Ndërlidhjet

Pendarovski: Në Bashkimin Evropian, jo si pema pa rrënjë


Fjalimi i fundvitit i presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski
Fjalimi i fundvitit i presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit, më 22 dhjetor, tha se nuk duhet nxituar në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

Kjo pasi, sipas tij, nxitimi "nuk është gjithmonë aleati më i mirë".

“Në vend të kësaj, duhet të punojmë në reformat kyçe në vend nga të cilat varet cilësia e jetës së qytetarëve tanë”, u shpreh Pendarovski.

Ai tha se tezat se status quo-ja e zgjatur mund të shkaktojë destabilizimin e sigurisë së vendit nuk qëndrojnë dhe se në BE nuk duhet të hyhet si “një pemë pa rrënjë”.

“...Në kontekstin aktual, kur i njohim vijat tona të kuqe dhe i mbrojmë ato publikisht, nuk duhet të jemi të preokupuar se sa kohë do të duhet që të tjerët të përballen me të vërtetën për ne... Shtetet me zhvillim unik socio-kulturor janë anëtarë të BE-së, e jo ato që shkojnë atje si asnjë vend tjetër, si një pemë pa rrënjë”, tha Pendarovski

Kreu i shtetit maqedonas ka folur edhe për reformat në vend dhe mungesën e sundimit të ligjit, që, sipas tij, kanë bërë që shumë njerëz të ikin nga Maqedonia e Veriut.

Ai në këtë rast përmendi tragjedinë me autobusin në Bullgari, ku vdiqën 45 pasagjerë, që ende nuk ka marrë epilog gjyqësor, sikur edhe tragjedinë me spitalin modular në Tetovë, ku vdiqën 14 pacientë që po trajtoheshin nga COVID-19.

Sipas Pendarovskit, sundimi i ligjit, duhet të jetë prioriteti kryesor i një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“E vetmja mënyrë për të rikthyer besimin tek institucionet është përfundimi ligjor në çdo rast kur ka dyshime për krime...Nëse kjo, si dhe disa raste tjera të mëparshme, nuk marrin një vendim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm, mosbesimi tek qytetarët vetëm sa do të rritet", tha presidenti Pendarovski, cili fjalimin vjetor i nisi me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit me autobusin në Bullgari.

Kreu i shtetit foli edhe për largimin e Zoran Zaevit nga kreu i qeverisë duke e vlerësuar si akt demokratik, që sipas tij nuk ndodhë në shumë vende.

“Fakti është se ai largohet kur partia e tij është në pushtet dhe kjo është një situatë diametralisht e kundërt nga viti 2017, kur nuk mund të bënim një tranzicion paqësor të pushtetit me një shumicë parlamentare të formuar, e cila provokoi drejtpërdrejt ngjarjet e 27 prillit. Turpi më i madh për demokracinë maqedonase në histori”, tha Pendarovski duke iu referuar ish kryeministrit NIkolla Gruevski, i cili organizoi edhe rezistencë për mos u larguar nga pushteti, në vitin 2017.

Deri nga mesi i janarit të vitit 2022, Maqedonia e Veriut do të ketë Qeveri të re, që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski, kryetari i ri i Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Në krye të ekzekutivit, ai do ta zëvendësojë kryeministrin e deritashëm, Zoran Zaev.

Dorëheqjen nga Qeveria, Zaev e ka paralajmëruar më 31 tetor, pas disfatës së thellë të Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.

XS
SM
MD
LG