Kurti e akuzon opozitën për mosbashkëpunim të mirëfilltë për zgjedhjen e presidentit
Kurti tani po i kritikon dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, për mungesë të bashkëpunimi të mirëfilltë për një marrëveshje për president.
Ai tha se nuk u morën vesh me PDK-në pasi ai tha se nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje ‘bllanko”, siç kërkonte PDK.
“Nuk mund të bëj marrëveshje pa u ditur emri”, tha ai.
“Kur s’më dhanë emra, thashë hajt të provoj unë t’ua japë një emër”, tha Kurti teksa përshkruante negociatat me opozitën.
Ai tha se nuk u pranua propozimi i tij për emrin e Andin Hotin dhe nuk pranuan më as të takohen.
Kurse për LDK-në tha se i ka thënë se mund të japin veç gjysmën e nënshkrimeve për njërin kandidat.
Kurti: Shpërndarja e Kuvendit pamundësoi ratifikimin e marrëveshjeve prej 121 milionë eurosh
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shpërndarja e Kuvendit ka pamundësuar mbajtjen e një seance të planifikuar për pasditen e së premtes, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare.
Sipas tij, seanca ishte paraparë të mbahej në orën 14:00 dhe kishte për qëllim miratimin e projekteve që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe energjetik të vendit.
Kurti tha se ndër marrëveshjet që pritej të shqyrtoheshin ishte një me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 50 milionë eurosh për efiçiencë të energjisë, një marrëveshje me të njëjtin institucion në vlerë prej 25 milionë eurosh, nje marrëveshje me Bankën Evropiane për Investime (BEI) në vlerë prej 33 milionë eurosh për rritjen e kapaciteteve energjetike dhe një marrëveshje me Fondin Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të shtrimit të rrugës Prishtinë – Mitrovicë e Jugut.
“Pra, bëhej fjalë për marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 121 milionë euro, të dedikuara për projekte të rëndësishme jetike për qytetarët tanë. Me shpërndarjen e Kuvendit, pamundësohet realizimi i këtyre projekteve dhe përfitimi i 121 milionë eurove për qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.
Kurti e kundërshton shpërndarjen e Kuvendit
Kryeministri Kurti tani po flet për çështjen e shpërndarjes së Kuvendit, duke argumentuar se, sipas Kushtetutës, ai nuk është dashur të shpërndahej tani.
Ai e citoi nenin 86 të Kushtetutës që thotë se Kuvendi shpërndahet nëse asnjëri kandidat nuk i mbërrin 61 vota në rundin e tretë.
“Ne nuk kemi mbërritur ende atje, dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as rundi i parë lëre më i treti”, tha Kurti.
Sipas tij shpërndarja e Kuvendit do të bëhej vetëm nëse ishte dështuar rundi i tretë.
Ai përmend edhe nenin 82 i cili përcakton afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit nga dita kur ka nisur procedura e që sipas tij i njëjti mbyllet me 5 maj, e jo më 5 mars.
“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta”, tha Kurti.
"Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars", shtoi ai.
Kurti pralajmëroi që çështja e dekretit duhet të marrë shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.
Kurti kritikon opozitën për mungesën në seancë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po flet tani për dështimin për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës më 5 mars.
Ai po kritikon opozitën që mungoi në seancë, duke pamundësuar kuorumin.