Ndërlidhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani.

Kurti e quan “jokushtetues” dekretin e Osmanit pasi s’mori pjesë në takimin e saj me partitë për zgjedhje të reja

Shkurtimisht

• Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars. Partia në pushtet u ankua ndaj vendimit në Kushtetuese.

• Osmani më pas i mblodhi partitë në një takim për të folur për zgjedhje të reja, në të cilin mungoi partia e kryeministrit Albin Kurti.

• Kurti e quajti dekretin "jokushtetues" dhe se vendi ka kohë 60 ditë për ta zgjedhur presidentin, dhe se zgjedhjet nuk janë zgjidhje e re.

• Seanca e 5 marsit dështoi në mungesë kuorumi, meqë në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare.

22:12 6.3.2026

Të dashur lexues, këtu po e mbyllim për sonte mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve të fundit politike në Kosovë. Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve më 6 mars:

Në mëngjes herët, presidentja Vjosa Osmani e nxori një dekret përmes të cilit e shpërndau Kuvendin e Kosovës dhe më pas i takoi partitë opozitare, përfshirë ato kryesore si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për të biseduar për datën e zgjedhjeve të reja.

Partitë opozitare thanë pas takimit me Osmanin se janë të gatshme për zgjedhje të reja parlamentare, që do të ishin të tretat brenda një periudhe rreth njëvejçare.

Osmani nuk foli pas takimit dhe nuk është e qartë se kur do të shpallte zgjedhje të reja, pasi partia në pushtet është ankuar ndaj dekretit të saj në gjykatën më të lartë të vendit.

Kryeministri Albin Kurti e shpërfilli takimin dhe tha më vonë për shtyp se dekreti i Osmani është “jokushtetues” dhe se vendi nuk ka nevojë për një palë zgjedhjes të reja.

Ai nguli këmbë se vendi ka rreth 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentin e ri.

Instituti Demokratik i Kosovës tha se vendi mund të futet “në një situatë të paqartësisë kushtetuese”, si rezultat i mos arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ndërsa Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje” për këto zhvillime.

20:30 6.3.2026

Juristi Berisha: Presidentja s’ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin

Juristi Durim Berisha ka shpalosur një sërë argumentesh pse ai beson se presidentja Vjosa Osmani “nuk kishte të drejtë” ta shpërndante Kuvendin e Kosovës.

Ai shkroi në Facebook se paragrafi 2 i nenit 86 të Kushtetutës dhe neni 82.1, pika 3 e Kushtetutës – në të cilët Osmani u thirr kur nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit – nuk parashohin një gjë të tillë.

“Kushtetuta nuk e parasheh shprehimisht se kur deputetët janë të obliguar ta fillojnë procedurën e zgjedhjes së Presidentit, por Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se kjo procedurë konsiderohet se ka filluar — dhe nga ai moment fillon të rrjedhë afati 60-ditor — kur Kuvendit i propozohen të paktën dy kandidatë për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kuvendi u mblodh të enjten, më 05 mars në orën 22:00 dhe dështoi ta zgjedhë presidentin në atë seancë që u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa Osmani nxori dekret mëngjesin pasues, më 06 mars.

“Është fakt notor se neni 82.1, pika 3, e konsideron ipso jure (sipas fuqisë ligjore) Kuvendin të shpërndarë, nëse brenda 60 ditëve nga fillimi i procedurës nuk arrin ta zgjedhë Presidentin”, sipas Berishës.

Berisha, i cili kohë më parë shërbeu si këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, tha se kjo dispozitë e Kushtetutës nuk parasheh të drejtën e presidentit — as duke e ndërlidhur me cilat do dispozita të tjera kushtetuese — për ta shpërndarë Kuvendin.

“Kur Kushtetuta parasheh shpërndarje “automatike” të Kuvendit, Presidenti vetëm njoftohet se Kuvendi tanimë konsiderohet, sipas fuqisë ligjore, i shpërndarë dhe Presidenti vetëm cakton datën e zgjedhjeve — nuk e shpërndan Kuvendin, pra nuk ia ndërpret mandatin, përmes dekretit”.

Ai u thirr në një aktgjykim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit presidenti i shtetit nuk gëzon kompetenca që ia njohin të drejtën t’ia shkurtojë mandatin Kuvendit të Kosovës, ashtu si ka vepruar tani Osmani.

19:49 6.3.2026

Shefja e stafit të Osmanit e mbron dekretin e saj

Shefja e stafit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, e ka mbrojtur vendimin e presidentes për ta shpërndarë Kuvendin, duke thënë se “presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon”.

“Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë”, shkroi Hollaj në Facebook.

Ajo gjithashtu iu përgjigj kritikëve të Osmanit, duke thënë se “ta akuzosh atë për verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh që është turp t’i përmendim këtu, tregon se nuk keni as tolerancë minimale për njerëzit që thjesht mund të kenë interpretim ndryshe të Kushtetutës nga ai i juaji”.

Reagimi i saj vjen pasi më herët gjatë ditës, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, e kritikoi Osmanin për dekretin, duke thënë se “zelli për pushtet e çoi në gabim”.

Më vonë, vetë kryeministri Kurti tha se dekreti është “jokushtetues” dhe tregoi se partia e tij në pushtet është ankuar ndaj tij në Gjykatën Kushtetuese.

Hollaj tha se Osmani e ka mirëpritur dërgimin e këtij dekreti në gjykatën dhe se ajo do ta “respektojë çfarëdo vendimi”.

18:39 6.3.2026

BE-ja thotë se i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit politike në Kosovë

Një zëdhënësi i Bashkimit Evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë të premten se blloku i sheh me “keqardhje” zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

“Tani, po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zëdhënësi, duke iu referuar ankesës së partisë në pushtet kundër dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta shpërndarë Kuvendin.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG