Ndërlidhjet

Rinumërimet vonojnë shpalljen e rezultatit final të zgjedhjeve


Ilustrim

Përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 6 tetor në Kosovë, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të zgjasë afërsisht edhe dy javë të tjera.

Ndërkaq, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cili në kuadër të koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, ka qenë i përfshirë në vëzhgimin e gjithë procesit, deri te shpallja e rezultatit final mund të zgjasë edhe një muaj.

Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se procesi i votave me kusht, atyre nga diaspora, ka ndikuar në vonesa, ndërkohë që po shtohen kërkesat edhe për rinumërimin e votave në më shumë se 500 vendvotime.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se KQZ-ja është duke punuar që procesi në radhë të parë të përfundojë mirë dhe më pas të dilet edhe me rezultate përfundimtare.

"Pikërisht ky dimension [votat me kusht dhe ato nga diaspora] e bëjnë më të komplikuar si proces. Këto dimensione kanë ndikimin e vet edhe në dinamikën e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Keni parasysh që ne do të kujdesemi që përveç shpejtësisë, që ta shuaj si të themi kureshtjen e opinionit publikut, ne kujdesemi edhe për integritetit e procesit zgjedhor, përkatësisht për saktësinë gjatë procesit të rinumërimit", ka thënë Halimi.

Sipas tij, koha më optimale për publikimin e rezultateve do të jetë periudha dy javore pas ditës së enjte.

"Përpilimi i rezultateve është një proces relativisht i paparashikuar për shkak se në proces mund të përfshihen edhe akterë të tjerë dhe jo vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe puna e tij. Pra, edhe akterë të tjerë në kuptimin e ankesave që mund t’i kenë partitë politike, kandidatët e caktuar, pastaj edhe organet, të cilat vendosin administrativisht për drejtësi në procesin zgjedhor. Afërsisht nga dinamika e trajtimit të këtyre ankesave dhe numri i tyre, përcaktohet edhe koha e shpallja e rezultateve. Besoj që afërisht për 10 ditë, maksimumi dy javë KQZ-ja do t’i shpallë rezultatet përfundimtare", ka shpjeguar Halimi.

Në anën tjetër, në Institutin Demokratik të Kosovës, kanë deklaruar se duke pasur për bazë trendët në të cilët është duke u zhvilluar i tërë procesi dhe dinamika e numërimit dhe rinumërimit të votave, nuk mund të përfundojë para 30 ditëve.

Eugen Canolli ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ende duhet kohë për numërimin e votave me kusht.

"Besoj që procesi i përmbylljes së ciklit zgjedhor të 6 tetorit do të marrë kohë të paktën rreth edhe një muaj, duke qenë se ende nuk kemi informacion se edhe sa kuti apo vendvotime do të shkojnë në rinumërim, si rezultat i mospërputhjeve mes votave të kandidatëve dhe subjekteve politike. Po ashtu, kemi ende kohë që të numërohen rreth 25 mijë vota më kusht", ka bërë të ditur Canolli.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se do t’i numërojnë të gjitha votat e qytetarëve, duke përfshire edhe ato nga diaspora.

Disa nga votat e ardhur nga diaspora kanë kaluar afate kohore për të arritur në Kosovë.

Ky proces kishe hasur në vështirësisë fillimisht pasi bashkë më to, kanë ardhur në Kosovë edhe votat e personave me të drejtë vote nga Serbia.

Zarfet me vota nga Serbia, pasi janë hapur në Kosovë, është thënë se të punonjësit e KQZ-së kanë shkaktuar një lloj alergjie, çka ka bërë që procesi të ndërpritet dhe votat të futen në karantinë për hetim.

Cakolli konsideron se kjo çështje nuk mund të paraqesë problem për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit.

"Sa i takon fletëvotimeve apo zarfeve nga Serbia, apo edhe atyre që janë vonuar e që i përkasin diasporës shqiptare, që të dy këto kategori janë refuzuar nga ana e KQZ-së dhe nuk janë përfshirë në përllogaritjen përfundimtare të numrit të fletëvotimeve të pranuara”.

“Pra, kjo nënkupton se pavarësisht punës që do të kryejnë Prokuroria apo institutet e tjera për verifikim se për çfarë lloj helmimi apo alergjie bëhet fjalë, këto dy procese nuk janë të lidhur me njëra -tjetrën dhe mund të zhvillohen paralelisht. KQZ-ja mund të procedojë pa asnjë probleme me certifikimin e rezultateve sapo t'i ketë gati nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve", ka theksuar Canolli.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

Neni 66 i Kushtetutës së Kosovës e parasheh mënyrën e konstituimit të Kuvendit. Aty përcaktohet se Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Të dielën, më 6 tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

XS
SM
MD
LG