Këshilltari Special në Shtetet e Bashkuara, Robert Mueller

Këshilltari Special në Shtetet e Bashkuara, Robert Mueller, që heton lidhjet e mundshme në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe zyrtarëve rusë, ka rekomanduar se Këshilltari i parë i Trumpit për Siguri Kombëtare, Michael Flynn nuk duhet të përballet me burgim kur të dënohet nga gjykata.

Memorandumi për dënimin e tij, i publikuar më 4 dhjetor nga Robert Mueller ka ofruar disa të dhëna lidhur me shkallën e bashkëpunimit që ka pasur Flynn me hetuesit.

Mirëpo sipas memorandumit, Flynn ka ofruar “ndihmë të konsiderueshme” dhe ka dhënë informacione lidhur me koordinimin në mes të Qeverisë ruse dhe fushatës së Trumpit.

Flynn pritet të dënohet nga një gjykatë amerikane më vonë gjatë këtij muaji.

Ky njoftim njëherësh përbën zhvillimin e fundit në hetimet e Muellerit që kanë përcjellur Trumpin edhe para se të niste presidencën në janar të vitit 2017.

Flynn, një gjeneral-lejtnant i pensionuar dhe ish-drejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e Inteligjencës së Pentagonit, ka qenë këshilltar i lartë në fushatën e Trumpit për zgjedhje presidenciale më 2016 dhe më pas Trump e pati emëruar në pozitën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare, një pozitë e fuqishme në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, nominimi i Flynnit është përcjellur nga raportimet se ai ka pasur biseda sekrete me ambsadorin rus në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak.
Sipas të dhënave të gjykatës, Flynn ka biseduar me Kislyak në dhjetor të vitit 2016, vetëm disa javë pas fitores së Trumpit si president dhe vetëm pak kohë pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, në përgjigje të përfundimeve të inteligjencës amerikane se Moska ka ndërhyrë në zgjedhje.

Përveç tjerash, Obama edhe pati dëbuar 35 diplomatë rusë.

Sipas dokumenteve të gjykatës dhe raportimeve të mediave, Flynn ka tentuar të bindë Kislyak t’i thotë Kremlinit që të mos hakmerret për sanksionet amerikane.

Ai po ashtu është thënë të ketë diskutuar me Kislyak për një votim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Izraelin.

Flynn është marrë në pyetje nga hetuesit e FBI-së në javët e ardhshme dhe në shkurt të vitit 2017, vetëm disa javë pasi Trump ka nisur udhëheqësinë, ai ka detyruar Flynnin të japë dorëheqje pas raporteve se ai ka mashtruar nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe zyrtarë tjerë të administratës.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, 10 muaj pasi është shkarkuar nga pozita, Flynn ka pranuar akuzat se ka gënjyer FBI-në lidhur me këto biseda me të dërguarin rus dhe është pajtuar për të bashkëpunuar me zyrtarë të zbatimit të ligjit, të cilët janë duke hetuar lidhje më të gjera me zyrtarët rusë.

Mirëpo gjendja e Flynnit ka prekur drejtpërdrejt edhe vetë Trumpin.

Më 14 dhjetor të vitit 2017, një ditë pasi Flynn është shkakuar, Trump është takuar me drejtorin e atëhershëm të FBI-së, James Comey.

Sipas dëshmisë që Comey ka dhënë para Kongresit, Trump ka përmendur situatën e Flynnit duke i thënë se “Shpresoj se mund të tejkalohet kjo gjë”.

Vetëm tre muaj më vonë, Trump ka shkarkuar Comeyn nga pozita dhe Mueller, ish-drejtor i FBI-së është emëruar më pas nga Departamenti i Drejtësisë për të marrë përsipër hetimet e FBI-së.

Trump ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje gjatë në bisedat e tij me Comeyn, mirëpo disa ekspertë ligjorë kanë thënë se nëse Trump ka synuar të ndikojë Comeyn, apo edhe gjithë hetimin e FBI-së rreth Flynnit, një gjë e tillë konsiderohet pengim i drejtësisë dhe përbën krim më vete.

Mirëpo dënimi i Flynnit nuk është zhvillimi fundit ligjor që është duke shkaktuar probleme për Trumpin.

Ish-udhëheqësi i fushatës së tij, Paul Manafort, përballet me akuza të reja për gënjim të hetuesve të FBI-së, akuza të cilat janë vënë në krye të dënimit të tij të mëparshëm për mashtrime bankare dhe të atyre me taksa, që kanë qenë të lidhura me punën e tij lobuese për disa politikanë ukrainas.

Manafort po ashtu është deklaruar fajtor edhe për dy akuza për komplot, në një rast të lidhur.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG