Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:05 17.4.2020

Të paktën 300,000 afrikanë pritet të vdesin gjatë pandemisë me koronavirus

Pandemia me koronavirus mund të vrasë të paktën 300,000 afrikanë dhe rrezikon të përballë me varfëri ekstreme 29 milionë të tjerë, ka thënë Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Afrikën, teksa ka bërë thirrje për ndihmë në vlerë të 100 miliardë dollarëve për të shpëtuar kontinentin.

Deri më tani, 54 shtetet e Afrikës kanë raportuar më pak se 20,000 raste të prekura me sëmundjen Covid-19 që shkakton koronavirusi.

Mirëpo Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se në tre deri në gjashtë muaj, Afrika do të mund të përballet me 10 milionë të infektuar.

“Për të mbrojtur përparimin tonë të përbashkët, nevojitet një rrjet i burimeve shëndetësore dhe shoqërore në vlerë të 100 miliardë dollarëvë”, është thënë në raportin e kësaj Agjencie.

Agjencia ka modeluar katër skenare, të bazuara në nivelin e masave parandaluese të virusit, të prezantuara nga Qeveritë afrikane.

Në rast të mungesës së intervenimit në studim është thënë se 1.2 miliard afrikanë do të infektohen, derisa 3.3 milionë të tjerë do të vdesin këtë vit.

Afrika llogaritet se ka 1.3 miliard banorë.

Në gjithë botën nga koronavirusi janë infektuar mbi 2 milionë persona.

14:13 17.4.2020

“Rri n’shpi” nuk bën punë për viktimat e dhunës në familje

Jo gjithkujt i përshtatet fjala “Rri n’shpi”, e cila së fundmi është shndërruar në thirrje popullore, në kuadër të përpjekjeve për të luftuar sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Të dhënat e fundit flasin për një numër më të madh të rasteve të dhunës në familje në Kosovë, posaçërisht në muajin mars të këtij viti. Viktimat janë kryesisht gratë.

Në këtë muaj kanë nisur së zbatuari masat emergjente dhe nga qytetarët është kërkuar që të mos dalin nga shtëpitë, për të penguar përhapjen e virusit.

Policia e Kosovës thotë se gjatë muajit mars janë raportuar 169 raste të dhunës në familje.

Si e komenton Qendra Kosovare për Studime Gjinore këtë situatë?

Hollësitë i kuptoni këtu

Disa aktiviste për të drejtat e grave mbajnë në duar fotografi të viktimave të dhunës në familje. Foto nga arkivi.
Disa aktiviste për të drejtat e grave mbajnë në duar fotografi të viktimave të dhunës në familje. Foto nga arkivi.

13:58 17.4.2020

Kryeparlamentarja Osmani fton qytetarët të raportojnë dhunën në familje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është bërë pjesë e fushatës kundër dhunës në familje.

Përmes një video-mesazhi të publikuar nga organizata “UN Women” , Osmani tha se më përhapjen e pandemisë së koronavirusit, po rritet edhe dhuna në familje.

Osmani i ftoi të gjithë qytetarët që të raportojnë rastet kur ata janë viktima të dhunës në familje.

Vjosa Osmani
Vjosa Osmani

Ftesë për të denoncuar rastet e dhunës kanë bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Autoritetet njoftuan se krahas luftës ndaj përhapjes së pandemisë së koronavirusit, kanë rritur edhe masat e reagimit për t'u dalë në ndihmë të gjitha rasteve, kur qytetarët raportojnë se janë viktima të dhunës në familje.

Përmes një apeli drejtuar qytetarëve, edhe Policia e Kosovës kërkoi nga qytetarët që të raportojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre.

Në muajin mars, Kosova shënoi rritje të numrit të rasteve të raportuara të dhunës në familje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm në muajin mars u raportuan gjithsej 169 raste të dhunës në familje.

Që nga vendosja e masave të qëndrimit në shtëpi në luftën kundër përhapjes së koronavirusit të ri, në shumë vende të botës është raportuar për rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje.

13:48 17.4.2020

Kumanova vatër e koronavirusit, kërkon të futet në karantinë

Kumanova mbetet vatra e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut me 306 të infektuar, bazuar në të dhënat e publikuara të enjten mbrëma, ndërkohë që para këtij qyteti është vetëm Shkupi me 367 të infektuar, por me popullsi tri herë më ta madhe se Kumanova.

Drejtuesit e Kumanovës insistojnë në kërkesën për futjen e këtij qyteti në karantinë shtetërore, sipas modelit të qytetit të Dibrës, që ishte në izolim të plotë për një muaj, e që rezultoi me sukses.

“Konsideroj se vetizolimi është mënyra më e fuqishme për momentin, që mund të dalë fitimtare përballë virusit", tha kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrevski.

Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG