Ndërlidhjet

Rriten përpjekjet për organizim të samitit të dytë Trump-Kim


12 Qershor 2018 - Takimi historik Trump - Kim në Singapor
12 Qershor 2018 - Takimi historik Trump - Kim në Singapor

Negociatori verikorean në bisedimet për denuklearizim, Kim Yong Chol ka arritur të enjten në Uashington për të biseduar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ashtu që t’i hapin rrugën mbajtjes së samitit të dytë në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore.

Ai ka arritur në po të njëjtën ditë kur Trump ka prezantuar strategjinë e Shteteve të Bashkuara për mbrojtje raketore, duke përmendur se Koreja Veriore përbën në vazhdimësi “kërcënim të jashtëzakonshëm”, shtatë muaj pasi ka deklaruar në samitin e parë me liderin verikorean, Kim Jong Un se kërcënimi verikorean është eliminuar.

Chol pritet të takohet të premten me Pompeon në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë një person i afërt me këtë vizitë, duke dhënë kështu një shpresë për përparim në procesin e denuklearizimit, i cili ka qenë i bllokuar për muaj të tërë.

Pas këtij takimi mund të bëhet publike edhe data për mbajtjen e samitit Trump-Kim, ka thënë po ky zyrtar në kushte anonimiteti.

Takimi mes dy liderëve në Singapur, qershor 2018
Takimi mes dy liderëve në Singapur, qershor 2018

Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë dallim të madh, lidhur me kërkesat amerikane që Koreja Veriore të braktisë programin për armë bërthamore, në mënyrë që më pas t’i heqë sanksionet ndëshkuese ndaj këtij shteti.

Pompeo ishte planifikuar të takohej me homologun e tij verikorean edhe në muajin nëntor për të diskutuar mbajtjen e samitit të dytë, mirëpo takimi ishte shtyrë në momentin e fundit.

Kontaktet diplomatike janë rikthyer pasi lideri verikrorean, Kim Jong Un ka thënë në një fjalim për Vitin e Ri se ai është i gatshëm të takojë presidentin Trump në çdo kohë.

Kim Yong Chol ka qenë për herë të fundit në Uashington në muajin qershor, meqë i pati dërguar një letër të liderit verikorean për homologun e tij amerikan, që më pas i ka hapur rrugë mbajtjes së samitit të 12 qershorit në Singapor.

Në atë takim palët ishin zotuar për të përparuar në procesin e denuklearizimit të Gadishullit Korean.

Megjithatë që nga ajo kohë, raportet e ndryshme në SHBA kanë treguar se është arritur përparim i zbehtë.

Duke prezantuar të gjeturat më të reja, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan ka thënë se raketat verikoreane vazhdojnë të jenë “shqetësim serioz”.

“Hapa konkret”

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka pranuar të mërkurën se përpjekjet për ta bindur Korenë Veriore që të heqë dorë nga arsenali bërthamor nuk kanë arritur në pikën e duhur.

“Derisa presidenti është duke premtuar dialog me udhëheqësin Kim, ne ende jemi duke pritur hapa konkret nga Koreja Veriore që të shkatërrojë armët bërthamore që kërcënojnë popullin dhe aleatët tanë në rajon”, ka thënë Pence në një adresim ndaj amabasadorëve amerikanë në Departamentin amerikan të Shtetit.

CNN ka cituar një burim të afërt me bisedimet mes SHBA-së dhe Koresë Veriore, të ketë thënë se Kim Yong Chol do t’i dorëzojë një letër Trumpit nga lideri verikorean.

Kim Yong Chol do të jetë zyrtari i parë verikorean që do të kalojë natën në Uashington, prej kur zëvëndës-marshalli, Jo Myong Rok ka bërë një gjë të tillë para se të mbante bisedime me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në vitin 2000.

Ndërkohë në bisedime e sipër për samitin e dytë, Vietnami është përmendur si vendi potencial për mbajtje të takimit, meqë ky vend ka marrëdhënie të mira si me SHBA-në ashtu edhe me Korenë Veriore.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG