Çka nëse dekreti i presidentes sfidohet në Kushtetuese?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese mund t’i japë rrugëdalje një situate të tillë nëse dekreti dërgohet për shqyrtim.
“Është e pakontestueshme që është shkelur Kushtetuta me moszgjedhjen e presidentit të ri 30 ditë para se të përfundojë mandati i Osmanit, por Kushtetuta këtu nuk parasheh sanksione për shkuarje në zgjedhje”, tha Miftaraj.
Ai përmend dy versione se si do mund të vendoste gjykata për dekretin, nëse ai do të kontestohej.
Sipas tij, ose do ta shpallte atë të ligjshëm, ose do ta merrte për precedent aktgjykimin e saj për konstituimin e Kuvendit, ku edhe aty kishte përcaktuar afat 30-ditor për konstituim, por pa përcaktuar pastaj sanksion të shpërndarjes nëse ai afat nuk përmbushet.
I pyetur se a pezullohen procedurat e organizimit të zgjedhjeve të reja nëse dekreti sfidohet në gjykatë, ai thotë se varet a vendos gjykata për masë të sigurisë.
Ndër të tjera ai e quajti të pakuptimtë rastin e dërguar në Kushtetuese nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Është një shaka me qytetarët, e padrejtë dhe e pakuptimtë që një juriste si Haxhiu të bëjë gabime të tilla profesionale, të dërgojë në gjykatë pyetje për raste hipotetike si kërkesa e saj.”
Në orën 13:00 Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve
Presidentja Osmani do t'i nisë sot në orën 13:00 konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Kështu konfirmuan burime të Radios Evropa e Lirë nga Presidenca.
Sipas Ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.
Ambasadorët e QUINT-it në Qeveri
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it raportohet se kanë qenë në mëngjesin e së premtes në ndërtesën e Qeverisë.
Vendet e QUINT-it janë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.
Njoftim për media nuk ka pasur, por vizita ka ndodhur në ditën kur presidentja Osmani mori vendim për shpërndarje të Kuvendit.
Çështja e amendamenteve për mënyrën e zgjedhjes së presidentit
Krerët e partive politike në Kosovë janë takuar disa herë në ditët e fundit në përpjekje për të arritur deri te një figurë konsensuale për president, mirëpo nuk është arritur asgjë.
Presidentja Osmani e pati bërë të ditur se synon edhe një mandat si presidente, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush në Kuvend, madje as Lëvizja Vetëvendosje e cila kishte vota të mjaftueshme për t’i kandiduar dy figura për këtë pozitë.
LVV i ka 57 ulëse në Kuvend ndërsa për të kandiduar një figurë nevojiteshin 30 nënshkrime.
Partia ka thënë në orët e vona të 4 marsit se i ka ofruar Osmanit 30 nënshkrime, mirëpo që ajo nuk ka pranuar. Më vonë Presidenca ka thënë se këto pretendime janë gënjeshtra.
Në rritje e sipër të paqartësive, Osmani i ka nisur në pasditen e 5 marsit disa amendamente për shqyrtim në Kuvend që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë nga populli dhe jo nga Kuvendi.
Në konferencën për media të 6 shkurtit, ajo ka thënë se ato amendemente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë.
“Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.
Ato amendamente janë hartuar mbi një dekadë më parë dhe e kanë marrë dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk janë jetësuar kurrë.
Vota të mjaftueshme për miratimin e tyre nuk ka pasur as më 5 mars.