Ndërlidhjet

Pas zgjidhjes së emrit, fokusi në përmbushjen e reformave


Pas zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, institucionet e Maqedonisë së Veriut, thonë se prioritet numër një do të kenë zbatimin e reformave, me qëllim marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kjo nuk do të thotë se ne tani duhet të rrimë duarkryq për shkak se kemi mbyllur temat e mëdha politike. Në fakt duhet të përkushtohemi në kryerjen e detyrave tona të brendshme në drejtim të reformës gjyqësore, administratës publike, shërbimeve të inteligjences, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

I pyetur për ngecjen e reformave, Osmani para mbledhjes së komitetit punues qeveritar për çështje evropiane, ka thënë se ngecje mund të ketë, por se qëllimi nuk është në përshpejtimin e reformave, por në cilësinë e tyre.

“Gjithmonë parimi jonë ka qenë cilësia para shpejtësisë. Pra, shumë me rëndësi është që të ketë reforma cilësore, të cilat në esencë do të përmirësojnë punën e këtyre institucioneve shumë të rëndësishme për qytetarët. Por, natyrisht se nuk duhet edhe t'i stërzgjatim këto reforma për shkak se duhet t'i bindim vendet anëtare të BE-së që në qershor të marrim një vendim me konsensus për nisjen e bisedimeve në vitin 2019”, thotë Osmani.

Temellko Ristevski, profesor i administratës publike në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se reformat duhet të kryhen me vendosjen e njerëzve të aftë dhe që kanë vullnet të jenë të shërbim të qytetarëve. Por, reforma sipas tij duhet të zhvillohet me kujdes për shkak të numrit të madh të punonjësve në këtë sektor.

“Administrata mund të jetë efikase vetëm nëse njerëzit e vërtetë vendosen në pozitat kyçe. Një njeri që dinë dhe dëshiron të punojë mund të jetë edhe efikas në punë. Reformat në administratë janë të dhimbshme, por të domosdoshme. Ky proces duhet të zhvillohet me kujdes që të mos kalojmë në problem social, pasi nëse përnjëherë largohen nga puna dhjetëra mijëra punonjës, kjo do të shkaktonte problem të madh social”, thotë profesori Ristevski.

Reformat në administratë, gjyqësor, pastaj lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kërkuar në vazhdimësi nga institucionet ndërkombëtare, por apelet e tyre kanë mbetur nën hijen e kontestit të emrit me Greqinë, që tashmë është zgjidhur, por që ka nxjerrë në sipërfaqe kërkesat për realizimin e reformave.

Kjo është kërkuar edhe nga SHBA-ja. Ndihmës sekretari ardhshëm i Shtetit për Evropë dhe Azi, Philip Reeker, gjatë qëndrimit të hënën në Shkup tha se qytetarët duhet t’i ndjejnë reformat, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

“Me rëndësi është që qytetarët ta ndjejnë nivelin e transparencës, nivelin e përgjegjësisë, të dinë se sundimi i së drejtës të jetë aspekti më i rëndësishëm që do të unifikojë vendin. Këtu bënë pjesë edhe sistemi i drejtësisë për të cilin duhet të punohet dhe po shohin se një për një pjesë të ligjeve ka mbështetje edhe nga opozita dhe vlerësoj se këtu qëndron edhe suksesi i Maqedonisë Veriut”, ka deklaruar diplomati amerikan, Philip Reeker.

XS
SM
MD
LG