Krerët e partive opozitare nisin takimin me Osmanin
Udhëheqësit e partive politike opozitare, Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës janë parë duke hyrë në Kuvendin e Kosovës për t'u takuar me presidenten Vjosa Osmani.
Ftesën e ka pranuar edhe kryetari i partisë tjetër opozitare, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Osmani i ka ftuar krerët partiakë për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja, pas shpërndarjes së Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka sinjalizuar se nuk shkon në takim, pasi për të dekreti i Osmanit është jokushtetues dhe që atë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
LVV insiston që çdo veprim e ka në përputhje me Kushtetutën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Adnan Rrustemi tha në konferencë për media se partia ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në procedurat për zgjedhjen e presidentit.
“Sot jemi në ditën e parë të afatit 60 ditor" për zgjedhjen e presidentit, ka thënë ai.
“Dekreti [për shpalljen e zgjedhjeve] është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme”, tha ai.
Prandaj, sipas tij, çdo veprim që rrjedh si rrjedhojë e dekretit të presidentes, përfshirë takimin konsultativ me partitë politike është në kundërshtim me Kushtetutën.
Rrustemi është shprehur i bindur që Kushtetuesja do të vendosë masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit, por që procesin nuk mund ta paragjykojë prej tani.
Çfarë tha Osmani më herët?
Megjithatë presidentja Osmani ka thënë më herët gjatë ditës se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.
“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.
Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta.
“Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo ndaras me njëra-tjetrën”.
Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.
Nagavci: Shpërndarja e Kuvendit akt i paprecedent, vendimin do ta çojmë në Kushtetuese
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka thënë të premten se shpërndarja e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe që rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk kishte pse të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.
Sipas saj, LVV-ja, në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor, në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangien e zgjedhjeve.
"Barrikadimi me jo-në e vazhdueshme, është i padobishëm dhe i panevojshëm", ka thënë ajo.
LVV-ja i ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Në këtë legjislaturë ajo i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
E pyetur nëse partia do të marrë pjesë në konsultimet që do t'i nisë Osmani për datën e zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se nuk sheh arsye për të marrë pjesë në to.
Nagavci, gjithashtu, i ka kërkuar Osmanit që t'i përmendë me emra figurat që ajo beson se kanë qëllime të rrezikshme për shtetin e Kosovës.
Kur mund të mbahen zgjedhjet?
Ndonëse mbetet e paqartë se kush ka të drejtë për proceset që e presin Kosovën në ditët në vazhdim, njohësi i çështjeve politike Ilir Deda ka përmendur datat 12,19 dhe 26 prill si mundësi për zgjedhje të reja.
Presidentja Osmani e ka shpërndarë Kuvendin në pamundësi të institucionit për ta zgjedhur presidentin e ri, dhe ka thënë se datën e zgjedhjeve do ta caktojë pas konsultimeve me parti politike.
Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër, beson që ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në këtë drejtim.
Disa njohës të çështjeve të drejtësisë besojnë se dekreti i Osmanit është jokushtetues, dhe e interpretojnë ndryshe një afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Osmani ka thënë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.
Të tjerë besojnë se afati 60-ditor rrjedh prej ditës së nisjes së procedurës për zgjedhje të presidentit.
Mbetet të shihet nëse dekreti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.