Kosova humb rreth 6 milionë euro në ditë për shkak të pandemisë
Ekonomia e Kosovës do të humbë deri në 500 milionë euro si pasojë e pandemisë me koronavirus ka thënë Ministri në detyrë i Ekonomisë në Kosovë, Besnik Bislimi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, pakoja për rimëkëmbjen e ekonomisë, pasi të kalojë pandemia, do të jetë rreth 1 miliard euro, e cila do të jetë e shpërndarë në disa fusha. Bislimi thotë se problemi më i madh për qeverinë do të jetë marrja e mbështetjes nga parlamenti, pas krizës politike që është krijuar nga mocioni i mosbesimit. Sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, buxheti i Kosovës do të ketë 200 milionë euro më pak këtë vit si pasojë e pandemisë me këtë virus.
Intervistën e plotë me ministrin Bislimi e gjeni në këtë link.
Virgin Atlantic do të ndërpresë 3,000 kontrata pune
Kompania britanike Virgin Atlantic do të ndërpresë 3,000 kontrata pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të ndalojë veprimtarinë në Aeroportin Gatwick të Londrës, si pasojë e shpërthimit të koronavirusit.
Kjo linjë ajrore, që punëson rreth 10,000 persona, ka pezulluar shërbimet në Gatwick gjatë pandemisë dhe ka thënë se nuk do të rifillojë punën.
Virgin Atlantic është në proces të aplikimit për hua emergjente nga Qeveria britanike.
Ajo ka thënë se planifikon edhe të zvogëlojë numrin e aeroplanëve në flotë, nga 45 në 35 deri në verën e vitit 2022.
Kjo kompani ka thënë se planifikon të rikthejë rreth 60 për qind të kapacitetit të udhëtimeve deri në fund të vitit 2020.
Orban i cilëson akuzat për autoritarizëm si "lajme të rreme"
Kryeministri i krahut të djathtë në Hungari, Viktori Orban ka akuzuar kundërshtarët e tij se janë duke “shpërndarë lajme të rreme” rreth ligjit për koronavirus, i cili i lejon qeverisë që të udhëheqë përmes një dekreti në periudhë të pacaktuar.
Parlamenti i Hungarisë, ku partia e Orbanit, Fidesz, ka një shumicë të mjaftueshme, ka miratuar më 30 mars një projektligj që i ofron atij kompetenca të reja nën apo edhe përtej gjendjes së jashtëzakonshme, me qëllim të luftimit të pandemisë me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Ky veprim është kritikuar si nga politikanët evropianë ashtu edhe Shtetet e Bashkuara.
“Në javët e fundit, ne jemi përballur me sulme të pashembullta dhe fushatë dezinformuese kundër Hungarisë”, ka thënë Orban, në një letër dërguar Partisë Popullore Evropiane (EPP), njëherësh grupit më të madh politik në Parlamentin Evropian.
“Kjo është gjëja më cinike që kam përjetuar sepse qeveria, e cila është shënjestruar, ka qenë duke luftuar për të ruajtur jetën e njerëzve”, ka thënë Orban.
Partia Popullore Evropiane ka pezulluar nga radhët e saj Partinë Fidesz në mars të vitit 2019, për shkak të shqetësimeve se sundimi i ligjit ka mbetur mbrapa në Hungari, por edhe për sulmet kundër Komisionit Evropian.
Ky pezullim është shtyrë pa afat në muajin shkurt, përpara se ligjvënësit hungarezë t’i garantonin Orbanit fuqi shtesë.
Orban ka thënë në letrën e tij se parlamenti ka qenë në punë prej kur është miratuar ligji, që i bie se “kompetenca për të anuluar gjendjen e jashtëzakonshme apo çfarëdo dekreti të marrë nga qeveria është bie mbi parlamentin”.
Trump hedh poshtë raportimet për 3,000 vdekje në ditë nga Covid-19
Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve që udhëtojnë me të drejt Arizonas, se një raport qeveritar, i cili parashikon 3,000 vdekje brenda ditës nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, nuk është i vërtetë.
“Ai raport nuk është lehtësues, dhe ne jemi duke lehtësuar”, ka thënë ai duke iu referuar një dokumenti të Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave.
Presidenti ka mbrojtur edhe guvernatorët shtetërorë që kanë nisur të lehtësojnë masat, duke thënë se banorët e këtyre shteteve, janë duke respektuar distancën fizike dhe janë duke zbatuar masat tjera që lidhen me virusin.
Trump ka shtuar se vazhdimi i masave të izolimit mund të marrë edhe jetë njerëzish, përmes vetëvrasjeve apo abuzimit me drogë.
Kjo është një prej vizitave të para të realizuara nga Trump jashtë Shtëpisë së Bardhë në më shumë se një muaj.
Shërbimi Sekret ka marrë masa shtesë të sigurisë për udhëtimin e tij në Arizona, një prej shteteve kyçe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Ne kemi testime fantastike, përndryshe ata nuk do të lejoheshin që të udhëtonin me mua”, ka thënë Trump për personat tjerë që kanë qenë në aeroplan më të.
Shtetet e Bashkuara janë prekur më së keqi në botë nga koronavirusi i ri.
Mbi 1 milion njerëz janë infektuar, ndërkohë që mbi 68,000 pacientë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi.