Zulfaj: LVV e respektoi plotësisht Kushtetutën
Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka insistuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka respektuar plotësisht Kushtetutën.
Sipas tij, partia i vendosor dy kandidatë që të këtë garë për president, por partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që së bashku i kanë 37 deputetë nuk e kanë pasur asnjë kandidat, që seanca ka nisur me procedura brenda afatit dhe është ndërprerë më pas në mungesë të deputetëve “për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”.
“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Miftaraj: Faji i vetëm i opozitës është që kishte pak numra
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se faji i vetëm i opozitës për "këtë krizë të panevojshme politike" është se kishte shumë pak numra në Kuvend, ndërsa partia në pushtet e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvebdosje e kishte mbi 51 për qind të votës popullore.
“Është e padrejtë dhe shumë veprim i ulët politik me i vendosë egot dhe urrejtjen patologjike për hakmarrje para interesave të qytetarëve”, ka thënë Miftaraj përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se nuk e kupton pse dikush duhet të kërkojë votë popullore dhe më pas atë ta dhunojë "për interesa dhe ego personale dhe partiake”.
Çitaku nga PDK-ja: Egot politike po shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të sotëm të presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin.
Në Facebook ajo shkroi se kjo situatë po vjen nga “egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV (Lëvizja Vetëvendosje)”.
“Adresa e përgjegjësisë është e qartë kristal: refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik”, shkroi Çitaku.
Kurti nuk deklarohet për mediat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të deklarohet për media kur është pyetur për vendimin e Osmanit që të shpërndajë Kuvendin, duke thënë se mund të pronocohet më vonë nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës.
Ai i ka bërë këto deklarata pas homazheve që ka kryer në Prekaz te kompleksi memorial “Adem Jashari”.