Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
10:21 5.10.2026

Gruda: Projektligji heq një pjesë të juridiksionit të Speciales

Deputeti i PDK-së dhe propozuesi i projektligjit, Përparim Gruda, tha para Kuvendit se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur në thelb me pretendimet për trafikim organesh.

Sipas tij, proceset gjyqësore të zhvilluara në Hagë kanë treguar se nuk ka pasur trafikim organesh.

Gruda tha se ndryshimet e propozuara nuk ia heqin Speciales të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t'ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.

Ai argumentoi se juridiksioni i paraparë fillimisht për Dhomat e Specializuara nuk synonte që ato të trajtonin raste që, sipas tij, nuk lidhen me pretendimet mbi të cilat u krijua gjykata.

Përparim Gruda
Përparim Gruda
10:13 5.10.2026

Nis seanca

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, me më shumë se një orë vonesë.

Pas votimit për konstatimin e pranisë, është bërë e ditur se në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.

Pika e parë në rendin e ditës është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

10:12 5.10.2026

Deputetët po mblidhen në sallë

Deputetët kanë nisur të mblidhen në sallën e Kuvendit, ndërsa pritet fillimi i seancës për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Në sallë tashmë shihen deputetë nga disa parti parlamentare.

Seanca ishte paraparë të niste në orën 09:00 dhe tashmë është me më shumë se një orë vonesë.

10:00 5.10.2026

Një orë vonesë, seanca nuk ka nisur ende

Ka kaluar saktësisht një orë nga koha kur ishte paraparë të niste seanca e Kuvendit për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Seanca ende nuk ka filluar, ndonëse në sallë tashmë vërehet një numër më i madh i deputetëve të pranishëm.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG