Ndërlidhjet

Tsikhanouskaya: Taktikat e frikësimit të Lukashenkës po e humbin efektin


Svyatlana Tsikhanouskaya
Svyatlana Tsikhanouskaya

Svyatlana Tsikhanouskaya, ish-kandidate për presidente të Bjellorusisë, e cila tani ndodhet në mërgim në Lituani, tha se taktikat e frikësimit të udhëheqësit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, vetëm se po e vështirësojnë zgjidhjen e krizës.

Bjellorusia është përfshirë nga protestat kundër regjimit qysh pas zgjedhjeve të 9 gushtit, në të cilat Lukashenka është rizgjedhur president.

Opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se zgjedhjet janë manipuluar.

Duke folur për kanalin televiziv Current Time të Radios Evropa e Lirë, Tsikhanouskaya tha se Lukashenka është një udhëheqës “jolegjitim”, i cili nuk ka autoritet të bëjë marrëveshje në emër të Bjellorusisë.

Protestuesit bjellorusë kërkojnë dorëheqjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të drejta dhe të lira.

Lukashenka, 66 vjeç, mban pushtetin qysh në vitin 1994. Regjimi i tij u është përgjigjur protestuesve paqësorë me arrestime masive - vetëm të dielën, më 13 shtator, janë arrestuar afro 800. Disa prej të burgosurve kanë raportuar edhe për torturë.

Të hënën, Lukashenka ka takuar në Soçi të Rusisë presidentin rus, Vladimir Putin, i cili i ka premtuar një hua prej 1.5 miliard dollarësh.

Tsikhanouskaya, e cila pretendon se i ka fituar zgjedhjet në Bjellorusi me 60-70 për qind të votave, tha se arrestimet e së dielës kanë pasur qëllim t’i tregojnë Kremlinit se Lukashenka ka ende kontroll mbi situatën në Bjellorusi.

“Shfaqja masive e forcës, duke dërguar aq shumë policë në vendin e protestave, ka të ngjarë të jetë organizuar për t’i frikësuar njerëzit, që të mos protestojnë. Por, kjo nuk funksionon më. Njerëzit kanë një qëllim, ata kanë dëshirë të jetojnë në një Bjellorusi të re, pa uzurpatorin. Sa më brutale që është policia dhe sa më shumë njerëz që burgosen, aq më i vendosur është populli”, tha Tsikhanouskaya, e cila është strehuar në Lituani shumë shpejt pas zgjedhjeve.

Minsk, 13 shtator, 2020.
Minsk, 13 shtator, 2020.

Rusia, partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe strategjik i Bjellorusisë, është duke vëzhguar nga afër trazirat. Planifikuesit në Kremlin janë të kujdesshëm ndaj përsëritjes së asaj që ka ndodhur në Ukrainë, në vitin 2014, kur protestat masive kanë çuar në rrëzimin e presidentit pro-rus atje.

Duke sinjalizuar përfshirjen e mundshme të Kremlinit në krizë, Lukashenka dhe Putin kanë zhvilluar së paku pesë thirrje telefonike që nga zgjedhjet, ndërsa takimi i së hënës ishte i pari ballë për ballë qysh pas zgjedhjeve.

Putin dha pak detaje rreth huasë së re për Bjellorusinë, por ai po ashtu sinjalizoi mbështetje për Lukashenkën në mënyra të tjera dhe tha se bashkëpunimi në mbrojtje do të vazhdojë.

Tsikhanouskaya tha se çdo marrëveshje me një Lukashenka “të paligjshëm” nuk do të ketë peshë ligjore dhe “do të rishikohet nga çdo udhëheqje e re”.

Perëndimi i ka dënuar manipulimet në vota dhe goditjen e ashpër të policisë ndaj protestuesve të opozitës, duke e detyruar Lukashenkën të kërkojë mbështetje në Moskë.

Në vend se të bisedojë me Putinin, Tsikhanouskaya tha se Lukashenka duhet të zhvillojë një dialog me opozitën dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për inaugurimin e tij do të ishte “e paligjshme”.

"Ne gjithmonë kemi bërë thirrje për dialog. Mendoj se është mënyra më e mirë për të dalë nga kriza. Vetëm dialog. Dhe, përmes një dialogu të tillë, ne duhet të biem dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të reja [presidenciale]", tha Tsikhanouskaya, duke shtuar se Këshilli i Koordinimit i opozitës vazhdon të funksionojë, pavarësisht faktit se vetëm një anëtare e tij, lauratja e Çmimit Nobel, Svetlana Alexievich, mbetet e lirë brenda Bjellorusisë, dhe se disa anëtarë të tjerë ose janë detyruar të ikin nga vendi, ose janë arrestuar nga policia.

“Mendoj se për momentin, zoti Putin zgjodhi rolin e një vëzhguesi në pritje, i cili peshon zhvillimet në vendin tonë. Ai, në fakt, e kupton se ne jemi vende mike dhe se askush nuk dëshiron t’i prishë lidhjet tona, që janë vendosur shumë kohë më parë. Është e qartë se presidenti i ardhshëm [i Bjellorusisë], i zgjedhur legalisht përmes zgjedhjeve të drejta, do të vazhdojë të ndërtojë lidhje të dobishme reciproke me Rusinë. Ne e kuptojmë se roli i Rusisë është i madh për Bjellorusinë, por gjithçka mund të zgjidhet përmes dialogut”, tha Tsikhanouskaya, e cila është bërë udhëheqëse e opozitës bjelloruse.

Burri i saj, Syarhey, një sfidues i mundshëm i Lukashenkës në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, është arrestuar përpara votimeve dhe mbetet në paraburgim.

Tsikhanouskaya, e cila deri vonë nuk punonte, e mori rrugën e bashkëshortit të saj, pas burgosjes së tij.

Ajo tha se sapo të nisë një lloj dialogu me Qeverinë e Lukashenkës, do të kthehet në Bjellorusi “për të qenë pranë njerëzve”.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG