Ndërlidhjet

Thaçi: Beteja me Serbinë tani zhvillohet në tavolinën e Brukselit


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi

Me fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë, përmbyllen përfundimisht negociatat me një marrëveshje definitive dhe të përhershme dhe jo më të përkohshme, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media të thirrur pikërisht rreth çështjes së dialogut me Serbinë.

“Në këtë fazë finale synojmë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin dhe njohje reciproke mes dy shteteve”, tha Thaçi.

“Ka më shumë se dy dekada që Kosova ka kërkuar dialog, si mjet i vetëm për zgjidhjen e kontesteve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Në gjithë procesin e deritashëm Kosova ka qenë e hapur dhe konstruktive. Edhe në takimin e fundit në Bruksel më 24 qershor, kemi qenë bashkëpunues dhe kemi hulumtuar mundësitë se çka mund të arrihet e çka jo nga ky proces”, tha presidenti i Kosovës.

Muajt e ardhshëm, nënvizoi ai, do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare.

“Tash për tash është folur vetëm për kornizën e marrëveshjes, e asgjë më tepër. Presim ftesën nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini që t’i vazhdojmë bisedimet shumë shpejt”, tha Thaçi.

“Pres që bisedimet të jenë të rënda dhe të vështira. Është një konflikt, pothuajse njëshekullor që duhet të përmbyllet me marrëveshje normalizimi e njohjeje reciproke”, theksoi ai.

Sipas presidentit Thaçi, në fund të procesit Kosova duhet të njihet si shtet nga Serbia, të pranohet nga Kombet e Bashkuara si dhe t’i hapen rrugët për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Nuk do të ketë vija të kuqe sikurse që kishte nga Grupi i Kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës. Do të elaborohen vetëm temat për të cilat pajtohen dy palët si mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme”, theksoi Thaçi.

Pavarësisht kundërshtimeve nga opozita, Thaçi tha se e mirëpret faktin që i gjithë spektri është shprehur në favor të dialogut.

Ai tha se bisedimet e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i zhvillon në bazë të mandatit që ka me Kushtetutën e Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG