Ndërlidhjet

Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.
Protestuesit djegin kontejnerë në rrugë pranë Kuvendit të Kosovës.

Përfundon protesta pas përplasjeve, ndryshimet në ligjin për Specialen s’u miratuan përfundimisht

  • Gjashtë policë u lënduan, 11 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore dhe tre protestues u shoqëruan në stacion, sipas Policisë së Kosovës, gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.
  • Situata u qetësua pas përplasjeve disaorëshe, gjatë të cilave policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa protestuesit hodhën shishe dhe mjete piroteknike. Protestuesit u kthyen në sheshin “Skënderbeu”, ku iu bashkuan deputetë të PDK-së dhe AAK-së, para se të shpërndaheshin të qetë pak para mesnatës.
  • Kuvendi miratoi në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Specialen, që parashohin, ndër të tjera, dënim maksimal prej 15 vjetësh burg dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë. Votimi përfundimtar mbetet në pikëpyetje.
  • PDK-ja kërkon miratimin e ndryshimeve para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht. Afati për zgjedhjen e tij përfundon më 6 tetor.
10:42 5.10.2026

Hamza: Nuk po kërkojmë mbylljen e Gjykatës

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë një çështje që, sipas tij, “i tejkalon përmasat e një partie dhe mandatet e disa qeverive”.

“Është një çështje që ka të bëjë me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, tha Hamza.

Sipas tij, vendimi për krijimin e Dhomave të Specializuara kishte qenë i rëndë, por se deputetët që e kishin mbështetur atë, kishin qenë të bindur se pretendimet për trafikim organesh nuk do të vërtetoheshin.

Sipas Hamzës, ajo që ai e quajti “devijim” të gjykatës nga ajo që ishte votuar në Kuvend, është çështje tjetër.

Ai kundërshtoi veçanërisht gjetjet për ndërmarrje të përbashkët kriminale, duke thënë se lufta e UÇK-së “ka qenë e drejtë, e pastër, luftë e popullit të Kosovës”.

“Ne nuk po kërkojmë të mos ketë drejtësi apo të mos gjykohet krimi. Nuk po e mbyllim gjykatën. Po kërkojmë mbikëqyrje, po kërkojmë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës”, tha Hamza.

Bedri Hamza
Bedri Hamza
10:33 5.10.2026

Nagavci: LVV-ja do t'i mbështesë ndryshimet në Ligjin për Specialen

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se çështja që po diskutohet sot në Kuvend është dashur të zgjidhej që në vitin 2015, kur, sipas saj, është dashur të kishte më shumë largpamësi për pasojat.

“Ne si LVV ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara dhe kundër jemi edhe sot”, tha Nagavci.

Ajo kujtoi se ligji për themelimin e Speciales ishte miratuar nga shumica parlamentare e asaj kohe.

“Nuk po e përmendim këtë për t’u ndarë, por nuk mund të mos e kujtojmë”, tha ajo, duke e cilësuar reagimin 11 vjet më vonë si të vonuar.

Megjithatë, Nagavci tha se nëse partitë që e mbështetën krijimin e Speciales në vitin 2015 sot kërkojnë ndryshimin e ligjit, LVV-ja do ta mbështesë nismën.

Arbërie Nagavci
Arbërie Nagavci
10:29 5.10.2026

Gruda: Zotohemi se nuk i ikim drejtësisë

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova dhe me Kushtetutën e vendit.

“Nuk do të përfundojë [te Kushtetuesja në Hagë]. Ky ligj mund të shkojë vetëm në Gjykatën Kushtetuese në Kosovë”, tha Gruda, duke shpjeguar se Gjykata Kushtetuese në Hagë merret vetëm me vendimet e Gjykatës Speciale.

“Me këtë ligj zotohemi se nuk i ikim drejtësisë”, shtoi ai.

Në fund të prezantimit të nismës, Gruda u bëri thirrje deputetëve që ta votojnë projektligjin në lexim të parë.

10:25 5.10.2026

Gruda: Nuk lejojmë të komprometohet historia e Kosovës

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se akuzat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale janë “re e zezë mbi Kosovën”.

“Ky Kuvend nuk duhet ta lejojë këtë”, tha Gruda gjatë prezantimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Nuk mund të lejojmë të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare”, shtoi ai.

Shfaq më shumë

​
XS
SM
MD
LG