Ndërlidhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani.

Kurti e quan “jokushtetues” dekretin e Osmanit pasi s’mori pjesë në takimin e saj me partitë për zgjedhje të reja

Shkurtimisht

• Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars. Partia në pushtet u ankua ndaj vendimit në Kushtetuese.

• Osmani më pas i mblodhi partitë në një takim për të folur për zgjedhje të reja, në të cilin mungoi partia e kryeministrit Albin Kurti.

• Kurti e quajti dekretin "jokushtetues" dhe se vendi ka kohë 60 ditë për ta zgjedhur presidentin, dhe se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e re.

• Seanca e 5 marsit dështoi në mungesë kuorumi, meqë në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare.

09:18 6.3.2026

Mirëmëngjesi lexues të Radios Evropa e Lirë,

Presidentja Vjosa Osmani sapo ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës, pasi organi ligjvënës nuk arriti në orët e vona të së enjtes që ta zgjidhte kreun e ri të shtetit.

Përmes këtij blogu të drejtpërdrejtë do t'i mbulojmë të gjitha zhvillimet pas këtij vendimi.

Na ndiqni!

09:22 6.3.2026

Osmani: Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime të rrezikshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit meqë, sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë...Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, tha Osmani në një konferencë për media.

Sipas saj, përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura, ndonëse deputetët i patën 23 ditë për ta finalizuar procesin prej konstituimit të institucionit.

"Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq", shtoi Osmani.

Vjosa Osmani në një konferencë për media. Fotografi nga arkivi.
Vjosa Osmani në një konferencë për media. Fotografi nga arkivi.

Osmani tha se do t’i shpallë zgjedhjet e reja pas konsultimeve me krerët e partive politike.

“Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë situatë e ka krijuar dështimi i Kuvendit për ta kryer detyrën kushtetuese. Askush nuk do të duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por, këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm, me qëllime të rrezikshme”.

Sipas saj, zvarritjet do të krijonin situata tjera edhe më të rrezikshme.

“Pa qartësi kushtetuese, një proces i zvarritur pa fund, siç e kemi parë edhe më 2025, dhe një shtet që fillon ta relativizojë edhe vetë Kushtetutën e tij”.

09:34 6.3.2026

Abdixhiku mirëpret dekretin e Osmanit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se mbështet dhe mirëpret dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit.

“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës. Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla”.

Ai ka thënë se zgjedhjet nuk kanë qenë asnjëherë alternativë e preferuar e LDK-së, por që partia është e gatshme të marrë pjesë në konsultime për caktimin e datës.

“Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”.

Lumir Abdixhiku.
Lumir Abdixhiku.
09:49 6.3.2026

Interpretimet për afatin 60-ditor

Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë Osmani ka thënë se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.

Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta.

“Kushtetuta e parashikon qartë që një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin nuk mund të vazhdojë pafundësisht të zvarrisë procesin, siç po tentohet, por përballet me një mekanizëm të qartë kushtetues që çon në shpërndarjen e tij. Për më tepër nenet 82 dhe 83 duhen të lexohen së bashku. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka theksuar se normat kushtetuese interpretohen të ndërlidhura dhe jo ndaras me njëra-tjetrën”.

Sipas saj, kjo do të thotë se ndonëse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të fillojë 60 ditë para afatit të fundit, ajo nuk mund të shtyhet, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë të përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast do të thotë data 5 mars.

Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG