Është bërë shumë e vështirë për Rahën të thotë se si ndihet këto ditë. Nëse thotë se është mirë do të ishte gënjeshtër. Nëse thotë se nuk ndihet mirë, i duket sikur po dorëzohet.
Kështu i tha ajo Radios Evropa e Lirë nga Teherani, gjatë një momenti të shkurtër kur pati qasje në internet.
Ditët e saj janë të mbushura me ankth lufte dhe me pyetjen se çfarë do të vijë më pas, pasi Irani është tani në mes të një lufte dhe udhëheqësi i tij i kahershëm suprem, Ali Khamenei, është vrarë në një operacion të përbashkët amerikano-izraelit.
Nën Khamenein, autoritetin fetar dhe politik të Iranit për 35 vjet, gratë u përballën me ligje të detyrueshme për hixhabin, diskriminim dhe, siç është dokumentuar nga OKB-ja, rrahje dhe tortura të atyre që protestuan.
“Vdekja e Khameneit nuk ngjalli ndonjë ndjenjë të veçantë tek unë, as gëzim e as pikëllim”, thotë Raha, emri i së cilës është ndryshuar nga redaksia e REL-it për arsye sigurie.
“E vetmja fjali që më erdhi në mendje pasi lexova lajmin ishte: Ai vdiq dhe përmbushi një nga dëshirat e tij, por shkatërroi tonat dhe për këtë nuk u mbajt kurrë përgjegjës”, shton ajo.
Në vend të lehtësimit, thotë ajo, emocioni mbizotërues te shumë njerëz që njeh është ankthi për atë që do të vijë më pas.
“Tani për tani jam sinqerisht e shqetësuar për të ardhmen e Iranit dhe të popullit të tij”, thotë ajo.
Dhe ka shumë gjëra që ky vend me 93 milionë banorë ka përjetuar vetëm në muajt e fundit. Nga sulmet dhe kundërpërgjigjet deri te protestat mbarëkombëtare që shkaktuan dhunë të paprecedentë dhe vrasjen e disa mijëra demonstruesve.
Raha ishte ndër ata që kërkonin ndryshime në Iran në rrugë, dhe ajo thotë se në disa vende gratë dukeshin se ishin më të shumta se protestuesit burra.
Gratë ishin gjithashtu në ballë të protestës së vitit 2022, e cila shpërtheu pas vdekjes së Mahsa Aminit, një grua 22-vjeçare që vdiq në paraburgim policor pasi u arrestua për shkak se, sipas pretendimeve, nuk e kishte vendosur si duhet hixhabin. Ai ishte momenti kur lindi lëvizja “Gra, Jetë, Liri”. Gratë prenë flokët në shenjë proteste, dolën në rrugë, u vranë dhe u arrestuan.
Por, sot Raha thotë se përvoja e saj është se jeta publike ka ndryshuar dhe se gratë po ecin gjithnjë e më shumë pa hixhabin e detyrueshëm – madje edhe në lagje që dikur konsideroheshin bastione konservatore.
“Ka një moment”, thotë Raha, “kur e kupton se nuk je vetëm. Askush nuk reagon sepse nuk po i mbulon flokët. Nuk përballesh me askënd. Kjo ka rëndësi”.
Për të, hixhabi i detyrueshëm ka qenë prej kohësh një nga simbolet më të qarta të kontrollit të Republikës Islamike. Ajo beson se ky autoritet tashmë është zbehur në shoqëri – edhe nëse vazhdon të ekzistojë në kodin ligjor.
“Sado që të lexosh për Iranin”, thotë Raha, “të marrësh frymë në këtë ajër është ndryshe”. Dhe në atë ajër, mes pasigurisë dhe frikës, gratë vazhdojnë të rezistojnë.
Irani nuk është i vetmi në këtë histori. Nëpër konflikte dhe kriza politike, gratë po dalin gjithnjë e më shumë në ballë – duke marrë pjesë në protesta, duke mësuar në klasa sekrete, duke iu bashkuar ushtrive dhe duke sfiduar qeveritë.
Dhe askund situata nuk është më e rëndë për gratë dhe vajzat sesa në Afganistan, ku ato janë zhveshur nga pothuajse të gjitha të drejtat.
Që nga viti 2021, kur talibanët u rikthyen në pushtet, grave fillimisht iu mohua arsimi i mesëm dhe i lartë, iu ndalua puna në sektorë të ndryshëm dhe u rikthye hixhabi i detyrueshëm. Sot, madje, atyre u mohohet edhe vizita te mjekët, përveç nëse është grua, dhe lëvizja e tyre është e kufizuar.
Në një mjedis të tillë shtypës, një grua po u jep mësim vajzave. Në fshehtësi.
Pasi asaj dhe motrës së saj iu mohua vazhdimi i arsimit, Farishta, e cila ishte në vitin e parë të universitetit kur talibanët morën kontrollin e Afganistanit, vendosi të nisë programin arsimor larg syve të talibanëve.
“Doja që ato të ndienin se ka ende shpresë”, thotë ajo. “Këto gjëra mund të ndryshojnë dhe shkollat tona do të rihapen”.
Sot, kur një vajzë përfundon klasën e gjashtë, arsimi i saj merr fund. Sipas UNESCO-s, më shumë se 2.2 milionë vajzave dhe grave u ndalohet ndjekja e shkollimit përtej nivelit bazë.
Disa prej tyre janë nxënëset e Farishtës. Dhe klasat nuk po ndihmojnë vetëm ato, por edhe vetë Farishtën.
“Tani po bëj diçka me kohën time duke u dhënë mësim këtyre vajzave dhe shpresoj që një ditë, shkollat do të rihapen dhe ato do të mund ta vazhdojnë arsimin e tyre”, thotë ajo.
Ato mësojnë matematikë, anglisht dhe lëndë të tjera. Në fshehtësi, sepse nëse talibanët do ta merrnin vesh, ajo do të duhej t’i mbyllte. Por, ajo mbështetet nga banorë vendas që duan që vajzat e tyre të mësojnë përtej klasës së gjashtë.
Disa prej tyre janë adoleshente që u martuan sepse nuk po shkonin në shkollë. Njëra nga nxënëset e saj, shpjegon ajo, është shtatzënë dhe megjithatë vazhdon të vijë në klasë e vendosur për të mësuar.
“Ajo dëshiron të studiojë dhe të bëhet dikush në të ardhmen. Vetëm imagjinoni, çfarë mund të bëhet në të ardhmen një vajzë e klasës së gjashtë?” pyet Farishta.
“Por, unë dua që ato ta mbajnë gjallë shpresën se edhe nëse sot kushtet nuk janë të favorshme, ato mund të ndryshojnë nesër dhe ne nuk duhet ta humbim kohën dhe shpresën për një të ardhme më të mirë”, thotë ajo.
Në raportin e tyre më të fundit për të drejtat e njeriut në mbarë botën, Human Rights Watch (HRW) theksoi se gjatë vitit të kaluar talibanët e thelluan shtypjen duke “intensifikuar kufizimet ndaj të drejtave të grave dhe vajzave”. Në shtator ata ndaluan universitetet të përdornin libra të shkruar nga gra.
E vetmja gjë që Farishta dëshiron t’u thotë sot talibanëve është t'i hapin shkollat.
“Vajzat po rrinë në shtëpi pa asnjë qëllim. Familjet e tyre po i martojnë”, shton ajo.
Ndalimi, vëren ajo, nuk i pengon ato të dëshirojnë dije, por pavarësisht përpjekjes së saj për t’u dhënë mësim vajzave dhe grave që të kenë një perspektivë për të ardhmen, ajo thotë se arsimi formal është i domosdoshëm.
“Që të kemi mjeke, inxhiniere dhe gra profesioniste që punojnë në fusha të tjera të ngjashme për zhvillimin e vendit tonë”, sqaron Farishta.
Farishta ishte një studente që u bë mësuese. Diku tjetër, për shkak të trazirave në vendet e tyre, gratë po marrin role që nuk i kishin imagjinuar kurrë – përfshirë edhe në fushëbetejë.
Katerina Zarembo ishte një studiuese ukrainase, shkrimtare dhe nënë e katër fëmijëve para nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Pastaj ajo u bë mjeke luftarake.
Në fillim të luftës në vitin 2022 ajo u largua nga vendi, por më vonë u kthye për t’u bërë paramedike. Sot ajo është pjesë e forcave të armatosura të Ukrainës.
“E ndjeva që nga fillimi se vendi im ishte në luftë. Por, në fillim të pushtimit në shkallë të plotë, vajza ime ishte shumë e vogël. Me rritjen e saj, kjo bindje vetëm sa u forcua. Pashë shembuj të grave të tjera, por në fund thjesht e kuptova se nuk kishte rrugë tjetër për mua”, tregon ajo.
Bashkëshorti i saj po ashtu mbështet në mënyrë aktive ushtrinë, por familja kishte disa shqetësime dhe pyetje, megjithatë të gjithë e kuptuan se “nuk ka rrugë tjetër”. Për fëmijët e saj më të mëdhenj, shpjegon ajo, ishte e vështirë ta pranonin.
“Shpresoj që kuptimi i asaj që po bëj dhe pse, do të rrënjoset më vonë. Fëmijët nuk i rrisim me fjalë, por me veprime, dhe besoj se më vonë do ta kuptojnë vërtet”, thotë Katerina.
Shikojeni edhe këtë video: “Shtrigat e Buçës” – njësiti me rol kyç në mbrojtjen e Ukrainës
Në mbarë botën gjatë vitit të kaluar, rreth 676 milionë gra jetuan brenda 50 kilometrave nga një konflikt vdekjeprurës, sipas një raporti të Institutit për Kërkime të Paqes në Oslo (PRIO).
Në Ukrainë, që nga fillimi i luftës, shumë gra kanë ofruar ndihmë humanitare, kanë avokuar për të drejtat e grave, kanë luftuar kundër deportimit të fëmijëve ose i janë bashkuar ushtrisë. Të dhënat e vitit të kaluar tregojnë se më shumë se 70.000 gra shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës.
Para luftës, Katerina shkruante libra. Sot, ajo nuk mund ta imagjinojë t’i kthehet kërkimit apo të shkruajë një punim.
“As që mund ta imagjinoj ta bëj këtë tani. Thjesht shërbej si mjeke luftarake dhe mbetem nënë dhe bashkëshorte”, thotë ajo.
Tani ajo punon nga bunkeri dhe studion në distancë në kolegjin mjekësor. Kur Ukraina ta fitojë luftën, thotë ajo, ka pak gjasa të qëndrojë në ushtri. Por nuk është e interesuar për jetën e mëparshme profesionale. Sepse tani nuk bëhet më fjalë për karrierë, por për thirrje, për shërbim.
“Sepse të shpëtosh apo të ndihmosh njerëzit – kjo është thirrja ime”, shpjegon Katerina. Ndoshta një ambulancë, shton ajo. “Kur flasim për kthimin nga lufta, më duket se brezat tanë, pasi kanë jetuar kaq gjatë në luftë, në njëfarë kuptimi janë të gjithë vërtet ‘të humbur’. Ne kurrë nuk do të kthehemi plotësisht”.
Detyra e tyre është, siç shpjegon ajo, ta jetojnë këtë sa më mirë që të munden.
Për Katerinën, misioni është bërë i thjeshtë. “Me aq forcë sa kemi, me dinjitet maksimal dhe me dashuri maksimale”. Pastaj ajo ndalet. “Dhe mendoj se është bërë edhe më e rëndësishme për mua t’u shërbej njerëzve dhe të luftoj kundër padrejtësisë”.
Për disa, lufta për drejtësi ka një çmim. Deri vonë, Jelena Kleut ishte profesoreshë në degën e komunikimit në Universitetin e Novi Sadit në Serbi. Tani, pas dy dekadash mësimdhënie, në vend të ligjëratave, ajo shkon në protesta dhe paraqet padi.
Në janar asaj iu dorëzua vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, gjë që nxiti një valë protestash dhe dënimesh nga qytetarët dhe publiku akademik.
Ndërsa administrata e Universitetit pretendon se gjithçka është bërë në përputhje me rregullat, ata që e kundërshtojnë vendimin besojnë se ligji është keqpërdorur dhe se Kleut u pushua nga puna sepse mbështeti publikisht studentët në protestat për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit. Edhe ajo beson se kjo ishte një nga arsyet.
“Mendoj se ishte projektuar qëllimisht si një akt që duhej t’i lëndonte të gjithë studentët dhe ata që uleshin në klasat e mia”, thotë Kleut.
Aksidenti shkaktoi një valë protestash masive kundër qeverisë në gjithë Serbinë, me akuza se korrupsioni sistemik çoi në aksident. Autoritetet e hedhin poshtë fajësinë dhe refuzojnë të shpallin zgjedhje.
Ashtu si ajo mbështeti studentët, tani ata po e mbështesin atë dhe po protestojnë kundër vendimit për ta pushuar nga puna. Më shumë se 1.200 profesorë gjithashtu dolën në mbështetje të saj.
“Mbështetja e studentëve vazhdon të më inkurajoj që të mos dorëzohem dhe të mos mendoj se tani gjithçka ka mbaruar. Përkundrazi, tani disi kam edhe më shumë energji për të marrë pjesë në protestat e tyre”, thotë ajo.
Akademikët dhe studentët kanë bllokuar fakultetet shtetërore për pothuajse një vit, që nga dhjetori 2024, duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave në stacionin hekurudhor në Novi Sad dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Që nga fillimi, Kleut i ka mbështetur publikisht studentët që kanë udhëhequr protestat kundër qeverisë në të gjithë Serbinë. Studentët e Fakultetit Filozofik në Novi Sad ishin ndër të parët që iu bashkuan bllokadës.
Por tani, ditët e saj duken krejt ndryshe. Një semestër i ri po fillon dhe për herë të parë në 20 vjet ajo nuk do të marrë pjesë. Jeta e saj gjithashtu ka ndryshuar shumë që nga fillimi i protestave. Që nga 1 nëntori dhe aksidenti, prioritetet janë riorganizuar ndryshe, beson ajo.
“Ishte një ngjarje kaq dramatike për vetë Novi Sadin, sa na la të gjithëve si kur dikush të godet fort në stomak dhe të merr frymën. Por pastaj nga ajo gjendje mosbesimi dhe tronditjeje, studentët sollën një shpresë të jashtëzakonshme se një shoqëri ndryshe mund të ekzistojë në këtë vend”, shton ajo.
Dhe pastaj jeta u përqendrua në aktivitete për të ndihmuar dhe mbështetur studentët. Pastaj nisën arrestimet, autoritetet u bënë më represive dhe protestat kundër qeverisë vazhduan. Dhe, siç thotë Kleut, e gjithë kjo hodhi hije mbi jetën private dhe profesionale.
Por, pavarësisht gjithçkaje, ajo beson se vendimi që mori, si edhe pjesëmarrësit e tjerë në bllokada dhe protesta, po kontribuojnë në ndryshimin e sistemit.
“Gjithçka filloi me individë që vendosën të sakrifikonin diçka nga vetja e tyre, qoftë sigurinë apo një vend pune”.
Ajo vazhdon të shkojë në protesta, të paraqesë padi kundër universitetit dhe e vendos shpresën te sistemi gjyqësor. Ajo është e vetëdijshme, thotë, se përpara ka një betejë të gjatë ligjore. Së bashku me të gjitha të tjerat që e presin.
Para sulmeve të fundit, Raha kurrë nuk do ta imagjinonte që Teherani mund të bëhej një fushëbetejë. Tani, çdo zhurmë sjell frikën e bombave të reja.
Ka kaluar një javë që nga sulmi i parë ndaj Iranit, i cili e shtyu Republikën Islamike të kundërpërgjigjej me sulme ndaj bazave amerikane në gjithë Lindjen e Mesme. Jeta tashmë kishte qenë e vështirë në Iran, thotë Raha, dhe tani lufta ka shtuar një shtresë tjetër pasigurie.
“Lufta është në thelb një fenomen kundërnjerëzor”, thotë Raha. “Dhe kur lufta vazhdon, pabarazitë që tashmë ekzistojnë forcohen”.
Vështirësitë ekonomike dhe sociale që iranianët kanë përjetuar i nxorën ata në rrugë në fund të vitit të kaluar duke kërkuar ndryshime.
Gjatë protestave, Irani hyri në një bllokadë digjitale dhe, sipas organizatës për të drejtat me seli në SHBA, HRANA, më shumë se gjashtë mijë demonstrues u vranë, ndërsa më shumë se 25 mijë u plagosën gjatë shtypjes nga qeveria.
Në kushte të tilla, jeta personale dhe planifikimi kalojnë në plan të dytë. Ashtu si një profesoreshë nga Serbia, jeta e përditshme përqendrohet në diçka tjetër. Gjithçka është pezull në pasiguri, shton Raha.
Megjithatë ajo i kthehet idesë së barazisë dhe thotë se çdo veprim i vogël që një grua bën për ta afruar pozitën e saj në shoqëri me atë të burrave “bëhet pjesë e një lufte më të madhe”.
Nëse ndonjëherë vjen ndryshimi politik, ajo beson se grave nuk duhet t’u kërkohet sërish të tërhiqen në emër të stabilitetit.
Gratë dhe vajzat kanë të drejtë, në thelb, të jetojnë në siguri dhe në paqe, të lira nga dhuna dhe diskriminimi, tha për Radion Evropa e Lirë, Sarah Hendriks, drejtoreshë për politika në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Gratë.
“Konfliktet dhe krizat zgjerojnë në mënyrë dramatike boshllëqet e drejtësisë për gratë dhe vajzat, përfshirë mënyrën se si mbrojtja e grave dhe vajzave është kaq shpesh jetike e nevojshme dhe megjithatë kaq shpesh mungon”, shton ajo.