PDK-ja i kërkon Rushitit të tërhiqet nga gara
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kandidates së propozuar për postin e presidentit, Feride Rushitit, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar atë si pjesë të një “loje politike antikushtetuese” që është e dëmshme për shtetin dhe për vetë atë.
Çitaku tha se PDK-ja e vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se “në këtë moment, nderi më i madh për vendin që mund të bëjë ajo do të ishte të largohej nga kjo garë”.
Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të angazhohet për të parandaluar veprimet që i cilësoi të rrezikshme nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se mund të organizohen protesta nëse shkohet tutje me votimin për president pa prezencën e opozitës në sallë.
“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për themelin e shtetit. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta parandalojmë”, tha ajo.
Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta marrë një koment nga Rushiti për kandidaturën e saj.
Arifi: Mospjesëmarrja e opozitës në seancë çon vendin në zgjedhje
Partitë politike kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje, ka vlerësuar politologu Dritëro Arifi në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL), duke shtuar se, në mungesë të opozitës në seancën për votimin e presidentit, vendi shkon në zgjedhje pavarësisht çka mund të ndodhë sot në Kuvend.
Sipas Arifit, “secila palë po mendon që ka të drejtë në atë që e pretendon”.
Ai shton se opozita, “në kushte normale”, do të duhej të shkonte në seancat për votimin e presidentit të vendit.
“Por, duke pasur parasysh që jemi në një katrahurë politike që nga viti 2025, e cila është bartur po ashtu edhe në vitin 2026, po vërehet shumë qartë që nuk ka bashkëpunim, nuk ka mirëbesim mes partive politike”, beson ai.
Ai vlerëson se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi të gjitha palët, por thekson se barrën kryesore e mban partia e parë, duke shtuar se nuk ka vend për arsyetime apo viktimizim.
Haradinaj thirrje VV-së të ndalë procesin, paralajmëron mobilizim qytetar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas seancës për zgjedhjen e presidentit që u bojkotua nga opozita, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për presione dhe e quajti procesin një rrugë të rrezikshme që cenon rendin kushtetues.
Ai u bëri thirrje LVV-së, deputetëve dhe kandidateve për presidente të ndalen nga ajo që e cilësoi si “puç”.
“Nuk na mbetet rrugë tjetër përpos t’i drejtohemi qytetarit, sovranit, që të mobilizohemi të gjithë dhe ta mbrojmë kushtetutshmërinë e Kosovës”, u shpreh ai.
“E kemi detyrë, e kemi obligim dhe unë besoj që sovrani e ka këtë të drejtë jetike në këtë vend. Kuptohet, me veprime që sovrani vetë i përcakton, që mund të jenë protesta apo veprime të tjera të përshkallëzimit që vlerësohen të nevojshme”, shtoi ai.
Të dashur lexues, vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për zhvillimet e fundit nga Kuvendi i Kosovës.
Mbulimin direkt do ta vazhdojnë Doruntina Baftiu dhe Valbona Bytyqi.
Nga unë Valona Tela, mirë mbetshi!