Protesta para Kuvendit
Ndërkohë që pritet nisja e seancës së Kuvendit, para ndërtesës së tij janë mbledhur protestues në mbështetje të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protesta me thirrjet "Votojeni ligjin" po zhvillohet në të njëjtën kohë kur deputetët pritet ta shqyrtojnë projektligjin në lexim të parë.
A është konsultuar Specialja për ndryshimet e propozuara?
Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se nuk janë konsultuar për ndryshimet e propozuara në ligjin që rregullon funksionimin e tyre.
Çështja e konsultimit është e rëndësishme, pasi Kosova ishte zotuar në vitin 2014 që të konsultohej me Bashkimin Evropian për nisma ligjore, që mund të ndikojnë në mandatin e Speciales apo në procedurat e saj gjyqësore.
Vetë Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk komentojnë nisma politike.
Deputetët ende nuk janë mbledhur për seancë
Kanë kaluar rreth 30 minuta nga koha kur ishte paraparë të niste seanca e Kuvendit, por ajo nuk ka filluar ende.
Në sallë shihen të pranishëm vetëm disa deputetë të PDK-së - partisë që ka propozuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Shqyrtimi i këtij projektligji është pika e parë në rendin e ditës.
Çfarë parasheh nisma e PDK-së për Specialen?
Derisa presim fillimin e seancës së Kuvendit, ju kujtojmë se nisma e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara prek disa aspekte kyç të funksionimit të tyre:
- Ngushtimin e mandatit të Speciales, duke e lidhur atë me veprat specifike penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.
- Kufizimin e juridiksionit penal në rastet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore, si dhe me vrasje, torturë apo trajtim mizor e çnjerëzor në vende specifike të ndalimit të përmendura në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
- Ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja, nga periudha aktuale janar 1998 - dhjetor 2000, në 1 korrik 1999 - 31 dhjetor 2000.
- Kufizimin e juridiksionit territorial vetëm në veprat e pretenduara të kryera brenda territorit të Kosovës.
- Kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, duke paraparë zbatimin e parimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin.
- Mbajtjen e dënimeve në Kosovë në institucionet korrektuese të vendit.
- Mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara.
- Transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që nuk do të hynin më në juridiksionin e Speciales, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
- Transferimin në Kosovë të personave të ndaluar në rastet që kalojnë tek institucionet vendore. Ata do të duhej të dilnin para një gjyqtari në Kosovë brenda 48 orësh.
- Mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin.
- Rishqyrtimin e juridiksionit të çdo rasti brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. Në rastet me akuza të përziera, do të transferohej vetëm pjesa që nuk hyn në juridiksionin e rishikuar.