Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
22:43 5.5.2020

Liderët shtetërorë komentojnë shifrat e fundit rreth koronavirusit në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka konsideruar shpresëdhënëse lajmet e fundit rreth koronavirusit të Kosovë.

Kjo pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar të martën vetëm 1 person të prekur me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.

“Nga 13 marsi, numri i personave të infektuar është rritur për 44 ditë me radhë, mirëpo në nëntë ditët e fundit, ata që janë shëruar kanë tejkaluar të infektuarit. Sot vetëm një rast ka qenë pozitiv”, ka thënë Kurti përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Shifrat e fundit i ka komentuar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Lajm i shkëlqyeshëm! Sot totali i rasteve të shëruara (463), tejkaloi rastet aktive me COVID-19 (350). Duke ndjekur këshillat e institucioneve për mbrojtje të shëndetit tonë, bashkë #dojadalim”, është shprehur Osmani në një postim në rrjetin social, Facebook.

 

23:06 5.5.2020

Bie numri i të vaksinuarve në Portugali

Numri i personave të vaksinuar në Portugali është përgjysmuar muajin e kaluar në krahasim me prillin e vitit 2019, pavarësisht paralajmërimeve për prindërit e rinj rreth nevojës për imunizim kundër sëmundjeve serioze gjatë pandemisë me koronavirus.

Në prill janë dhënë 247,810 doza të vaksinave, duke shënuar rënie prej 48 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka thënë Shërbimi Kombëtar për Shëndetësi në Portugali.

Zyrtarët shëndetësorë kanë theksuar se vaksinat që duhet marrë gjatë vitit të parë të jetës, ofrojnë mbrojtje kundër të paktën 11 sëmundjeve tjera, duke përfshirë fruthin, andaj nuk duhet të shtyhen.

Portugalia deri më tani ka regjistruar 25,702 persona të prekur me koronavirus, ndërkohë që 1,074 prej tyre kanë vdekur.

Autoritetet kanë thënë se 1,743 persona janë shëruar nga ky virus.

08:03 6.5.2020

Parashikime të zymta në Gjermani për valë të reja të koronavirusit

Gjermania pritet të shpallë plane të mëtejshme për rihapjen e ekonomisë së mbyllur si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Në një konferencë telefonike, kancelarja Angela Merkel dhe krerët e 16 landeve pritet të vendosin për heqjen e shumë masave kufizuese në javët e ardhshme.

Plani do t’iu lejojë landeve të vendosin vetë për hapjen graduale të universiteteve, restoranteve, hoteleve, studiove kozmetike, teatrove, kinemave dhe palestrave.

Gjermania tashmë i ka hequr disa kufizime të vogla, pasi i ka rënë numri i të infektuarve me koronavirus.

Por, Merkel ka paralajmëruar se çdo rritje e infeksioneve mund ta detyrojë qeverinë t'i rivendosë masat kufizuese.

Të martën, kreu i Institutit Robert Robert - agjenci shëndetësore e Qeverisë gjermane - u tha gazetarëve në Berlin se vala e dytë e koronavirusit do të vijë "me shumë siguri" dhe se shumë ekspertë të shëndetit presin edhe valë të tretë.

"Kjo është pandemi. Dhe në një pandemi, virusi do të shkaktojë sëmundje derisa të infektohet 60 deri në 70 për qind e popullsisë", tha Lothar Wieler.

Në Evropë, ku janë regjistruar mbi 140,000 viktima nga koronavirusi, gjithnjë e më shumë vende janë duke i lehtësuar masat e izolimit, por duke zbatuar distancimin fizik dhe standardet sanitare.

08:33 6.5.2020

Shtëpia e Bardhë planifikon ta shpërbëjë task-forcën për koronavirusin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se task-forca për koronavirus e Shtëpisë së Bardhë do të shpërbëhet.

“Ne po e rikthejmë vendin tonë”, tha Trump gjatë vizitës që i bëri një fabrike për prodhimin e maskave në Arizonë.

Task-forca për koronavirus udhëhiqet nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

“Mike Pence dhe task-forca kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, por tani do të shohim për një formë tjetër dhe kjo formë është siguria dhe hapja [e ekonomisë]. Do të kemi një grup tjetër që do të krijohet ndoshta për këtë çështje”, tha Trump.

Numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA çdo ditë arrin në 20,000, ndërsa ai i viktimave e kalon 1,000.

Në total, numri i të infektuarve atje është mbi 1.2 milion, ndërsa i viktimave mbi 70,000.

Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet më shumë kur bizneset të fillojnë të rihapen.

Sipas kritikëve, Trump po e sakrifikon shëndetin publik të amerikanëve duke këmbëngulur në rihapjen e ekonomisë, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Duke folur në Arizonë, Trump tha se demokratët shpresojnë se politika e tij për koronavirusin do të dështojë dhe se “ata mund t’i fitojnë zgjedhjet”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG